Si e pushtoi botën, arti dhe dizajni islamik?

    Nga: Cath Pound / BBC
    Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

    “Cartier dhe Arti Islamik: Në kërkim të modernitetit” – aktualisht e ekspozuar në Muzeun e Artit të Dallasit, pas ekspozitës jashtëzakonisht të suksesshme në Muzeun e Arteve Dekorative në Paris – zbulon mënyrën me të cilën dizajnet gjeometrike të artit islamik ia dhanë Cartier-it frymëzimin për të krijuar estetikë novatore moderne për bizhuteritë e bukura të fillimit të shekullit XX.

    Dizajnët e Cartier-it janë pjesë e marrëdhënieje shekullore mes krijimit artistik evropian dhe artit islamik. Është marrëdhënie që Olivier Gabet – drejtor i Muzeut të Arteve Dekorative – e pranon në katalog se gjithmonë ka qenë “shumë politik”, me “përzierje të magjepsjes, të dhunës dhe të dominimit”.

    Megjithëse për shekuj të tërë tregtarët dhe diplomatët kishin qenë të vetmit evropianë që mund të vizitonin perandoritë e Lindjes së Mesme, ardhja e epokës koloniale dhe rritja e ndikimit perëndimor në rajon e shtoi mundësinë për udhëtime më të lira në shekullin XX. Një lumë i tërë artistësh nga Amerika e Veriut dhe nga Evropa u dyndën në Kostandinopojë (Stambolli i sotëm), në Jerusalem, në Kajro dhe në Marakesh. Pikturat që ata krijuan shkrinë lirshëm fantazinë me realitetin, veçanërisht kur bëhej fjalë për përshkrimet e haremit në të cilin asnjë mashkulli nuk i lejohej kurrë qasja, e që gratë vendase i përshkruanin në një tjetërsimin ekzotik që pasqyronte gjithashtu një ndjenjë të epërsisë perëndimore.

    Studimi i dekorimeve arabe, nga Arkiva Cartier (rreth vitit 1910)

    Por, ndonëse është kritikuar klisheja orientaliste e këtyre veprave, audiencës më të gjerë ato piktura ia dhanë pamjen e parë të bukurisë së mjeshtërisë islame – një zonë që deri atëherë kishte pak interes për muzetë dhe për studiuesit perëndimorë. Mund të kenë qenë të pasakta skenat e portretizuara nga këta artistë, por objektet dhe artefaktet që përshkruanin u paraqitën me saktësi të madhe. Modelet e stilizuara të pllakave me lule, veçoritë gjeometrike arkitekturore, punimet e zbukuruara me metal, bizhuteritë spektakolare dhe tekstilet dhe qilimat e endur e të ndërlikuar i magjepsën koleksionistët perëndimorë.

    Lucien de Guise ishte kurator i “Përtej orientalizmit”, ekspozitës së vitit 2008 të hapur në Muzeun e Arteve Islamike në Malajzi, që eksploroi ndikimin e artit islamik në Perëndim. Për BBC ai thotë se “pikturat erdhën përpara bursave të studimit. Shumë njerëz blejnë gjësende, sepse janë të njohura dhe të kërkuara, dhe arsyeja se pse ato janë të njohura dhe të kërkuara është sepse një brez i mëparshëm i artistëve kanë qenë në këto vende dhe ata sollën sasi të mëdha qilimash, armësh dhe të objekteve tjera”.

    Teksa koleksionistët me ngazëllim i blinin origjinalet, dizajnerët i përdornin ato për frymëzim. Qeramika osmane ndikoi te të gjithë, që nga William de Morgan e deri te Villeray dhe Bosch, ndërsa vazot delikate Alhambra i frymëzuan imitimet shkëlqyese të prodhuesve – si p. sh. prodhuesin hungarez të porcelanit dhe të qelqit, Zsolnay. Për borgjezinë e vetëdijshme për nga pikëpamja estetike, librat – si ai i Christopher Dresser-it, “Studime në dizajn”  jepnin këshilla se si mund të përdoren motivet islamike në shtëpi.

    Në mënyrë tragjike, pikërisht kur Perëndimi po zgjohej me bukurinë dhe aftësinë e arteve dekorative islamike, praktikimi i këtyre zanateve ishte nën kërcënim në vendet e tyre të origjinës. Kombinimi i kolonializmit perëndimor dhe infiltrimi ekonomik dhe kulturor në tokat e papushtuara çoi në “një periudhë letargjie artistike dhe në stagnim kulturor”  siç deklaroi historiania jordaneze e artit, Wijdan Ali, në një artikull të vitit 1992 të titulluar “Statusi i artit islamik në shekullin XX”. Shumë shpejt, “estetika perëndimore mposhti traditat artistike autoktone”, shkroi ajo.

    “Ata ishin duke e humbnin fuqinë e vet dhe po bëheshin më perëndimorë. Ishin të dëshpëruar për t’u modernizuar dhe nuk ia kushtonin vëmendjen brezave të tyre të zejtarëve – siç kishin bërë deri në shekullin XIX”, thotë de Guise.

    Shishe e vogël bronzi – me origjinë nga Irani i shekullit IX-X – me linja të pastra dhe me motive gjeometrike

    Por, teksa vlerësimi i arteve islamike po rritej në Perëndim, ai ende ishte i njollosur me interpretimet klishe. Në vitin 1864, një institucion i ri, Unioni Qendror i Arteve të Bukura të Aplikuara në Industri, u krijua nga një grup entuziastësh të përkushtuar ndaj studimit të artit islamik. I riemërtuar më 1882 si Unioni Qendror i Arteve Dekorative, do të luajë rol të rëndësishëm në ekspozitën e parë të artit “mysliman” në Pallatin e Industrisë më 1893. Cilësia e artikujve të ekspozuar ishte e pabesueshme dhe qartësisht kishte synime serioze për ta gjurmuar historinë e artit lindor dhe madje të stimulojë krijimtarinë perëndimore. Megjithatë, skenografia orientaliste dhe përzierja e zhanreve nuk u vlerësua nga koleksionistë gjithnjë e më të informuar dhe më seriozë.https://74edcd6d1eed2b77ca38a19cce0a4b56.safeframe.googlesyndication.com/safeframe/1-0-38/html/container.html

    Kështu ishte deri në vitin 1903, kur u organizua ekspozita e parë – vërtet shkencore – nga kuratori i ri nga Luvri, Gaston Migeon. “Ekspozita e Arteve Myslimane” e tij u prit me entuziazëm të paparë. “Sytë e dikujt me të vërtetë nuk u hapën deri në vitin 1903”, shkroi koleksionisti i artit, Georges Marteau.

    Edhe pse nuk dihet me siguri nëse Louis Cartier-i – vëllai më i madh i Cartier-ëve që do të jetë i rëndësishëm në zgjerimin e reputacionit global të firmës – e vizitoi ekspozitën, një katalog ekziston në arkivat e Cartier-it, kështu që është e qartë se ai ka qenë në dijeni për përmbajtjen e saj. Në atë kohë, argjendaritë ishin të mbërthyera në një rrëmujë të riciklimit të pafund të stileve historike evropiane. Sarah Schleuning, kuratore e arteve dekorative dhe dizajnit në Muzeun e Artit në Dallas, thotë për BBC: “Nëse shikoni Cartier-in, ata vërtetë ishin në atë neoklasiken, në atë që ne tani e quajmë kurorë, stil … që ka një lloj peshe dhe dekorimi”.

    “Dielli i vogël” nga mesi i shekullit XVI (Iran)

    Cartier ishte “i interesuar për ta gjetur një stil të ri, por nuk ishte i interesuar për estetikën moderne të kohës që ishte në tranzicionin Art Nouveau”, thotë Schleuning. Ekspozita e vitit 1903 ia dha atij fjalorin vizual që kërkonte. “E ka parë gjeometrinë, këto motive fine si një rrugë të pabesueshme para, dhe ju nisni t’i shihni ato që nga viti 1903. Nisi të luajë me to, ndonjëherë në një izolim të pastër si në këtë karficë të vogël të pabesueshme, shumë minimaliste, një si brosh i vogël që është vetëm seri trekëndëshash. Por, në rastet tjera, e shihni duke depërtuar me këto lloje stilesh kurorash, kështu që fillonin ta përdornin dhe të luajnë me këtë dhe të mendojnë: si do ta bëjmë tranzicionin”, thotë Schleuning.

    Ekspozita e Parisit e vitit 1903 u pasua nga një ekspozitë po aq novatore në Munih, më 1910, që mblodhi me kujdes objektet sipas teknikës dhe origjinës gjeografike, me qëllimin specifik për ta frymëzuar krijimtarinë bashkëkohore. Kjo ekspozitë mendohet të ketë qenë katalizatori që nxiti Louis Cartier-in të zhvillojë koleksionin e vet. Kishte shije të veçantë për dorëshkrimet, për pikturat dhe për objektet e zbukuruara të shekujve XVI dhe XVII – nga Irani dhe nga India.

    Që nga ai moment, arkitektura islame, dorëshkrimet dhe tekstilet do të bëheshin burim gjithnjë e më i dukshëm frymëzimi për dizajnerët e Cartier-it. Majat e torave të njohura si merlone, modelet e tullave, aureolat në formë bajame, dredhat dhe lakoret … që të gjithat u bënë motive karakteristike të Cartier-it. Nga vitet 1910, materialet dhe ngjyrat e botës iraniane do të kishin ndikim të veçantë – me ngjyrën kaltër të lazulit ose të safirit dhe jeshilen e nefritit ose të smeraldit, që shfaqeshin në modelin e famshëm të palloit. Diku tjetër, e bruzta iraniane u kombinua me lazulin e Afganistanit me njolla të së kaltrës së thellë, për të riprodhuar kombinimet e ngjyrave që gjenden shpesh në tullat e glazuara të qeramikës dhe në pllakat e Azisë Qendrore.

    Jelek i krijuar nga Cartier-i më 1992

    Koralja dhe e zeza ishte një tjetër kombinim i preferuar i ngjyrave që mund të shihet në një nga pjesët e preferuara të Schleuning-ut, një jelek i vitit 1922 i bërë nga korali, oniksi dhe diamanti. “Është një nga ato pjesët që i ka që të gjithat”, thotë ajo. “Shihni duke luajtur me këto kolonada dhe harqe patkoi, por është i detajuar në miniaturë dhe i mbështjellë në një formë të lakuar, kështu që jeni duke e veshur këtë mini-arkitekturë”.

    Cartier-i padyshim që i përdori në mënyrë unike dhe inovative motivet islame, duke krijuar kështu një estetikë mahnitëse moderne që po zhvillohej, por nuk kishte më asnjë fushë artistike që mbeti imune ndaj ndikimit të dizajnit islamik.

    Ashtu si Louis Cartier, Henri Matisse e vizitoi ekspozitën e Munihut të vitit 1910. Më pas bëri pelegrinazh në Spanjën jugore, ku vizitoi Alhambrën – kompleksin e pallateve dhe kështjellave të monarkëve maurë të Granadës, i famshëm për dekorimin delikat. De Guise vëren se pas kësaj vizite, ngjyrat e Matisse-s u bënë më intensive, modeli i tij më dekorues, dhe kur krijoi prerjet e tij pioniere të letrës, “nuk mund të gaboje se ishin si punimet e pllakave që kishte parë në Alhambra”. MC Escher ishte po aq i magjepsur nga Alhambra. Simetria dhe zgjuarsia e saj matematikore do të frymëzojnë veprat e tij befasuese vizive.

    Në artet interpretuese, sensacion shkaktuan kostumet orientale të Leon Bakst-it për Baletin Rus, duke ndikuar te Couturier Paul Poiret që e ktheu pasionin e tij për Orientin në një përvojë virtuale jetese – që përfshinte modën, mobilet dhe tekstilet. Carlo Bugatti, një nga dizajnerët më novatorë të mobileve të fundit të shekullit XIX dhe të fillimit të shekullit XX, në dizajnet e veta do të përdorte gjithashtu efektet e dizajnit islamik, si mukarnat dhe harqet në formë patkoi.

    Çantë tualeti nga Cartier (1924)

    Natyrisht, ndikimet stilistike rriten dhe pakësohen dhe, nga mesi i shekullit XX, dizajni islamik kishte rënë prej favorizimit në Perëndim. Megjithatë, një numër ekspozitash të kohëve të fundit kanë eksploruar ndikimin e artit islamik në Perëndim – përfshirë atë “Islamofilia: Evropa moderne dhe artet islamike”, në Muzeun e Arteve të Bukura në Lion më 2011, si dhe “Frymëzuar nga Lindja: Si u ndikua arti perëndimor nga bota islame”, që është ekspozuar në Muzeun Britanik në vitin 2019 dhe që duhej të udhëtonte në Muzeun e Artit Islamik në Malajzi – përpara se të shfaqej pandemia.

    Me këtë ndërgjegjësim dhe interesim të shtuar, Schleuning pyet veten nëse ekspozita e Cartier-it mund të veprojë si katalizator për një brez të ri artistësh dhe stilistësh. “Po shfaqim objekte që u panë në ekspozitën e vitit 1903 dhe po e tregojmë gjithashtu trajektoren se si ato e frymëzuan një individ. Por, në të njëjtën kohë po e prezantojmë të njëjtin trup të objekteve para një audiencë të re dhe kureshtja për ne është se çfarë do të dalë nga këto objekte kur ato do të shfaqen sërish”, thotë ajo. /Telegrafi/

    Gjeometria islamike që frymëzoi Cartier-in

    Lajmi Paraprak

    Erdogan: NATO nuk është e fortë pa Turqinë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë