KE: demokracia nuk mund të funksionojë pa media të lira dhe të pavarura

    Komisioni Europian përshëndeti marrëveshjen e përkohshme politike të arritur sot në mes të Parlamentit Europian dhe Këshillit të BE-së për direktivën e re për mbrojtjen e gazetarëve dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut nga akuzat e pabaza ose procedurat e njëanshme gjyqësore, raportoi korrespondenti i MIA-së nga Brukseli, shkruan AIM, përcjell Nistori.

    “Demokracia nuk mund të funksionojë pa media të lira dhe të pavarura, ndaj Komisioni Europian mirëpret marrëveshjen politike të arritur mes Parlamentit dhe Këshillit, herët në mëngjesin e sotëm në orën 2:30, për direktivën e re për veprimet strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP), të cilën e propozoi Komisionin Evropian në prill të vitit 2022”, tha në konferencën e sotme për media zëdhënësja e KE-së për punë të brendshme, migrim dhe siguri të brendshme, Anita Hiper.

    Ajo theksoi se kjo direktivë do t’u mundësojë gazetarëve, mbrojtësve të të drejtave të njeriut apo organizatave të shoqërisë civile të mbrohen nga paditë e pabaza dhe krijon një sistem të masave mbrojtëse të fuqishme procedurale për rastet ndërkufitare SLAPP.

    Këto masa mbrojtëse pritet ta bëjnë më të lehtë për gjykatat që të merren me këto çështje gjyqësore, por gjithashtu synojnë të pengojnë paditësit e mundshëm nga praktika të tilla.

    Sipas Zëvendëskryetarit të KE-së për Vlerat dhe Transparencën, Vera Jourova, fenomeni SLAPP po rritet në BE, me pasurinë dhe fuqinë që përdoren për të heshtur gazetarët dhe ata që përpiqen të mbrojnë të drejtat e njeriut.

    “Ligji i ri do të frenojë ata që duan të bëjnë padi të tilla dhe do të mbështesë viktimat e SLAPP dhe do t’i ndihmojë ata t’i luftojnë ato. Ne duam t’i mbrojmë ata që rrezikojnë në mënyrë që qytetarët të informohen për çështjet me interes për shoqëritë tona”, theksoi Jourova në reagimin për marrëveshjen e arritur.

    Komisioneri Europian për Drejtësi Didier Rejnders, nga ana tjetër, vlerësoi se qëllimi i këtyre procedurave gjyqësore është heshtja dhe ngacmimi i personave të përfshirë në debatin publik, qofshin ata gazetarë, mbrojtës të të drejtave të njeriut apo aktivistë të mjedisit.

    “Sot arritëm një hap të madh përpara për mbrojtjen e këtyre individëve që luajnë një rol kyç në diskursin publik. Kjo është e rëndësishme për mbrojtjen e demokracive evropiane, sundimin e ligjit dhe lirinë e fjalës, duke përfshirë median e lire”, shtoi Rejnders.

    Siç njoftoi Presidenca spanjolle e BE-së, direktiva, e dakorduar mes Këshillit Evropian dhe Parlamentit, synon të parandalojë fenomenin në rritje të përdorimit të veprimeve ligjore si një mjet për të heshtur ata që flasin për çështje me interes publik dhe duhet të vendosë garancitë procedurale kundër kërkesave të tilla në padi civile.

    Sipas ministrit spanjoll të drejtësisë, Feliks Bolanjos, me këtë legjislacion të ri, BE-ja do të mbrojë gazetarët dhe aktivistët e të drejtave të njeriut nga gjykimet e pabaza dhe të njëanshme.

    “Demokracitë tona janë në rrezik nëse të pasurit dhe të fuqishmit mund të përdorin gjykatat për të heshtur kritikët e tyre, vetëm sepse ata flasin për çështje me interes publik”, shtoi Bolanjos.

    Siç thekson Këshilli Europian, paditë SLAPP zakonisht iniciohen nga individë të fuqishëm, grupe lobimi, korporata ose organe qeveritare me qëllim që të censurojnë, frikësojnë ose heshtin kritikët, duke i tërhequr ata në procedura të gjata dhe të shtrenjta ligjore derisa të ndalojnë së shprehuri kritikat e tyre. Objektivat tipike të padive të tilla janë gazetarët dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut, por ndaj tyre mund të ekspozohen edhe persona të tjerë të përfshirë në jetën publike, si studiues apo akademikë.

    Rritja e numrit të këtij lloji të padive është shënuar në disa raporte të Komisionit Europian për respektimin e parimeve të sundimit të ligjit në vendet anëtare të BE-së, si dhe në analizat e Këshillit të Europës.

    Sipas dispozitave të direktivës së propozuar, gazetarët dhe aktivistët civilë mund t’i kërkojnë gjykatave që në fazën e hershme rrëzimin e padisë, nëse është e dukshme se ajo është e pabazuar, dhe gjykata duhet të përshpejtojë procedurën pas kërkesave të tilla të të pandehurve.

    Përveç kësaj, gazetarët dhe aktivistët civilë mund të kërkojnë që personi ose institucioni që ka ngritur padinë të përballojë shpenzimet e procedurës, përfshirë përfaqësimin e tyre ligjor. Gjykata gjithashtu merr kompetencën për të vendosur gjoba ose sanksione të tjera ndaj paditësit të gabuar.

    Në rast se ngrihet padi kundër një gazetari ose aktivisti civil me banim në BE në një vend të tretë, anëtarët e Unionit janë të detyruar të mos e njohin vendimin ose të refuzojnë ekzekutimin e tij, nëse vlerësohet se ai është qartazi i pabazuar ose tendencioz.

    Për të mbështetur më tej viktimat e padive të tilla, shtetet anëtare të BE-së do të duhet të ofrojnë një sistem uniform informacioni mbi masat mbrojtëse procedurale dhe mjetet juridike.

    Marrëveshja e arritur sot tani duhet të miratohet nga Këshilli i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të Bashkimit (KOREPER), pas së cilës direktiva do të duhet të miratohet zyrtarisht nga Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Europian.

    Sipas Komisionit Europian, kur të hyjë në fuqi, kjo direktivë do të jetë instrumenti i parë ligjor detyrues evropian kundër SLAPP. Miratimi i tij u nxit nga apelet e shoqërisë civile për veprim të BE-së pas vrasjes së gazetares malteze Dafne Karuana Galicia. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Osmani: duhet ta forcojmë OSBE-në për të ardhmen

    Lajmi i rradhës

    Lëvizja Besa: si është e mundur që biznes lobi i BDI-së e fitoi tenderin për rregullimin e “Boris Trajkovskit” për samitin e OSBE-së!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë