Këmbësorët në Tetovë dhe Gostivar nuk kanë siguri

    Pavarësisht se kanë përparësi gjatë pjesëmarrjes në komunikacion, këmbësorët vazhdojnë të jenë të rrezikuar në rrugët e Pollogut. Këtë e tregojnë edhe statistikat zyrtare të policisë së Tetovës. Vetëm në pesë muajt e parë të këtij viti dy këmbësorë kanë humbur jetën.

    “Sipas statistikave të Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë në pesë muajt e parë të këtij viti gjithsej janë regjistruar 27 aksidente komunikacioni ku kanë qenë të përfshirë këmbësorë. Për pasojë 2 këmbësorë e kanë humbur jetën, 7 kanë marrë lëndime të rënda trupore dhe 18 lëndime më të lehta. Vitin e kaluar në pesë muajt e parë jetën e kishte humbur një këmbësorë”, njofton Gavrillo Gavrilloski, përfaqësues i Sektorit për Punë të Brendëshme në Tetovë.

    Por, edhe pse në këtë periudhë gjithnjë e më shumë rrugëve të Pollogut vërehen motoçiklistë të shumtë, situata me aksidentet është më mirë, pasi që nuk ka aksidente me viktima, në krahasim me vitin e kaluar.

    “Sa i përket aksidenteve të komunikacionit ku pjesëmarrës në këto aksidente kanë qenë motoçiklistët janë regjistruar gjithsej 2 aksidente ku fatmirësisht nuk ka pasur asnjë viktimë dhe vetëm dy motoçiklistë kanë marrë lëndime të lehta trupore. Ndërsa në pesë muajt e parë të vitit të kaluar një motoçiklistë e ka humbur jetën si pasojë e aksidentit, dy të tjerë kanë marrë lëndime të rënda, ndërsa 11 të tjerë kanë marrë lëndime të lehta trupore”, deklaroi Gavrillo Gavrilloski nga SPB Tetovë.

    Nisur nga këta shifra, dhe nga situata në teren sidomos me motoçiklistët e shumtë, policia e Tetovës, ka realizuar një projekt me karakter informativ dhe edukativ për më shumë siguri në komunikacionin rrugor për këmbësorët, motoçiklistët dhe çiklistët. Me këtë rast motoçiklistët dhe çiklistët nga pjesëtarë të policisë të sektorit për preventivë që është edhe bartës i projektit janë njoftuar edhe për ndryshimet që janë bërë së fundmi në ligjin për siguri në trafikun rrugor. Qëllimi i këtij projekti është që të kontribuohet në rritjen e sigurisë në komunikacion.

    “Qëllimi i këtij projekti është që të rrisim sigurinë në komunikacion, në veçanti për këtë kategori të pjesëmarrësve në komunikacion siç janë këmbësorët, motoçiklistët, dhe çiklistët, dhe vozitësit e trotinetave elektrike. Kishim një diskutim interaktiv me pjesëmarrësit në këtë aktivitet , i njoftuam ata për disa rregullore të caktuara ligjore , ndryshime të caktuara të ligjir për siguri në komunikacion të cilat duhet të respektohen me të vetmin qëllim që mbrojmë jetën e tyre dhe jetën tonë. Dikustuam gjithashtu edhe për kundërvajtjet për këtë kategori të pjesëmarrësve në komunikacion të cilat janë në rritje në krahasim me kundërvajtjet e tjera”, thotë Gavrilloski.

    Pjesë e këtij projekti ishin edhe motoçikilistë dhe çiklistë të cilët këto automjete i drejtojnë në këtë rajon. Veton Murati nga Moto Club Tetova deklaroi se këto projekte, aktivitete me karakter edukativ dhe preventiv janë shumë të rëndësishme edhe për motoçiklistët pasi që ata kanë mundësi që drejtpërdrejt nga përfaqësues të institucioneve të rendit dhe sigurisë në trafik të njoftohen për rregullativat ligjore që përfshijnë edhe motoçiklistët.

    Nga policia kanë njoftuar se do të intensifikojnë kontrollet edhe nëpër vendbanime rurale ku më shumë ka motoçiklistë të rinj të cilët nuk respektojnë aspak rregullat e pjesëmarrjes në komunikacion. /Koha.mk/

    Lajmi Paraprak

    “PornHub” paditet për pornografi fëmijësh dhe video dhune seksuale

    Lajmi i rradhës

    Filipçe: Nuk ka nevojë për masa restriktive, gjendja është nën kontroll

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë