Korrupsioni, mbetet sfida më e madhe e RMV

    Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, përmes një postimi në Facebook ka thënë se korrupsioni në gjashtë muajt e parë të vitit është ulur për 22 për qind, krahasuar me vitin 2022. Këtë pretendim Spasovski e mbështet në bazë të kallëzimeve penale të parashtruara për veprat penale të korrupsionit. Sipas të dhënave që publikoi Spasovskit, deri më tani janë kryer 47 kallëzime penale, 80 kryerës janë paraqitur penalisht dhe dëme materiale mbi 92.7 milionë denarë. “Shpërdorimi i pozitës zyrtare me elemente korruptive – 26, operacioni nga pakujdesia – nëntë krime, marrja e ryshfetit – gjashtë, dhënia e ryshfetit – katër, nga një vepër penale për pastrim parash dhe produkte të tjera nga vepra penale dhe nxitje në lidhje me shpërdorimin e detyrës zyrtare pozitës dhe autorizimit”, shkroi Spasovski në Facebook.

    Derisa nga ana tjetër, ambasadorja amerikane, Angela Aggeler, në një intervistë për mediat maqedonase, ka deklaruar se korrupsioni vazhdon të jetë një, në mos sfida më e madhe me të cilën përballet Maqedonia e Veriut. Ai tha se kështu ishte edhe kur ka qenë më parë.  “Sinqerisht, ka pasur një problem sistemik që nga pavarësia 31 vjet më parë. Për këtë arsye nuk mund të fajësojmë vetëm një Qeveri apo institucion. Është përgjegjësi e gjyqësorit dhe e çdo qeverie dhe le të jemi të sinqertë me qytetarët, korrupsioni nuk ndodh vetvetiu. Nuk mund të jem vetëm i korruptuar. Është produkt i vendimeve të individëve, qytetarëve dhe zyrtarëve. Unë sinqerisht shpresoj për një ndryshim të vërtetë”, theksoi ambasadorja e SHBA-së, Angela Aggeler.

    Ajo shtoi se procesi i integrimit evropian trajton pikërisht këto çështje dhe se do të jetë një ndihmë e madhe.

    Lidhur me deklaratat e disa politikanëve se Marrëveshja e fqinjësisë së mirë me Bullgarinë mund të rinegociohet, ambasadorja amerikane kujtoi se Bashkimi Evropian e ka të qartë atë që i kërkohet Shkupit për të ecur përpara drejt integrimit dhe për të qenë një anëtar plotësisht i barabartë i BE-së. “Është lajm i rremë. Është gjithashtu një lajm i rremë se një marrëveshje më e mirë është e mundur që ne nuk e kemi zbuluar ende. Ambasadori i BE-së këtu në Shkup, Gir, por edhe në Bruksel e kishin shumë të qartë se këto janë kërkesat për të ecur përpara. Pra, edhe një herë, në vend që të ngecin në çështje dhe kontekste historike, ajo që qytetarët kërkojnë nga politikanët që i kanë zgjedhur është që të punojnë për interesat e tyre dhe ta çojnë vendin drejt Bashkimit Evropian. Aty ekzistojnë mundësitë për rritje ekonomike, arsimore, sociale, tregtare dhe shumë mundësi të tjera. Dhe unë me të vërtetë shpresoj sinqerisht se ata do të marrin vendime të drejta edhe pse të vështira”, thotë Aggeler.

    Lidhur me perspektivën e marrëdhënieve me Bullgarinë, ambasadorja Aggeler theksoi se është e rëndësishme të dihet se si kryeministri i ri ashtu edhe ai i mëparshëm, kanë treguar synimet e tyre për ta parë këtë vend si pjesë të BE-së. “Dhe unë i pranoj fjalët e tyre, por nga perspektiva ime, e rëndësishme është ajo që po bën ky vend dhe udhëheqësit e saj dhe jo ajo që po ndodh në Sofje. Unë e kuptoj se ka vështirësi, por negociatat mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë janë të natyrës dypalëshe”, tha Aggeler. Ajo pranoi se kur po largohej nga Shkupi në vitin 2013, nëse do t’i kishin thënë se vendi do të ndryshonte emrin për t’u anëtarësuar në NATO, nuk do ta besonte se kjo do të ishte e mundur.

    Ndryshe, SHBA-të para disa kohëve për shkak përfshirjes në afera korruptive në listën e zezë e kanë futur kryetarin e Strugës, Ramiz Merko dhe biznesmenin Orce Kamçev. /koha/

    Lajmi Paraprak

    NJË RRUGË ME PËRPLOT “SHERE”! | Rruga Tetovë – Prizren trazon pushtetin lokal dhe qendror

    Lajmi i rradhës

    Kapacitetet demokratike në RMV në test!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë