Kapacitetet demokratike në RMV në test!

    Vetëm votimi “pro” i ndryshimeve kushtetuese mund t’i hapë rrugën zgjedhjeve të parakohshme. Në të kundërtën, partitë në pushtet nuk do të heqin dorë nga mandati i marrë në mënyrë legjitime dhe do ta shfrytëzojnë atë deri në fund, në përpjekje për të siguruar shumicën e nevojshme prej dy të tretave deri në zgjedhjet e ardhshme të rregullta. Ky është qëndrimi i pushtetit pasi dihet se nuk ka një shumicë të tillë për momentin dhe opozita vazhdimisht përsërit se nuk do të mbështesë ndryshimet kushtetuese. Në mënyrë që procesi të ketë sukses dhe të arrihet në kohë, tani është faza që të zgjerohet kuadri kohor në të cilin mund të realizohet ai proces. Nëse më parë muaji nëntor tregohej si një lloj “afati” orientues-administrativ për ndryshimet kushtetuese, tashmë në disa raste si afat është shënuar përfundimi i mandatit të kësaj përbërje parlamentare. “Qëllimi fillestar është deri në nëntor, por afati real është deri në ditën e fundit të mandatit të parlamentit aktual. Deri në ditën e fundit do të punojmë që të japim mbështetje për ndryshimet kushtetuese duke qenë se nuk ka asnjë argument kundër”, ka thënë ministri Osmani.

    NJË PROVË PËR DEMOKRACINË

    Krahas përpjekjes për të absorbuar mbështetjen për zbatimin e ndryshimeve kushtetuese (kushti pa të cilin nuk mund të fillojë hapja e kapitujve të negociatave), pavarësisht nga kjo, në skenën politike po zhvillohet një proces intensiv për konsolidimin e partive opozitare të bllokut shqiptar, megjithëse ato parti nuk janë kundër ndryshimeve kushtetuese, ndërkaq disa analistë mendojnë se tentativat për të minuar bashkëpunimin e tyre për një bashkim të mundshëm në një front të përbashkët, mund t’u shkaktojnë atyre një revoltë, e cila në fund mund të ketë një ndikim negativ pikërisht në sferën e ndryshimeve kushtetuese. Dhe ndryshimet në kampusin shqiptar janë mjaft të dukshme. Pasi Izet Mexhitiu largua nga BDI-ja dhe më 13 gusht do të promovojë partinë e re Lëvizja Demokratike, disa nga fraksionistët që nuk pranuan t’i bashkohen (me arsyetimin se do të mbeten në BDI dhe do t’i zgjidhin të gjitha mosmarrëveshjet atje), të njëjtit tashmë shfaqen në ngjarje publike krah për krah me Ahmetin, i cili muaj më parë kritikohej nga ana e tyre. Para disa ditësh Ahmetin e ka shoqëruar Nevzat Beita në manifestimin “Takimet në Rekën e Epërme”, e më pas Blerim Bexheti ka publikuar një fotografi të tij dhe Ahmetit në fshatin Bukoviq, në shtëpinë e një aktivisti të njohur nga diaspora.

    E derisa zjarri në BDI është shuar, një shkëndijë është ndezur në Lëvizjen BESA, ku nënkryetari Arjanit Hoxha u largua nga partia dhe dje mblodhi nënshkrimin për formimin e një partie të re me emrin Partia Demokratike Evropiane. Partitë opozitare thonë se pengesat për krijimin e një fronti të përbashkët opozitar vetëm sa i motivojnë më tej partnerët për të forcuar veprimet e përbashkëta. Në këtë kontekst, testimi i disponimit për ndryshime kushtetuese nuk do të kalojë pa një testim opozitar të vlerave evropiane dhe demokratike, për të cilat partitë në pushtet flasin vazhdimisht.

    SËRISH PA KONSULTIME

    Krahas dorëheqjes së kushtëzuar të BDI-së në mënyrë që opozita të mbështesë ndryshimet kushtetuese, qeveria në periudhën e ardhshme pritet të ofrojë zgjidhje të tjera që mund të ndryshojnë qëndrimin e opozitares VMRO-DPMNE. Manifesti aktual për negociatat me BE-në, dokument rreth të cilit qeveria pret të bashkohen të gjitha partitë politike, VMRO-DPMNE e vlerësoi si dokument të krijuar në të njëjtën mënyrë që e ka kritikuar deri më tani – pa asnjë konsultim. “Ata shkruan dy faqe, dolën me një emër, e quajtën Manifest dhe përmes një komunikate për shtyp, pa asnjë konsultim, sikur të ishte gjëja më e parëndësishme në vend – e dërgojnë në media, duke u bërë thirrje të gjithë palëve të interesuara që të pranoje”, ka reaguar nga VMRO-DPMNE-ja opozitare. Sipas partisë, i ashtuquajturi Manifesti është një pranim i qeverisë se në muajt e kaluar nuk ka bërë asgjë për të ruajtur dhe realizuar interesat strategjike të Maqedonisë. “Ashtu si një vit e gjysmë më parë, kur qeveria pranoi dhe negocioi protokollet me fqinjin lindor vetë, pa asnjë konsultim me opozitën, tani ata sërish po shkruajnë dokumentet e veta dhe po bëjnë thirrje për konsensus. VMRO-DPMNE nuk e ka pranuar të ashtuquajturin manifest dhe pas marrjes së atij dokumenti, nëse ka diçka thelbësore për t’u marrë parasysh, organet partiake do ta shqyrtojnë dhe do të deklarohen”, thuhet në njoftimin e partisë.

    Ndërkaq, opinionisti Rilind Dauti për KOHA thotë se puna e opozitës është kritika e pushtetit e jo mbështetja e pushtetit, sepse në atë rast i bie që populli nuk ka arsye në zgjedhjet e ardhshme të vendosë ndryshe. “Kështu që, opozita nuk ka obligim që t’i mbështesë ndryshimet kushtetuese për të cilat prej në fillim është shprehur kundër. Megjithatë, ana tjetër është josinqeriteti i opozitës duke thënë që sikur të varej prej tyre ata do të arrinin marrëveshje më të mirë, e mbi të gjitha shpresa e rrejshme që sikur të vinin në pushtet, ata do të rinegocionin drejt një marrëveshje më të mirë. Por e vërteta është se as Bullgaria e as Bashkimi Evropian nuk e kanë ndërmend që kësaj çështje t’i hyjnë për së dyti, kështu që, me mosmbështetjen e ndryshimit të kushtetutës, opozita maqedonase vetëm se do t’i bëjë dëm Maqedonisë së Veriut me vonesë shtesë në procesin eurointegrues”, ka deklaruar Rilind Dauti, opinionist.

    NUK ËSHTË KOHA PËR PËRPLASJE

    Tani nuk është koha për përplasje dhe justifikime politike, proceset fitojnë sukses dhe vlerë nëse valorizohen në kohën e duhur, ka thënë zëvendëskryeministri për çështje evropiane dhe kryenegociatori me BE-në, Bojan Mariçiq. Ai e vlerësoi manifestin si një thirrje të re për bashkimin e të gjithë liderëve politikë drejt negociatave për anëtarësim të plotë në BE. “Manifesti i nënshkruar dhe i mbështetur nga të gjitha partitë politike do të jetë një dëshmi e fortë se ne kemi të njëjtin mision dhe synim kur bëhet fjalë për të ardhmen e shtetit dhe qytetarëve. Të gjitha partitë politike qëndrojnë në të njëjtën linjë dhe lënë mënjanë dallimet e tyre për të krijuar një front të bashkuar, duke demonstruar se anëtarësimi në BE është një synim i përbashkët që i kapërcen dallimet politike. Ky Manifest jo vetëm që paraqet përkushtimin politik ndaj BE-së, por është edhe konfirmim i vendosmërisë sonë kombëtare për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, të bashkuar dhe të ndritshme për Maqedoninë e Veriut”, tha zëvendëskryeministri.

    Ai u bëri thirrje të gjithëve që të qëndrojnë në të njëjtën anë dhe me përkushtim dhe unitet për të vazhduar dhe përshpejtuar negociatat me BE-në.

    “I vetmi konsensus që mund të jetë i pranueshëm është për zgjedhje të parakohshme parlamentare”, ishte kundërpërgjigjja nga VMRO-DPMNE. “Ndryshimet kushtetuese në rrethana të tilla VMRO-DPMNE dhe koalicioni nuk do të pranojnë dhe kjo është e qartë për BDI-në dhe Kovaçevskin. Duke e ditur se nuk kanë shumicë prej dy të tretash për ndryshimet kushtetuese, Ahmeti dhe Kovaçevski po blejnë kohë me të ashtuquajturin Manifest, dokument ky që është shkruar në selinë e BDI-së pa asnjë konsultim të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit. Në vend që të ruanin dhe luftonin për interesat kombëtare në muajt e kaluar, kriminelët e BDI-së dhe LSD-së blenë qendra tregtare, dyqane, vetura, hapën kompani tregtare të energjisë elektrike, morën komisione, manipuluan tenderat për vete dhe të afërmit e tyre. I vetmi konsensus për të mirën e qytetarëve dhe shtetit është që menjëherë të luftohet për dalje nga kjo agoni dhe humnerë në të cilën e zhytën shtetin”, thonë nga VMRO-DPMNE. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Korrupsioni, mbetet sfida më e madhe e RMV

    Lajmi i rradhës

    Grafite që minojnë bashkëjetesën!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë