“EDHE SA GRA TË VRARA?”

    Fotografia: Kosovo 2.0

    Takimi i thirrur për mesditën e së shtunës ishte gati të fillonte. Njëri prej vullnetarëve që kishte mbërritur më herët, po ia hiqte pluhurin dyshemesë së madhe të hapësirës së Termokiss. Po e gatiste për ardhjen e të tjerëve. Teksa minutat kalonin e pluhuri bëhej bashkë me filtrat e cigareve, në hyrje vinin vullnetaret e vullnetarët, një nga një.

    Shpejt filluan t’i montonin tavolinat e mëdha të punës dhe hapësira u mbizotërua prej së kuqes dhe së zezës. Copa e materialit e kuqe, ngjyra e shkrimit e zezë. Gjithkund vendosën letra, ngjyra dhe mjete të tjera pune.

    Nën tiguj të muzikës, që sa e shtonte ritmin e koordinuar të vullnetareve e vullnetarëve, nisi puna për t’i shkruar parullat për marshin e 8 marsit. Tash e sa vjet, 8 marsi shënohet me marshe, të cilat prej vitit në vit, kanë në qendër aspekte të ndryshme të përpjekjes për drejtësi gjinore.

    Aktiviste e aktivistë, në baza vullnetare, çdo vit mblidhen javë përpara marshit për t’u përgatitur e mobilizuar që thirrjet për drejtësi të dëgjohen gjithkund. Edhe këtë vit, puna për marshin që sivjet përqendrohet në vrasjet e grave – femicidin, nën thirrjen “Marshojmë kundërs vrasjes së grave”, filloi qysh prej fundit të janarit.

    Përpara se ta vendosnin të zezën në të kuqe, parullat i shkruanin në një tabelë të madhe të bardhë, e cila ish vendosur në mes të Termokiss. Secili vullnetar dhe secila vullnetare zgjedhnin parullën që donte ta ngjyrosnte në pankartën e vet dhe kështu shpërndaheshin punët te secila e secili.

    Pankartat me mbishkrime si “Liri grave”, “Gruaja s’o rob i burrit” i vendosnin një nga një mbi altoparlantët në skenën e Termokiss për t’iu tharë ngjyra, që të jenë gati për t’u çuar lart në marshin e 8 marsit, rrugëve të Prishtinës.

    Marshueset e marshuesit filluan të mblidhen herët në mëngjes. Marshi nisi në ora 10.00, që prej Hajvalisë, ku ndodhet Pallati i Drejtësisë, vazhdoi te ai që njihet si “Rrethi i Flamurit” e në ora 12.00 arriti në sheshin “Zahir Pajaziti” ku u bashkuan edhe të tjera e të tjerë.

    Parullat tanimë i kishin mësuar përmendësh. Me sa kishin zë e të përbashkuar, nëpër rrugët e Prishtinës marshueset e marshuesit i thanë emrat e disa grave të vrara, që përcilleshin me thirrje buçitëse: “Drejtësi për gratë e vrara!”, “Poshtë patriarkati”, “Edhe sa thirrje të humbura?”.

    Gra e burra marshuan e nuk festuan, duke kërkuar drejtësi në vend të luleve. Te ndërtesa e Qeverisë edhe një herë kumbuan thirrje që drejtësia gjinore të bëhet prioritet shtetëror. “Marshojmë s’festojmë” thirrnin njerëzit teksa shpërndaheshin, me shpresën që shpejt do të vijë një 8 mars, ku do të ketë arsye për festë e deri sa, siç tha Liridona Sijarina, një prej aktivisteve në marsh: “do vazhdojmë deri sa çdo vajzë e grua të jetë e lirë dhe e barabartë”. /Kosovo2.0/

    Lajmi Paraprak

    MPJ demanton Hoxhën: Fotografitë nga Lukoili janë të vjetra, furnizohemi nga kompani vendase

    Lajmi i rradhës

    Qeveria miraton “Informacion për krijim të Strategjisë nacionale zhvillimore 2022-2042”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë