Kodra e Diellit pret investitorin – shumë premtime për asgjë

    Vetëm investimet më të mëdha do të kthejnë Kodrën e Diellit në një atraksion të vërtetë turistik që do të tërheqë më shumë turistë të huaj dhe vendor. Andaj, një pikë kthese në zhvillimin e turizmit dimëror në vend pritet të jetë investimi i madh italian që do të ofrojë përmbajtje të reja me rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e infrastrukturës për të qenë konkurrues me shtetet e tjera të rajonit.

    Kodra e Diellit me investimin e Tehno Alpin prej 180 milionë euro pritet të kthehet në një atraksion për vizitorët. Njëherësh pritet të zgjidhet edhe problem i vjetër i vendosjes në funksion të teleferikut ekzistues Tetovë-Kodër e Diellit që është jashtë funksioni me dekada apo ndërtimi eventual të një teleferiku të ri. Realizimi i investimit në terren pret zgjidhjen e financimit të teleferikut nga shteti apo investuesi dhe jetësimin në praktikë të ligjit të ri për investime strategjike si dhe planin e detajuar urbanistik. Me tejkalimin e këtyre pengesave, pritet që më fund perla e turizmit dimëror në Maqedoni me potencialin më të madh për të tërhequr turistë të shndërrojë potencialin e madh ekzistues edhe në burim fitimprurës për investitorin por edhe për banorët e kësaj ane.

    Nga Kompania Tehno Alpin thonë se krijimi i borës artificiale është jetik për të zgjatur sezonin dimëror më shumë se 90 ditë që do të justifikojë, kthejë investimet dhe do të sjellë fitime. “Vetëm investimi dhjetëra e qindra miliona eurosh do të jetë i garantuar se do të shpaguhet nëse ne kemi së paku 100 ditë skijimi. Nëse nuk kalojmë këtë kuotë, do jetë i panevojshëm ky investim. Skiatorët modern duan të vijnë kur ata kanë kohë 3-6 ditë e më tepër dhe jo veç kur bie borë . Kështu që qendra e skijimit do të jetë e gatshme për dimërim minimumi 100 ditë të vitit”, vlerëson menaxheri Erich Gummere, i kompanisë “Techno Alpin”.

    Investitori TechnoAlpin, është një lider botëror për prodhimin dhe instalimin e sistemeve të borës artificiale për vend skijime dhe si ekspert i mirënjohur në planifikimin dhe projektimin e terreneve dhe zonave të skijimit në qendra të ndryshme botërore. Në fazën e parë të investimit, që do të implementohet në periudhën 2023-2028 me një shumë investimi prej 55 milionë euro do të realizohen investim në vendosjen e dy teleferikëve të rinj me 6 dhe 8 ulëse, dy shtigje të reja skijimi, instalim i sistemeve për borë artificial, park aventurash kënd lojërash, hapësirë për rekreim dhe relaksim, parking i ri i asfaltuar me hapësirë për parkim të 600 veturave, ndërtimi I rrugëve të reja qasëse. Përskaj ndërtimit të dy hoteleve të reja, të kategorisë me katër yje, do të ndërtohen edhe dy hotele të reja në fazën e mëvonshme, ndërsa projekti parashikon edhe përdorimin e hoteleve ekzistuese së bashku me shtëpitë e vikendit që duhet të jenë në afërsi të ski qendrës.

    Nga Agjencia e Turizmit thonë se Kodra e Diellit duhet të jetë shembull se si duhet të zhvillohen edhe ski qendrat e tjera në Maqedoni me përmbajtje shtesë për vazhdimin e sezonit. Nga atje shtojnë se me investime më të mëdha dhe me një strategji të re të zhvillimit në 6-7 vitet e ardhshme mund të pritet që Maqedonia të realizojë një milion bujtje më shumë që do të sjellin edhe më shumë prurje devizore në ekonominë e vendit, hapje të vendeve të reja të punës dhe fuqizim të ekonomisë lokale.

    Në dekadën e kaluar pati më shumë premtime për ringjalljen e Kodrës së Diellit, mirëpo deri tani të gjitha mbetën vetëm në letër. Në vitin 2012, kryeministri i atëhershëm Nikolla Gruevski paralajmëroi investime në Kodrën e Diellit në vlerë prej 30 milionë euro. Ai bëri të ditur se projekti do të realizohet në disa faza dhe se do të shpallet oferta për gjetjen e investitorit ndërkombëtar. Nj vit më vonë, investime për këtë pikë turistike dimërore, kishte paralajmëruar edhe ish-presidenti, Gjorge Ivanov, i cili tha se një investitor nga Katari është i gatshëm të investojë në këtë qendër turistike.

    Para tre vitesh, ish kryeministri Zoran Zaev, gjatë vizitës në Tetovë theksoi se për qendrën e skijimit në malin Sharr, janë në lojë investitorë potencialë nga Katari, Zvicra, Italia, Gjermania dhe Austria. Ai me këtë rast ka thënë se në negociatat së bashku me Kodrën e Diellit do të ofrohet edhe qendrën e skijimit Brezovica nga Kosova. Projekti ishte parashikuar të realizohet sipas ligjit për koncesionet për partneritet publik-privat apo investime strategjike, në varësi të fazës përfundimtare të kontratës me një investim prej 50 plus 50 milionë euro. Thelbi ishte dhënia e koncesioneve për 99 vjet për një nga investitorët më të mëdhenj në vendpushimet e skive në Evropë, emri i të cilit mbetej sekret. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Gashi në Tetovë: Nëse lejojmë që të na ikin njerëzit jashtë, nuk kemi bërë asgjë

    Lajmi i rradhës

    PASAPORTA BULLGARE | Bullgaria ua vështirëson shtetësinë maqedonasve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë