“Karil” nuk pranon pacient, një pjesë e hapësirave të saj u përmbytën

    Klinika për Anestezion, Reanimacion dhe Mjekim Intensiv e njohur si Karil” që pas stuhisë së të martës nuk pranon pacient, sepse një pjesë e hapësirave të saj u përmbytën. Nga VMRO-DPMNE sot akuzuan se nuk po ndërmerret asnjë hap për sanimin e dëmeve dhe rivënien sa më të shpejtë në funksion të kësaj klinike që është kyçe të shëndetësinë terciare.

    “Sot parashtrojmë pyetje dhe paralajmërim kyç deri tek drejtoresha e “ Karil”, Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet tjera kompetente. Çfarë po ndërmerret që kjo klinikë në mënyrë të duhur të përgatitet për funksionim. Kjo nuk është një garazh u thjesht, ose podrum nga i cili duhet të nxirret vetëm uji dhe të pastrohet me leckë. Nëse klinika ka qenë përmbytur nga kanalizimi apo ujëra të tjera deri në atë nivel sa të mos pranohen pacientë, atëherë këtu bëhet fjalë për një proces shumë më serioz dhe thelbësorë për të rikthyer atë në funksion”, tha Dafina Stojkoska- deputete e VMRO-DPMNE-së.

    Por drejtor i Klinikës për Traumatologji, Sëmundje Ortopedike, Anestezion, Reanimacion dhe Mjekim Intensiv dhe Qendrën Urgjente, Aleksandar Stojkoski tha se “ Karil” është pjesërisht në funksion, pasi sipas tij ka pasur vetëm rrjedhje uji dhe jo përmbytje.

    “Gjendja në “ Karil” është normale, vetëm se punojmë më intensitet të zvogëluar. Fillimisht të sqaroj se nuk bëhet fjalë për përmbytje. Bëhet fjalë për një pjesë tek magazinat dhe në pjesën intensive dhe ajo nuk është përmbytje, ashtu siç përcillet. Është rrjedhje pranë murit, e cila tashmë është sanuar, por ngaqë në atë pjesë ka rrjet elektrik në të cilën lidhen disa krevate ata krevate janë shkyçur, deri sa të shohim se si është gjendja me energjinë. Krevatet tjera, rreth 15, janë në funksion. Çdo ditë pranohen pacientë”, deklaroi Aleksandar Stojkoski- Drejtor i Qendrës Urgjente.

    Më 1 shtator përmes një komunikate, Ministria e Shëndetësisë informoi se për shkak të problemeve teknike të njësisë për trajtim intensiv “TOARLIUC KARIL, të gjithë pacientët që kanë nevojë për kujdes intensiv dhe trajtim do të drejtohen në institucionet publike shëndetësore, deri në sanimin e defektit: pacientët nga Shkupi në spitalin “8 Shtatori” dhe “Shën Naumi i Ohrit”, pacientë nga Maqedonia lindore në Institucionin Publik Shëndetësorë në Shtip, pacientë nga Maqedonia qendrore në Institucionin Publik Shëndetësorë në Manastir, pacientët nga Maqedonia perëndimore në Institucionin Publik Shëndetësorë Tetovë”./Alsat

    Lajmi Paraprak

    Si e pushtoi botën, arti dhe dizajni islamik?

    Lajmi i rradhës

    Në arsimin para shkollorë, të punësuarit vazhdojnë të kenë në përdorim dy ditarë atë elektronik dhe klasik

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë