KONFLIKTI IZRAEL-PALESTINË: Kriza që polarizon shoqërinë në RMV

    Konflikti i shkaktuar mes palestinezeve dhe Izraelit, ka shkaktuar ndarje të theksuar në shoqëri. Por kjo ndarje ka prekur edhe institucionet dhe udhëheqësit e tyre. Ditëve të fundit një rast i ngjashëm ka ndodhur në MPB. Bëhet fjalë për një shef të Departamentit të Sigurisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Adnan Sinani, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale i ka dhënë mbështetje publike sulmeve të organizatës palestineze Hamas kundër Izraelit.

    Këtë ka bërë të ditur ish-ministri e Punëve të Brendshme nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Naqe Çulev. Ministria e Punëve të Brendshme shpalli procedim disiplinor ndaj drejtorit Adnan Sinani dhe njoftoi se qëndrimi i MPB-së është gjykim për sulmet e Hamasit ndaj Izraelit.

    Në llogarinë në Facebook me emrin Adi Adi, për të cilin Çulev pretendon se është i Sinanit, mund të gjenden disa postime që mbështesin sulmet e Hamasit ndaj Izraelit dhe nga i njëjti llogari Sinani gjithashtu debaton me Çulevin.

    Ministria e Punëve të Brendshme ka konfirmuar sot se dënon komente të tilla dhe ka paralajmëruar procedim disiplinor ndaj punonjësit të policisë. Çulev postoi foto në llogarinë e tij zyrtare në Facebook të Adi Adi, për të cilin ai pretendon se është profili i Adnan Sinanit, në të cilat ai shpalli mbështetje për palestinezët, duke i krahasuar ata me popullin ukrainas që mbrohet nga pushtimi rus.

    “Në kohën kur bota dhe Maqedonia qëndron dhe i jep mbështetje të qartë Izraelit dhe dënon sulmet terroriste të Hamasit, një zyrtar i lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme i jep mbështetje publike sulmeve të Hamasit ndaj Izraelit”, thuhet në postimin e Çulevit.

    Ministria e Punëve të Brendshme thotë se Departamenti i Kontrollit të Brendshëm dhe Standardeve Profesionale po vepron për rastin e policit A.S. dhe postimet e tij në rrjetin social Facebook në lidhje me sulmet e Hamasit ndaj Izraelit dhe ndaj tij do të nisin procedura disiplinore, përkatësisht do të pasojnë sanksionet përkatëse.

    “Qëndrimi i MPB-së dhe i Qeverisë është i qartë dhe preciz. Ne dënojmë fuqishëm sulmet e grupit të Hamasit ndaj Izraelit dhe qëndrojmë në solidaritet me popullin izraelit. Ne apelojmë për zgjidhje përmes dialogut. Bota ka nevojë për paqe”, thuhet në njoftimin e MPB-së. Çulevi pretendon se Sinani me komentet e tij në rrjetet sociale po bën krim, pasi në postimet e tij, siç thotë ai, ka elemente të qarta të gjuhës së urrejtjes.

    Nga ana tjetër, sa i përket këtyre ndarjeve të theksuara në shoqëri, njohësit thonë se ndarjet e polarizimet në shoqërinë tonë janë të theksuara shpeshherë.

    Profesori universitar Murat Aliu, për gazetën KOHA, ka deklaruar se polarizimi që ekziston brenda shoqërisë sonë kundrejt çështjes palestineze apo luftës që zhvillohet këto ditë ndërmjet formacionit ushtarak Hamas dhe shtetit Izraelit, kryesisht ka të bëj me një ndarje  mbi baza fetare dhe ideologjike.  

    “Mbështetësit e Palestinës janë kryesisht njerëz me identitet fetarë mysliman, ndërkaq mbështetësit e İzraelit janë njerëz disi indiferent ndaj çështjes palestineze dhe nuk u intereson edhe aq shume kjo çështje. Për më tepër bëhet fjalë për njerëz, kushtimisht t’i quajmë shekullarist dhe properëndimorë. Por ajo që është e përbashkët e të dy kampeve është fakti pak njerëz nga të dy palët janë të njoftuar thellësisht me problemin esencial që ekziston ndërmjet dy popujve dhe në këtë kuptim mbështetja për të dyja palët nuk mendoj që është parimore, por më shumë është e motivuar nga ideologjitë të ndryshme politike apo fetare. Kujtoj që njerëzit që solidarizohen me shtetin Izraelit, i cili në raport me palestinezët, pa asnjë dyshim është shtet kolonizator, bëjnë një gabim që çështjen palestineze e reduktojnë vetëm në sulmin e Hamasit që e kreu ndaj civilëve Izraelit ditën e shtunë. Problemi palestinez është shumë më i thellë dhe më i komplikuar dhe kurrë e marrim të analizojmë në tërësi kauza palestineze padyshim është një kauzë e drejtë, por që me sulmin e së shtynës, rrezikon të humb legjitimitetin moral”, thotë Aliu.

    Ai shtoi se duke përdorur mjete të gabuara, siç bëri Hamas, rrezikon të dëmtohet edhe kauza dhe kështu të humb të drejtën morale. Sipas tij, sulmet dhe dhuna ndaj civilëve të Hamasit është e pamundur të arsyetohet dhe në këtë rrafsh kjo lëvizjeje politike apo formacion ushtarak i merriton të gjitha epitetet e mundëshme negative.

    “Pra, është e pamundur të arsyetohet një sulm që ka për synim civil dhe njerëz të pafajshëm.  Ndërkaq, shteti Izraelit, përveç që prej vitit 1948 në mënyrë sistematike bën një spastrim etnik në Palestinë, edhe gjatë kësaj përleshjeje me grupet militare të Hamasit bën një gabim shumë të madh kur ai veten e barazon me një organizatë. Nëse Hamas ka kryer sulme terroriste ndaj civilëve, është gabim që edhe një shtet të bëj të njëjtën ndaj civilëve palestineze. Shteti në parim duhet të respektoj disa vlera morale dhe etike dhe është i obliguar ti respektoj konventat ndërkombëtare që ndalojnë sulmin ndaj civilëve”, shprehet në fund Murat Aliu, profesor universitar.

    Lajmi Paraprak

    JUGOHROMI, PRITET RINISJA ME PUNË: Drita e gjelbër pret filtrat

    Lajmi i rradhës

    Automjetet luksoze në RMV dhe ato që lëshojnë më shumë CO2, taksë më të lartë tatimi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë