Këshillimorja për viktimat e dhunës në Tetovë ka ndërprerë shërbimet, nuk ka mbështetje financiare

    “Qendra për Mbështetjen e Grave” në Tetovë e cila ofronte shërbime falas për gratë dhe fëmijët viktima të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, që nga marsi i këtij viti ka ndaluar së dhëni shërbime për shkak të mungesës së mbështetjes financiare. Ndonëse vështirësitë financiare kanë qenë prezente që nga janari, ekipi profesional i kësaj qendre këshilluese ka punuar vullnetarisht deri në mars. Për të funksionuar qendrës i duhen përafërsisht 1.686.000 denarë në vit, andaj drejtuesit synojnë sensibilizimin e bizneseve të rajonit për të grumbulluar shumën e nevojshme, shkruan Mollëkuqja, përcjell Nistori.

    “Arsyet e ndërprerjes së këtij shërbimi janë mungesa e mbështetjes finanicare. Qendra e Gruas-Tetovë ishte e mbështetur nga Fondacioni Demokratik Ballkanik dhe Ambasada e Norvegjisë, përmes zbatimit të Rrjetit Nacional Kundër Dhunës dhe Dhunës në Familje”, njofton psikologia Nebahate Ziberi Imeri.

    Deri në mars të këtij viti në këtë qendër kanë gjetur ndihmë 60 gra viktima të dhunës dhe 20 fëmijë. Gjithsesi, dhuna ndaj grave vazhdon të jetë shumë prezente në rajon dhe nevoja për ndihmë vazhdon të jetë e madhe. Nga Sektori për Punë të Brendshme – Tetovë njoftojnë se gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, sipas statistikave në SPB-Tetovë, janë regjistruar gjithsej 48 vepra penale në lidhje me “Dhunën në familje ndaj grave”, prej të cilave 27 vepra kanë të bëjnë me lëndime fizike, ndërsa në 21 raste ishte e kërcënuar siguria e viktimave. Sipas SPB Tetovë në shumicën e veprave shkak ka qenë çrregullimi nervor dhe alkooli, ndërsa në 27 nga numri i përgjithshëm i krimeve është përdorur forca fizike.

    Rajoni i Pollogut deri në dhjetor të vitit të kaluar ka qenë i vetmi rajon nga tetë rajonet planore të RMV-së në të cilin nuk ka pasur strehimore për gratë të cilat kanë qenë viktima të dhunës në familje. Në dhjetor të vitit 2022 strehimorja është hapur në Gostivar dhe funksionon si njësi organizative e Qendrës Ndërkomunale për Punë Sociale në Gostivar. Nga ana tjetër, në Tetovë ka vetëm dy këshillimore, një prej të cilave edhe “Qendra për mbështetjen e grave”, e cila ka ofruar ndihmë sociale dhe mbështetje psikologjike, këshillim juridik, këshillim për karrierë dhe mentorim për punësim. 

    Nebahate Ziberi Imeri
    “Qendra për Mbështetjen e Grave” ka pranuar donacione nga biznese të ndryshme, individë por edhe institucione shtetërore. Bizneset e rajonit të Tetovës kanë kontribuar në ushqim, veshmbathje, strehim (mbulim të qirasë për gratë viktima), si dhe në dhënien e shërbimeve falas si shërbime noteri, gjinekologë, mjekë, stomatologë. Nga ana tjetër, edhe Klinika Juridike pranë UEJL-ka donuar mundësi për strehim të grave viktima duke e mbuluar qiranë për rreth 6 muaj.

    “Qendra për Mbështetjen e Grave” do të organizojë një ngjarje në Tetovë për të mbledhur dhe sensibilizuar bizneset lokale dhe jo vetëm, për rëndësinë e kontributit të tyre për funksionimin e kësaj qendre.

    Ndryshe, sipas nenit tre të Konventës të Këshillit të Evropës për Parandalim dhe Luftë Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, e njohur edhe si Konventa e Stambollit të cilën Maqedonia e Veriut e nënshkroi më 8 korrik 2011, ndërsa hyri në fuqi më 1 korrik të vitit 2018, “Dhuna ndaj grave kuptohet si shkelje e të drejtave të njeriut dhe një formë diskriminimi ndaj grave, si dhe i referohet të gjitha akteve të dhunës me bazë gjinore që shkaktojnë ose ka të ngjarë të çojnë në lëndime ose vuajtje fizike, seksuale, psikologjike ose ekonomike, duke përfshirë kërcënime për akte të tilla.”

    Lajmi Paraprak

    Ndizet debati: Çfarë përfitojnë vërtet migrantët në Gjermani

    Lajmi i rradhës

    Lëvizja Besa: Kovaçevski dhe Ahmeti të tregojnë nëse po e mbështesin ende Vuçiqin dhe “Ballkanin e Hapur”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë