Kodi Zgjedhor do të vonohet si pasojë e ndryshimeve ligjore

    Propozim ndryshimet ligjore që kanë të bëjnë me implementimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR në Kodin zgjedhor do të vonohen të paktën edhe për dy javë të tjera. Këtë e bëri të ditur ministri i Drejtësisë Bojan Mariçiq i cili më herët kishte paralajmëruar që ndryshimet do të ishin dorëzuar në Kuvend që javën e kaluar.


    “Kemi zgjidhje të pjesshme, mendoj se së shpejti mund ta shohim atë ligj në Kuvend. Unë pres që gjatë dy javëve të ardhshme të jetë në Kuvend, për t’u diskutuar dhe për t’u votuar. Do të qëndrojmë në praktikën e mirë që Kodi Zgjedhor të ndryshohet me konsensus.”

    Koha nuk është në favor të institucioneve dhe partive politike, meqë një nga rekomandimet e OSBE/ODIHR-së është që ndryshimet ligjore që kanë të bëjnë me zgjedhjet duhet të bëhen të paktën gjashtë muaj para zgjedhjeve. Nënkryetarja e KSHZ, Ditmire Shehu, tha se do të ishin edhe më të kënaqur nëse ndryshimet do të silleshin më herët.

    “KSHZ është e kënaqur me ndryshimet dhe do të ishte edhe me e kënaqur nëse ndryshimet do të ishin bërë në kohë, thuhet dy jave, tre javë por nuk e dimë se kur do të ndodhin ato ndryshime. Dhe do të jemi të kënaqur nëse qëndrojnë ndryshimet për të cilat dakordohen në grupin e punës. Sepse, në fund, në grupin e punës gjithmonë diskutohet për diçka tjetër dhe në KSHZ në fund mbërrijnë zgjidhje krejtësisht të tjera.”- pohoi Ditmire Shehu- nënkryetare e KSHZ-SË.

    Deputeti nga opozita shqiptare, Halil Snopçe, tha se bisedohet për ndryshime të reja ndërkohë që vendi akoma nuk ka tejkaluar problemet e vjetra me procesin zgjedhor, si ai me pastrimin e listës zgjedhore.

    “Edhe pse thuhet se Lista Zgjedhore është pastruar, edhe këtu ne kemi një numër të madh problemesh. Në Maqedoni, sipas të dhënave zyrtare të Entit të Statistikave, ka komuna ku numri i votuesve është më i lartë se numri i banorëve. Komuna të tilla janë, Debërcë, Novo Sellë, Mavrovë, Ohër, Pllasnicë, Resnjë…”

    Deputeti i BDI-së, Arbër Ademi tha se angazhohen që rekomandimet e OSBE-ODIHR të zbatohen plotësisht duke filluar nga zgjedhjet lokale.

    “Këto ndryshime do të ishin edhe si testim i modelit tonë zgjedhore, në aspektin se a do të ishte ajo zgjidhje e suksesshme dhe a ja vlen të zbatohet edhe në zgjedhjet parlamentare. Por sigurisht se jemi kundër kushtëzimit të cilësdo zgjidhje.”

    Ndërkohë mes partive politike nuk ka asnjë marrëveshje për listat e hapura në zgjedhjet lokale dhe për një rreth zgjedhor për zgjedhjen e kryetarëve të komunave, edhe pse të dyja çështjet kanë qenë në tavolinën e diskutimeve. Deri tani  në këto negociata nuk është hapur aspak tema e ndryshimi të modelit të zgjedhjeve parlamentare./Alsat/

    Lajmi Paraprak

    ASH: Qeveria diskriminon zonat shqiptare

    Lajmi i rradhës

    Rrëmujë nëpër sportele si pasojë e ndryshimit të sistemit për dokumentat personale

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë