FENOMENI SHUMËVJEÇAR – Ku ka dasëm, ka krisma!

     Kthimi i mërgimtarëve në vendlindje, moti stabil e i bukur janë shkak për rritjen e ahengjeve familjare në këtë periudhë të vitit, por traditat tek populli ynë janë tradita që nuk janë edhe aq të sigurta për shëndetin dhe jetën e njerëzve. Ato janë të bukura por derisa nuk fillojnë të duken sikur jemi në “luftë”. Edhe pse përdorimi i armëve është i sanksionuar me ligj, mospërdorimi i tyre në ahengje vështirë se është i menjanueshëm pasi pothuajse në çdo vendbanim në të cilin ka pasur ndonjë festë është përdorur armë zjarri. Të tilla festime në shumicën e rasteve kanë përfunduar në mënyra tragjike pasi plumbat kanë përfunduar në vende të papritura.

    Para pak kohësh në një grup në rrjetet sociale u shpërndan fotot e një xhami të plasaritur si pasojë e plumbit pa cak. Nga ky grup apeluan që të mos përdoren armët e zjarrit në ahengje pasi kjo përbën rrezik për qytetarët, mirëpo e gjithë kjo mbetet vetëm apel e biseda kafenesh pasi askush nuk ka guxim të raportojë për një rast të tillë. Fakt është se deri tani janë shkruar qindra shkrime në lidhje me këtë temë, ndërsa në të kaluarën ka pasur edhe një fushatë nga ana e MPB-së me shpresë se kjo sjellje primitive e disa individëve do të ndryshojë por e gjitha për kot, pasi në vendin tonë jepet përshtypje se një festë nuk është festë nëse nuk ka armë zjarri. Këtë gjendje më së shumti e vuajnë banorët e Butelit dhe Çairit të cilët thonë se deri më sot nuk ka pasur ahengje ku gjuajtja nuk ka qenë si në fushëbetejë. Përshtypja që ju jepet atyre nga të shtënat e pakontrolluara është sikurse në lagjet e tyre vazhdimisht dikush po feston. “Ndodh që ka festime në një rrugë krejt tjetër ndërsa unë gjej gëzhojë në rrugë para derës, kam fëmijë të vegjël të cilët lahen në pishinë tërë ditën por që nga frika e ndonjë plumbi endacak kam filluar t’i mbajë mbyllur”, u shpreh një qytetar i Butelit. Ai u shpreh gjithashtu se ka frikë të raportojë pasi nuk dëshiron që të krijojë kokë-dhimbje shtesë me fqinjët. “Të gjithë e dimë se çfarë kohë ka ardhur. Nuk dihet se kush do ta nxjerrë armën e ta përdor kundër teje”, u shpreh ai.

    Që përdorimi i armëve dhe mjeteve piroteknike nuk lejohet e konfirmon edhe zëdhënësi i MPB-së Toni Angellovski. Sipas tij po merren masa represive dhe parandaluese për eliminimin e kësaj dukurie. “Jemi duke punuar në eliminimin e këtij fenomeni të padëshiruar i cili fatkeqësisht prej vitesh është prezent edhe atë jo vetëm në vendin tonë, por edhe në rrethinë”, potencoi ai. Të shtënat në festa mund që të jenë edhe fatale dhe të rezultojnë me vdekje, lëndime, dëme materiale dhe dëme të tjera. Për Sanja Bojanic, zëvendës përfaqësuesen e përhershme të UNDP-së armët në mënyrë tradicionale përdoren për të shtëna ceremoniale. “Jam e sigurt se askush nuk dëshiron që ditën më të lumtur të një familje ta kthejë në një tragjedi të madhe për një tjetër, por kjo mund të ndodh dhe ka ndodhur. Prandaj është shumë e rëndësishme që të gjithë ne jo vetëm të ngremë zërin kundër të shtënave por edhe të marrim masa. Le të marrim përgjegjësi dhe të tregojmë se mënyra më e mirë për të festuar është duke kënduar dhe kërcyer”, pati deklaruar ajo në fushatën e vitit të kaluar kundër përdorimit të armëve gjatë festimeve.

    Përdorimi i armëve të zjarrit sanksionohet në ligjin për kundërvajtje kundër rendit dhe qetësisë publike, dhe varësisht prej pasojave, të shtënat mund të përbëjnë edhe vepër penale të “shkaktimit të rrezikut publik”, për të cilën është paraparë dënim me burg nga 1 deri në 5 vjet. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Konsensus për në BE apo për zgjedhje?

    Lajmi i rradhës

    Mirëmbajtja e pastërtisë – Dibra me kamera vëzhgon të padisiplinuarit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë