Komuna e Butelit pa inspektorë ndërtimi – Uzurpimet ende ia “zënë rrugën” magjistrales “Hasan Prishtina”

    Qytetarët që udhëtojnë nga ose drejt Kosovës, vazhdojnë të qarkullojnë në rrugën e vjetër të magjistrales “Hasan Prishtina” pasi e njëjta ende nuk ka filluar të rehabilitohet e as të zgjerohet. Vitin e kaluar, pas një aksioni të Inspektoratit për Urbanizëm, u konstatua një numër i madh uzurpimesh dhe objekteve pa leje, e të cilat duhej të largoheshin. Meqenëse kjo magjistrale shtrihet në komunën e Butelit, këtë punë duhej ta bënte inspektorati i Butelit. Atëkohë, komuna u dha një afat të shkurtër uzurpuesve që t’i lirojnë hapësirat por këtë e bëri vetëm një prej tyre. Të tjerëve, duhet t’ua largojë inspektorati komunal, me shpenzimin e vetë pronarëve. Por që nga atëherë, kanë kaluar saktësisht një vit, e gjendja mbetet akoma e njëjtë. Pyetëm kryetarin e komunës së Butelit, Darko Kostovski, pse nuk është ndërmarrë asnjë veprim në këtë drejtim.

    “Inspektorati komunal bashkë me Inspektoratin për Ndërtim filloi procedurë për largimin e hapësirave të uzurpuara në zonën e Magjistrales së Adriatikut. Për momentin, komuna e Butelit nuk disponon me inspektor komunal për ndërtim për shkak se është larguar nga detyra. Për një periudhë të shkurtër do të fillojë me punë një tjetër inspektor ndërtimi, përmes bashkëpunimit ndërkomunal me qëllim që lëndët e filluara të kenë përfundim”, tha Darko Kostovski, kryetar i Butelit.

    Përpos tokave shtetërore të cilat janë uzurpuar, në projektin e zgjerimit përfshihen edhe toka private, të cilat janë me dokumente të rregullta, por edhe ato duhet të largohen meqenëse bëhet fjalë për projekt të një rëndësie të veçantë dhe kompensimin duhet ta bëjë shteti.

    “Në qoftë se janë prona private atëherë duhet të kompensohen. Ato shkojnë përmes gjyqit. Kjo nuk do të thotë se nuk munden t’i largojnë, duhet t’i largojnë sa më shpejtë”, pati deklaruar Fatmir Arifi në korrik të vitit të kaluar!

    Rregullimin e kësaj magjistraleje mezi e presin edhe bizneset që gravitojnë në këtë zonë industriale të Vizbegut, meqenëse qarkullimi i tyre vjetor kalon mbi 800 milionë euro. Në gusht të vitit të kaluar, pas një takimi mes ministrit të atëhershëm të ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe kryetarit të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Mendi Qyrra, u premtua ligj të ri për zonat industriale, me qëllim përmirësimin e infrastrukturës rrugore.

    Magjistralja “Hasan Prishtina” së fundmi ishte temë diskutimi mes Qeverisë dhe Qytetit të Shkupit, por edhe opozitës shqiptare Fronti Europian. Këta të fundit fillimisht njoftuan se buxheti i ndarë prej 8 milionë eurove për këtë magjistrale, do të ridestinohen për ndërmarjet publike të Qytetit të Shkupit. Këtë e konfirmuan edhe nga Qyteti i Shkupit, por e hodhën poshtë përfaqësuesit qeveritarë, duke siguruar se rruga do të bëhet. Përpos kësaj, në pranverë të këtij viti, bizneset në këtë magjistrale u përballën edhe me një tentim për ndërtim të një baze për asfalt, të cilën e cilësojnë si të rrezikshme për shëndetin. /TV21/

    Lajmi Paraprak

    OKB kritikon Kinën për politikat “problematike” kundër ujgurëve

    Lajmi i rradhës

    Gashi përballë një interpelance për incidentin në Aeroportin e Shkupit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë