Konsumues të kafesë plot, por s’ka kush të shërbejë!

    Faqja “World of Statistics” në rrjetin social X publikoi listën e vendeve në të cilat konsumohen më së shumti kilogramë kafe për kokë banori në vit, sipas të cilës vendi ynë është në vendin e 18-të dhe banorët pinë 3.6 kilogramë kafe në vit. Ndërkaq emigracioni, i cili po vjen gjithmonë e në rritje ka bërë që tregu i punës të vuaj mungesën e fuqisë punëtore në disa sektorë. Në vend për momentin po kërkohen 262 kamerierë.

    Baret dhe restorantet renditen ndër sektorët e parë që kanë mungesë të punonjësve. E thënë ndryshe, s’ka kamerierë, edhe pse shqiptarët mbahen si populli më kafedashës. Kjo mungesë e theksuar u vu re edhe gjatë sezonit turistik, ku thirrjet e pronarëve të restoranteve ishin të shumta, aq sa ata ofronin edhe paga më konkurruese në treg.

    Pronarët e kafeterive theksojnë se rruga e vetme për t’i mbajtur këtu kamerierët është të kenë rroga të larta si në vendet evropiane, përndryshe ata nuk shohin ardhmëri këtu. Ndërkaq njëri nga pronarët e një ndër kafeterive më të frekuentuara në qytetin e Kumanovës “Charlie” deklaroi për gazetën Koha se e vetmja mënyrë për t’i mbajtur kamerierët këtu është paga evropiane.

    “Për sa i përket lokalit tonë, kemi kamerierë mjaftueshëm, mirëpo ne po mundohemi t’i stimulojmë dhe t’i mbajmë këtu për to mos i lënë hapësirë migrimit. Tek ne kamerierët paguhen aq sa paguhen edhe profesorët në shkolla, mirëpo po, në përgjithësi numri i rënies në fushën e gastronomisë po rritet çdo ditë e më shumë” , tha njëri nga pronarët e kafeterisë “Charlie” në Kumanovë.

    Ai shtoi se në një qytet si Kumanova, që ndryshe siç njihet edhe si qyteti më i zhurmshëm në vend, me shumë mbrëmje e festa, kafedashësit gjejnë kohë për një filxhan kafe si në vikend, ashtu edhe gjatë ditëve të punës. “Kafedashësit vijnë këtu çdo ditë, pa dallim nëse është vikend apo ditë pune. Mund të themi që një kilogram kafe konsumohen nga klientët që vijnë gjatë një dite, apo ndryshe rreth 200 kafe në ditë. Gjithsesi ne jemi të kënaqur nga puna, mirëpo shpresojmë që te ketë sa më pak të rinj që largohen”, shtoi ai.

    Nga ana tjetër, mungesa e alternativës në vendin tonë, ka bërë që shumë të rinj të shohin si zgjedhjen më të mirë migrimin. Kush me qëndrim të rregull në një nga shtetet evropiane e kush “në të zezë”, po boshatisin çdo ditë e më shumë vendin tonë.

    Ndërkaq të rinjtë thonë se deri më tani, nuk është marrë asnjë masë konkrete për frenimin e largimit të forcës punëtore. Sipas tyre Qeveria, në fokusin e tyre kanë pasur dhe vijojnë të kenë mirëqenien e administratës. Për këtë sektor, rrogat janë rritur ndjeshëm dhe do vijojnë të rriten edhe në 2024-tër, ndërsa sektori privat, që nuk ka asnjë vëmendje, po vuan gjithnjë e më shumë mungesën e fuqisë punëtore. Ndër të tjera, nuk dihet edhe sa do zgjasë ky shpopullim kaq i madh, por një gjë është e sigurt që profesionistë ka, por mungojnë mekanizmat e tjerë për t’i mbajtur njerëzit në vend.

    Lajmi Paraprak

    Osmani: do të koalicionojmë me VMRO-DPMNE-në, nëse i pranon tri marrëveshjet strategjike

    Lajmi i rradhës

    Koha e volitshme në RMV ndihmon të mbjellat vjeshtore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë