KE shprehet e shqetësuar për ndryshimet në Kodin Penal të RMV-së

    KE me shqetësim konstaton sedisa nga ndryshimet në Kodin Penal të miratuara në mënyrë të përshpejtuar nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, të cilat reduktojnë dënimet maksimale ligjore dhe kanë implikime në zbatimin e vjetërimit, prekin një numër të madh rastesh të korrupsionit të nivelit të lartë, tha zëdhënësja e KE-së, Ana Pisonero, për TV 24.

    KE shpreh keqardhje për mungesën e konsultimit gjithëpërfshirës të palëve të interesuara vendase me Komisionin Evropian përpara miratimit të tyre, si dhe për përdorimin e procedurës së flamurit të BE-së, e cila sipas tyre duhet të jetë konsistente dhe e lidhur qartë me ligjet që synojnë kryesisht harmonizimin e ligjit kombëtar me acquisin e BE-së.

    “Maqedonia e Veriut është e përkushtuar për të promovuar sundimin e ligjit dhe për të luftuar mosndëshkimin dhe për këtë arsye, sanksionet për aktivitetet e korrupsionit duhet të jenë efektive, proporcionale dhe bindëse”, thotë Pisonero.

    Nga KE thonë se forcimi i besimit në sistemin e drejtësisë dhe trajtimi i pandërprerë i korrupsionit, duke përfshirë përmes hetimeve solide, si dhe ndjekjen penale dhe dënimin përfundimtar të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, është thelbësor. Prandaj ata shtojnë se Komisioni do të vazhdojë të monitorojë zhvillimin e shtetit të së drejtës nga shumë afër, duke përfshirë edhe në kontekstin e negociatave të anëtarësimit.

    Ky është reagimi i parë i Brukselit pas ndryshimeve të javës së kaluar në Kodin Penal, duke pasur parasysh se kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në RMV, David Geer, dje njoftoi se amendamentet “po studiohen nga kolegët në Bruksel” dhe se është i sigurt se së shpejti do të ketë qëndrim për atë çështje, si dhe për procedurën në të cilën janë miratuar (pas procedurës së shkurtuar, me flamur evropian).

    Ndryshimet në Kodin Penal, përveç BE-së, po i shqyrton edhe ekipi juridik i Ambasadës Amerikane në Shkup.

    “Ekipi ligjor i ambasadës amerikane është duke i shqyrtuar. Unë personalisht nuk i kam parë, kështu që nuk mund t’i komentoj. Dhe siç thamë në njoftimin e Departamentit të Shtetit, është e nevojshme të ndiqen procedurat e sistemit juridik të vendit”, iu përgjigj pyetjes së gazetarëve ambasadorja amerikane Angela Ageler gjatë nisjes ceremoniale të punimeve për ndërtimin e Korridorit 8.

    Javën e kaluar, në një hark kohor prej vetëm pak orësh, në Kuvendin e RMV-së u miratuan në mënyrë eksprese ndryshimet dhe plotësimet në Kodin Penal, pa amendamente nga opozita, të cilat më herët ishin miratuar nga Qeveria e RMV-së në seancën e qeverisë në fund të gushtit, pa e informuar publikun për këtë, në njoftimet zyrtare që u dërgon mediave.

    Rikujtojmë se Ligji është miratuar me flamur evropian, me procedurë të përshpejtuar, sepse, siç thanë nga Qeveria në seancë, nga gjithsej 38 nene në ndryshimet dhe plotësimet ligjore, 35 janë me direktiva të BE-së. Por pikërisht ndryshimet në nenin 353, që i referohet krimit të zyrtarëve, nuk janë ndër ato 35 nene.

    Sipas ndryshimeve të miratuara, dispozitat e nenit 353 për dënimet me burgim së paku tre dhe pesë vjet shfuqizohen dhe në vend të tyre të vendoset dënimi me burgim nga një deri në katër vjet. Me përcaktimin e kufirit të sipërm të dënimit të mundshëm me burg, hapet mundësia e vjetërsimit edhe më të shpejtë, gjë që tashmë është bërë praktikë në çështjet gjyqësore me ish-zyrtarë.

    Ndryshime të tilla ligjore VMRO-DPMNE-ja i kishte kërkuar në vitin 2018 në takimet e atëhershme të kryesisë së Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit, me qëllim të vjetërsimit të veprave të ish-funksionarëve të akuzuar nga Qeveria e Nikolla Gruevskit.

    Lajmi Paraprak

    Inteligjenca Artificiale përballë diplomacisë

    Lajmi i rradhës

    Studim: Helmimi nga plumbi, sa njësi bie IQ e fëmijëve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë