Komuna e Tetovës i jep “lëmoshë” NPK-së 25 milionë denarë | Ndërmarrja funksionon disa vite me humbje

    Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” – Tetovë ka disa vite që funksionon me një borxh prej mbi 10 milionë eurove dhe për rrjedhojë rreth 200 punonjës të kësaj ndërmarrje nuk janë paguar që nga gushti i këtij viti, gjegjësisht tre rroga të papaguara. Për këtë shkak, Këshilli i komunës së Tetovës sot mbajti seancë të jashtëzakonshme dhe solli vendim për ta ndihmuar ndërmarrjen me 25 milionë denarë (mbi 400 mijë euro), me çka do t’u kthehen pagat dhe honoraret punonjësve, shkruan Nistori.

    Përfaqësuesi i Ndërmarrjes, Lulzim Shaqiri, para këshilltarëve tha se kjo iniciativë e tyre është për shkak të paaftësisë paguese dhe nevojës së funksionimit normal. Ai vuri në dukje shumat milionëshe të akumuluar të qytetarëve për faturat e papaguara, prandaj ka ardhur kjo situatë.

    “Nuk kemi pagesë të rregullt të pagave për personat që janë të angazhuar me kontratë pune nga muaji i tetë e në vazhdim dhe për disa nga punonjësit që janë me zgjidhje. Këta janë personat që janë të angazhuar me kontratë pune, nga të cilët 80 për qind janë operativë të NPK-së, disa në sektorin e Higjienës Komunale, disa në sektorin e Ujësjellësit, Kanalizimeve, Parqe dhe Gjelbërim, Tregut dhe Administratës. Kur qytetarët do t’i paguanin rregullisht faturat, nuk do të kishte probleme dhe nuk do të kishim implikime negative,” tha Shaqiri.

    Kryetari i Këshillit, Besar Durmishi, sqaroi se 25 milionë denarë do të shkojnë nga llogaria e Komunës së Tetovës, varësisht se sa do të mund të ndahen mjete në mënyrë periodike nga sektori i financave.

    “Borxhet e NPK-së janë të vjetra dhe mbi 10-vite dhe së fundmi janë rritur në mënyrë drastike për shkak të rritjes së çmimit të derivateve, energjisë elektrike dhe për shkak të arkëtimit shumë të ulët të pagesave nga qytetarët. Për shlyerjen e borxheve ndaj punëtorëve të përkohshëm nevojiten rreth 34 milionë denarë. Ne do të bëjmë një analizë dhe do ta dorëzojmë në departamentin e financave dhe sipas asaj se sa fonde do të ketë Bashkia do të shlyejmë borxhin ndaj tyre. Mendojmë se deri në fund të vitit do t’i shlyejmë këto obligime”, thotë kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Besar Durmishi.

    Borxhi i NPK-së rritet vit pas viti, më së shumti për shkak se kompania nuk ka arritur të gjejë një formulë afatgjate për të mbledhur plotësisht faturat e ujit, mbeturinave dhe shërbimeve të tjera që ofron.

    Partitë opozitare në Këshill nga radhët e BDI-së, LSDM-së, Alternativës dhe PDSH-së e braktisën seancën me arsyetimin se procedura nuk ishte transparente. Ata kërkuan t’i shihnin listat e të punësuarve me kontratë në veprim. Për vendimin votuan shumica e Lëvizjes Besa dhe VMRO DPMNE-së.

    Këshilltari Liridon Disha nga radhët e BDI-së, kërkoi raport të detajuar financiar të NPK-së dhe kërkoi listën e të punësuarve të cilën ata e kanë bërë prej kur kanë ardhur në Komunën e Tetovës dhe listën e të punësuarve me kontrata në vepër edhe në vitet e kaluara, ku sipas Dishës, premtim të cilin nuk e mbajti kryesuesi i Këshillit, Besar Durmishi. Ai tha nuk mund ta lejojnë një gjë të tillë për kaq sa kujt t’i kujtohet dikuj dhe sa herë t’i kujtohet të kërkojë para nga buxheti i Komunës dhe t’i harxhojë vetë.

    “Ne kërkuam që të jepet një raport i detajuar për fondet të cilat i kërkon NPK-ja nga arka e komunës për gjoja pagat e punëtorëve. Ne nuk jemi kundër kësaj, mirëpo kërkojmë raport të detajuar financiar të NPK-së dhe kërkojmë edhe listën e të punësuarve të cilën ata e kanë bërë, prej kur kanë ardhur në Komunën e Tetovës dhe listën e të punësuarve me kontrata në vepër edhe gjatë viteve të kaluara. Për ne si front opozitar është e rëndësishme që të gjithë të punësuarit në NPK të paguhen njësoj dhe jo të mblidhen fonde vetëm për punëtorët me kontratë në vepër. E dënojmë këtë akt dhe për këtë arsye e lëshuam mbledhjen, sepse pas shumë tentativave tona për të siguruar dokumentacionin e nevojshëm për të informuar qytetarët se çfarë kërkohet më shumë. Kërkuan listën e detajuar të punëtorëve me kontratë në vepër. E këshuam seancën për shkak se buxheti i komunës shfrytëzohet për nevoja të individëve të caktuar”.

    Ai shtoi se lëshimi i seancës është për shkak të dyshimeve se ka indikacione se nuk bëhet fjalë për pagat e punëtorëve, por për larje parash.

    Sipas këshilltarit Gligorije Stojanovski nga LSDM tha se si opozitë kanë dhënë disa propozime të cilat mendojnë se do të pranohen nga shumica e këshillit. Aty nuk bëhet fjalë për paga të punëtore, por për të kënaqur apetitet e disa ushtarëve partiak. Sipas Stojanovskit, kërkojnë transparencë.

    “Nuk duam të jemi pjesë e këtij skenari që po ndodh në Këshillin e Komunës, prandaj edhe e lëshuam seancën. Se si do të vazhdojmë më tutje, do të koordinohem si opozitë. Shpresojmë se edhe ata do t’i dëgjojnë kërkesat tona, derisa t’iu vijnë mend dhe të punojnë për interesat e qytetarëve dhe jo për interesa personale”, tha Stojanovski.

    Ndryshe në kuadër të NPK “Tetova” planifikohet rithemelimi i dy ndërmarrjeve, atë të Higjienës komunale dhe Ujësjellësit dhe kanalizimeve.

    Lulzim Shaqiri, i pyetur nga Nistori, se kujt do t’i disperzohet borxhi, ai tha se Ndërmarrja është në komunikim me këshilltarët ekonomik dhe më pas do të vendoset se si do të vijojë elementi financiar, sa i përket borxhit. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    SKANDALI NË KLINIKËN E FËMIJËVE | Sali: Sofijanova ia ka kthyer sërish klinikës mjetet e paguara financiare

    Lajmi i rradhës

    Ligji për shpifje dhe fyerje votohet nga shumica parlamentare dhe opozita

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë