Korrupsioni në RMV nuk e kursen as arsimin e lartë!

    Korrupsioni në Maqedoninë e Veriut nuk e kursen as arsimin e lartë, ai këtu është i pranishëm në të gjithë sistemin arsimor pa çka që është një nga faktorët kryesor që kontribuon në rënien e vlerësimit të universiteteve tona në krahasim me universitetet tjera në botë. Që të mund të përballemi me të sipas disa pjesëmarrësve në debatin e organizuar nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis”, fillimisht na nevojiten mekanizma, informim dhe edukim i studentëve dhe stafit akademik se ku të raportojnë korrupsionin.

    Drejtoresha ekzekutive e Forumit Rinor Arsimor Teodora Stolevska theksoi se korrupsioni i cili më shumë prek studentët është prezent në siç thotë ajo rishpërndarjen e shtretërve, në shpërndarjen joadekuate të bursave studentore, ndërsa tek profesorët dhe stafi teknik sipas saj njihet në ato shitjet klasike të librave për një vlerësim më të mirë. Për Stolevskën korrupsioni është i pranishëm edhe mes vetë studentëve për vetë faktin se shpeshherë shesin dhe blejnë pyetjet e provimeve, ndërsa shpesh edhe përdorin plagjiaturën gjatë shkrimit të punimeve të magjistraturës dhe doktoraturës.

    “Pyetja se çfarë duhet bërë, para se gjithash duhet krijuar mekanizma, studentët dhe stafi akademik të informohen dhe edukohen se ku të raportojnë për korrupsionin. Hulumtimi i fundit që bëmë në lidhje me korrupsionin në konvikte, konstatuam se 40% e studentëve janë përballur me korrupsionin, por 89% e tyre edhe nëse janë përballur nuk dinë ku të raportojnë. Kjo nënkupton që para se gjithash duhet krijuar mekanizma, të edukohen studentët dhe stafi akademik se si ti përdorin këto mekanizma, dhe në fund bazuar në ato mekanizma, të monitorojnë pasojat dhe rezultatet e raporteve. Vetëm në këtë mënyrë, me politika të tilla të praktikuara në vazhdimësi që u drejtohen të gjitha palëve të interesit do të mund të zgjidhet problemi me korrupsionin”, theksoi Stolevska.

    Kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit Biljana Ivanovska theksoi se në raportet e shumta që marrin nga sektori i arsimit të lartë, del se aty ka seleksionim negativ, klientelizëm, nepotizëm, ndërsa ajo që bie në sy është se raportet gjithmonë pranohen nga ankues anonimë.

    “Dua t’i inkurajojë të gjithë profesorët që na dërgojnë raporte anonime, nuk është aspak problem, megjithatë të dalim nga anonimiteti dhe të luftojmë pak më qartë dhe më zëshëm pasi në universitete ka një masë kritike që mund ta përballojë korrupsionin por është disi i ndrydhur. Prandaj inkurajoj ata që aplikojnë tek ne, të jenë pak më të zëshëm edhe në institucionet e tyre, të inkurajojnë edhe studentët pasi ata janë një forcë e veçantë. Nga ata kanë filluar edhe protestat e studentëve në 2015-16. Ata janë e ardhmja jonë dhe ne duhet të kujdesemi për ta”, u shpreh Ivanovska duke shtuar se shumë pak raporte janë nga studentët. “Ata mund të paraqesin ankesa në universitet, por shtrohet pyetja se çka më pas, kush i ndjek dhe si do vazhdojnë të luftojnë për të drejtat e tyre”, tha ajo.

    Sa i përket asaj se sa institucionet janë të gatshme të luftojnë këto lloje të korrupsionit dhe nëse ka ndonjë përfundim institucional, Ivanovska thekson se raportet e tilla i përpunojnë aty ku të munden. Sipas saj problematike është edhe denoncimi me vonesë i rasteve të tilla, kur nuk mund të bëhet asgjë pasi rasti është vjetërsuar, madje për shkak të vjetërsimit të rastit edhe vet Prokuroria e refuzon. Edhe Misha Popoviq nga IDSC theksoi se korrupsioni në arsimin e lartë është i rëndësishëm në dy drejtime, pasi është e rëndësishme që në këtë sektor brezat e rinj të mos dëshmojnë korrupsionin për të ndërtuar individë të gatshëm për ti rezistuar korrupsionit, dhe sepse një shoqëri moderne varet nga cilësia e arsimit dhe shkencës.

    “Ekziston mundësia që korrupsioni të ulë cilësinë e procesit arsimor por edhe të atij shkencor, dhe mënyrën e krijimit të njohurive në shoqëri përmes mënyrave të ndryshme siç janë, nepotizmi, klientelizmi mes profesorëve apo keqpërdorimi i fondeve, gjë që e zvogëlon sasinë e mjeteve të përdorura për zhvillimin e procesit arsimor dhe shkencor. Pikërisht për këtë, ndërsa tani edhe në funksion të zgjedhjes së rektorit të ri të UKM, vlerësojmë se është e rëndësishme të flasin për problemin e korrupsionit në arsimin e lartë”, u shpreh Popoviq duke treguar gjithashtu se disa studime tregojnë se brezi i ri janë shumë më pak të përgatitur për të përballuar korrupsionin për dallim nga ata më të rriturit.

    Debati i organizuar nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis”, si dhe i mbështetur nga Fondi Nacional për Demokraci, iu kushtua formave të korrupsionit të pranishëm në arsimin e lartë dhe rolin e studentëve në luftën kundër tij. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Rreth një mijë lëndë gjyqësore vjetërsohen gjatë një viti në RMV, autorët nuk dënohen [Infografik]

    Lajmi i rradhës

    Gjykatat në RMV pa gjykatës!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë