Komuna e Prishtinës mes ligjit dhe projekteve pa koordinim

    Punimet e Komunës së Prishtinës në rrugët “Agim Ramadani” dhe “Qamil Hoxha” janë ndërprerë për shkak të mungesës së lejeve dhe zbulimeve arkeologjike. Kjo është vetëm një nga seritë e projekteve të bllokuara, të cilat kanë shoqëruar mandatin e Përparim Ramës. Opozita e akuzon ekzekutivin komunal për shkelje ligjore dhe propagandë, ndërsa Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale fajëson si komunën, ashtu edhe institucionet qendrore për mungesë koordinimi dhe transparence

    Shirita të tjerë e një njoftim se punimet i ndalohen me ligj janë vendosur edhe në dy projektet tjera të Përparim Ramës, në rrugën “Agim Ramadani” dhe “Qamil Hoxha”.

    Në rastin e parë u gjetën struktura arkeologjike afër një monumenti të mbrojtur me ligj dhe në të dyja rastet, komuna s’pati leje.

    Çështja e lejes për punime e ka përcjell komunën që nga viti i kaluar me projektin e ishullit të Arbërisë e deri tek zgjerimi i sheshit “Xhorxh Bush”.

    Për këto të fundit që iu lanë në gjysmë, për dallim nga projektet e tjera, Komuna s’pati asnjë reagim ndonëse e premtoi.

    Për opozitën në kryeqytet, kjo nënkupton një dëshmi në vete mbi mandatin e Ramës.

    ”Përsëritja e veprimeve të jashtëligjshme nga ana e ekzektuvit të Prishtinës, dëshmon për qasjen e tyre arrogante dhe përjashtuese ndaj ligjeve dhe procedurave të aplikueshme në vendin tonë.  Viktimizimi dhe propaganda për bllokadë, janë karta e vetme e mbetur e kësaj qeverisje të dështuar në Prishtinë. Megjithatë, tashmë, qytetarët e kanë të qartë këtë mendësi të Përparim Ramës dhe LDK-së, andaj edhe përgjigjja qytetare për ta do të vijë shpejt, në zgjedhjet e ardhshme lokale në vjeshtë” – Gëzim Sveçla, drejtues i asamblistëve të LVV-së.

    Megjithatë, nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale vlerësohet se asnjëra nga palët s’është e pastër në këtë drejtim.

    ”Para së gjithash, përpos komunikimit të rregullt në fazën e planifikimit edhe në fazën e implementimit, të gjitha institucionet duhet ta kenë hartën qoftë të objekteve të trashëgimisë kulturore por edhe të objekteve që janë të natyra të tjera e që nuk lejohet ndërtimi. Kjo mungon nga ana e MKRS por mungon edhe përkushtimi dhe vullneti i Komunës që në fillimin e planifikimeve të projekteve, nuk konsultohet me të gjitha palët”, ka thënë Sadri Rrmoku nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale.

    E pasojat, përpos komunës, kanë për të rënduar edhe qytetarët.

    ”Fillimi dhe shtyrja e punimeve mundet të ketë probleme të tjera. Në formën siç është aktualisht, zonat e ndërtimit s’janë funksionale dhe e pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe operimin e bizneseve. E dyta që po u ndodh shumë shpesh komunave për këtë është edhe çështja me operatorë, punimet vonohen dhe komuna do të ketë detyrime kontraktuale” – ka thënë Sadri Rrmoku, nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale.

    Lidhur me ndalimin e punimeve të fundit, nuk është deklaruar as Instituti për Trashëgimi Kulturore dhe as ai Arkeologjik. /Dukagjini/

    Lajmi Paraprak

    Kallas: RMV duhet të vazhdojë rrugën drejt BE-së

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë