Këshilli Gjyqësor “lëpiu atë që pështyu”, Manevas i besoi edhe një mandat si kryetare e Gjykatës në Kumanovë

    Këshilli Gjyqësor “lëpiu atë që pështyu”. Sneazha Manevas i besoi edhe një mandat si kryetare e Gjykatës në Kumanovë. Pavarësisht raporteve të hartuara nga kontrollet e bëra, konstatimet e sjella dhe miratimin e raporteve, këshilli nuk arriti të sanksionojë një ushtruese të detyrës kryetare e Gjykatës Themelore në Kumanovë e cila sipas raportit publik, ka keqpërdorur me sistemin AKMIS, ka pozicionuar gjykatës sipas dëshirës, ka cenuar raportet ndër njerëzore në gjykatë dhe ka fyer e nënçmuar të punësuarit shqiptarë. Me nëntë vota “për” dhe një votë “kundër” Maneva pavarësisht rrethanave se si arriti të jetë kandidatja e vetme për kryetare, këshilli i dha pëlqimin. Çuditërisht, për Manevan votuan edhe dy anëtarët shqiptar Selim Ademi dhe Hanif Zendeli, ky i fundit koordinator i grupit që kishte kryer kontrollin në gjykatë dhe kishte paraqitur dhe mbrojtur raportin para anëtarëve të Këshillit.

    “Votova “për” sepse ishte kandidatja e vetme. Nuk kishte kandidat tjetër që të votoja kundër”, tha Selim Admei, Anëtar i Këshillit Gjyqësor.

    “Edhe unë votova “për”. E di gjendjen në Gjykatën Themelore të Kumanovës sepse isha koordinator. Me radhitjen e re u caktova përsëri koordinator. U thanë shumë gjëra dhe nuk dua të përsëritëm. E përgëzoj dhe i uroj punë të mbarë”, u shpreh Hanif Zendeli, Anëtar i Këshillit Gjyqësor.

    I vetmi që votoi kundër që Snezhana Manev të bëhet kryetare ishte anëtari Milazim Mustafa i cili votën e tij e bazoi në raportin e miratuar nga Këshilli Gjyqësor më 13 mars të këtij viti.

    “Unë votova “kundër” sepse kemi raport negativ për vizitën dhe kontrollin në gjykatën e Kumanovës. Kontrolli është bërë në kohën kur kandidati i tanishëm ishte ushtruese e detyrës, praktikisht kryetare. Kemi indikacione serioze për mos menaxhim të mirë me gjykatën, raportet ndër njerëzore janë në nivelin më të ulët të mundshëm. Këtë e kanë dëshmuar të punësuarit dhe gjykatësit nga kjo gjykatë. Për këtë arsye votova kundër”, theksoi Milazim Mustafa, Anëtar i Këshillit Gjyqësor.

    Për të plotësuar kushtin si kandidate për kryetare, Maneva i është nënshtruar dy herë testimit psikologjik. Më 4 korrik kur Maneva i ishte nënshtruar testimit, Instituti për hulumtime juridike, politike dhe sociologjike kishte konstatuar se Maneva nuk ka arritur të kalon testimin me sukses për shkak ndjesisë së lodhjes, prandaj i është rekomanduar testimit tjetër pas 10 ditëve. Pavarësisht rekomandimit, Maneva i është nënshtruar testimit më 31 gusht, ndërsa më 1 shtator Instituti ka njoftuar dhe rekomanduar që Maneva i plotëson kushtet që të zgjidhet kryetare e Gjykatës Themelore të Kumanovës. Të punësuarit në këtë gjykatë dhe vetë gjykatësit kishin adresuar letra anonime deri tek Këshilli Gjyqësor. përmbajtja e tyre ishte përfshirë në të gjitha raportet nga kontrollet dhe vizitat, ndërsa ajo që binte në sy ishte fyerja që Manev i adreson ndaj shqiptarëve me terme nënçmuese si: “shiptari” dhe “gjedhe”. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Çfarë ndodh me dhjamin kur dobësohemi

    Lajmi i rradhës

    Ali Ahmeti shfrytëzon zyrën e Grubit për aktivitete partiake

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë