Inflacioni në botë do të vështirësojë qasjen në financa, prandaj sa më shpejt duhet të bëhet rishikimi i buxhetit, tha në emisionin “Magazina Ekonomike” në Alsat, Gordana Dimitrieska-Koçoska nga VMRO-DPMNE-ja opozitare.
“Ky inflacion që nuk është vetëm në Maqedoni, por kudo në botë, kështu që qasja në para do të jetë shumë e vështirë, sepse është e sigurt që bankat e tjera qendrore në botë do të zbatojnë politika restriktive dhe do të jetë shumë shtrenjtë. Prandaj prioritet është rishikimi i buxhetit”, tha Koçoska.
Ajo i bëri thirrje qeverisë që t’i vërë në qarkullim rezervat e mallrave, për ta zbutur edhe më shumë goditjen nga çmimet, për qytetarët. Siç tha ajo, çmimi i vajit pritet të arrijë në 140 denarë për litër.
“Nëse më 5 nëntor e dinim se do të kishte një konflikt ushtarak, të paktën kështu tha Presidenti, pse nuk po bëhet asgjë në lidhje me rezervat e mallrave. Pse nuk vihen në qarkullim rezervat e mallrave? Pse të mos ndihmojmë qytetarët për të zbutur këtë goditje çmimesh. Informacioni i fundit që kam nga sot është se vaji për gatim do të arrijë çmimin prej 140 denarëve”, tha Koçoska.