Kasami: stadiumi i Tetovës do të ndërtohet për 3 vjet

    Në Tetovë do të ndërtohet stadium modern. Megjithatë, ende nuk është vendosur se do të ndërtohet prej fillimi stadiumi apo do të bëhet rikonstruimi i stadiumit aktual, që është në gjendje të mjerueshme dhe nuk është bërë asnjë investim prej kur është ndërtuar. Kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami gjatë një pres konference me gazetarë ka bërë të ditur se hapja e tenderit për përmirësimin e infrastrukturës sportive është një hap drejt zgjidhjes së problemeve me objektet sportive në Tetovë. Sipas tij, komuna e Tetovës përmes Ndërmarrjes Publike ”Tetova Transport” kanë shpallur tenderin më të rëndësishëm deri më tani për Tetovën e që ka të bëjë me ndërtimin dhe rikonstruksionin e objekteve sportive duke filluar me stadiumin kryesor të qytetit.

     “Lënda e kontratës së prokurimit publik ka një vlerë të parashikuar prej 600.000.000 denarë pa TVSH, ose rreth 10 milionë euro. Ky projekt është shembulli konkret i përkushtimit tonë ndaj zhvillimit të infrastrukturës sportive dhe krijimit të ambienteve të përshtatshme për rekreacionin e qytetarëve tanë. Ky tender do të jetë i hapur deri më 22 dhjetor 2023. Kohëzgjatja e kontratës është paraparë të jetë në një periudhë prej 36 muajsh. Në fazën e parë të këtij projekti monumental, është paraparë hartimi i projekti ideor për rikonstruimin e stadiumit të qytetit. Projekti ideor do të përgatitet duke respektuar standardet e UEFA-s për infrastrukturën e stadiumeve dhe rekomandimet për ndërtimin e objekteve të reja dhe rindërtimin e atyre ekzistuese. Po ashtu, janë marrë parasysh dispozitat e rregullores për 2 infrastrukturën e stadiumeve në Republikën e Maqedonisë së Veriut nga Federata e Futbollit të Maqedonisë”, deklaroi Kasami.

    Kreu i komunës së Tetovës ka bërë se pjesë e tenderit janë edhe objekte tjera sportive në qytetin e Tetovës. “Përveç stadiumit të qytetit, në shpalljen tonë për kontratë janë të përfshira edhe projekte tjera të rëndësishme, duke përfshirë Qendrën Sportive dhe Rekreative të qytetit, si dhe një terren sportiv në fshatin Saraqinë. Ky projekt reflekton përkushtimin tonë për të rritur cilësinë e jetës së qytetarëve tanë duke investuar në sport dhe rekreacion. Andaj për fund dua të dërgoj një mesazh deri tek oponentët politik, të cilët vazhdimisht po bëjnë presion dhe po shpifin për ne si pushtet lokal. Ne pikë për pikë po e realizojmë programin e tonë. Komuna e Tetovës nuk ka asgjë sekret, çdo projekt i yni është transparent dhe mbi tavolinë. Ne e duam një Tetovë të denjë për të gjithë qytetarët që jetojnë këtu. Ne jemi këtu vetëm për të realizuar projekte dhe për të përmbushur premtimet që u kemi dhënë qytetarëve”, tha Kasami.

    Ai nënvizoi se i tërë projekti do të realizohet me mjete të komunës së Tetovës, kurse apeloi deri tek Federata e Futbollit të Maqedonisë dhe Agjencia për Rini dhe Sport që të ndihmojë në realizimin e këtyre projekteve. Ai nënvizoi se stadiumi për nga kapaciteti do të ketë më pak ulëse se aktualisht që ka, por ato që do të vendosen do të jenë moderne. Ky stadium sipas tij është i kategorisë së katërt. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Tentime për të “shlyer” kryeministrin shqiptar!

    Lajmi i rradhës

    Gratë në RMV më shpesh e raportojnë dhunën

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë