Konflikti në Sudan hyn në muajin e dytë

    Luftimet në Kartum. 1 maj 2023. / Fotografia: Reuters

    Ushtria sudaneze ka kryer sulme ajrore në veri të kryeqytetit, Kartum, të hënën, duke sulmuar rivalët paramilitarë në afërsi të një spitali. Si pasojë e sulmeve ajrore raportohet se në këtë spital ka dëme materiale.

    Luftime të ashpra në Kartum dhe në qytetet fqinje Bari dhe Omdurman kanë vazhduar, pavarësisht bisedimeve që po ndërmjetësohen nga sauditët dhe Shtetet e Bashkuara mes ushtrisë dhe Forcave paramilitare të Mbështetjes së Shpejtë.

    Bisedimet, që u mbajtën në Xhedah, synojnë lejimin e qasjes humanitare dhe arritjen e një armëpushimi, teksa konflikti në Sudan ka hyrë në muajin e dytë.

    Luftime të ashpra po zhvillohen edhe në rajonin perëndimor të Darfurit, megjithatë, betejat më të ashpra janë përqendruar në kryeqytet, ku luftëtarët e forcave paramilitare kanë vendosur pozicionet e tyre në lagjet e Kartumit dhe ushtria ka përdorur avionët dhe artilerinë e rëndë për t’i sulmuar.

    Ndërkaq, përmes një mesazhi zakonor të publikuar nga Forcat e Mbështetjes së Shpejt, lideri i këtij grupi paramilitar, Mohamed Hamdan Dagalo, hodhi poshtë aludimet se ai është vrarë apo është plagosur në luftime.

    “Po lëviz lirshëm në mes të forcave të mia, jam i pranishëm në Bahri, në Omdurman, në Kartum dhe Shark al-Nil”, tha Dagalo.

    Shefi i ushtrisë, gjenerali Abdel Fattah al-Buhran dhe Dagalo kanë mbajtur pozita udhëheqëse në këshillin që udhëheq shtetin që nga viti 2019, kur u rrëzua nga pushteti Omar al-Bashir. Dy vjet më vonë, gjeneralët organizuan një grusht-shtet, duke marrë nën kontroll shteti.

    Por, që të dy kanë mospajtime lidhur me procesin e tranzicionit në sundim civil.

    Luftimet nisën më 15 prill për shkak të mosmarrëveshjeve mes dy gjeneralëve lidhur me planet që Forcat e Mbështetjes së Shpejtë t’i bashkohet ushtrisë dhe se kush do ta udhëheqë ushtrinë e re.

    Si pasojë e luftimeve, qindra persona janë vrarë, 200.000 të tjerë janë larguar në shtetet fqinje dhe mbi 700.000 janë zhvendosur brenda Sudanit. Luftimet kanë nxitur një krizë humanitare që kërcënon ta destabilizojë rajonin. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Produktet organike të Kosovës në tregjet europiane

    Lajmi i rradhës

    Pema “më e vjetër” në botë që mban sekretet e planetit (Video)

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë