Kovaçevski: Çdo vonesë në fillimin e negociatave e rrit euro-skepticizmin në RMV

    “Çdo vonesë në fillimin e negociatave me Brukselin e rrit euro-skepticizmin në vend”, tha kryeministri i vendit Dimitar Kovaçevski në intervistë për AIM.

    Ai vlerëson se mbështetja e qytetarëve për anëtarësim në Union mbetet e lartë, mbi 68 %, por gjithashtu paralajmëroi se ka vende të treta që nuk duan ta shohin Maqedoninë e Veriut si pjesë të BE-së.

    “Ne kemi parti politike me orientime anti-evropiane dhe anti-NATO që janë parti klasike populiste në vend, nuk kanë propozuar kurrë masë të zbatueshme, por ushqehen nga qendra të tilla jashtë vendit dhe që me financime të tilla arrijnë të krijojnë opinion të caktuar publik, që është e kundërt me angazhimet strategjike”, u shpreh Dimitar Kovaçevski- kryeministër.

    Kovaçevski, pas takimeve me krerët evropianë në Bruksel, përfshirë presidentin bullgar Rumen Radev dhe homologun e tij Kirill Petkov, tha se ende nuk ka dokument të harmonizuar për çështjet e hapura politike me Sofjen, që do të çonte në zhbllokimin e procesit të integrimit evropian. Kovaçevski shprehet se Petkov ka vullnet për të kapërcyer mosmarrëveshjet, por përballet me rezistencë të brendshme.

    Kryeministri bullgar, nga ana tjetër, pas takimit me liderët e BE-së, tha se situata aktuale gjeopolitike kërkon të “përvishen mëngët” për të gjetur zgjidhje.

    “Qeveria bullgare ka rolin e vet, sepse rruga evropiane e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë janë pjesë e stabilitetit. Ne kemi çka të bëjmë atje. E dini që qeveria bullgare ka punuar për këtë çështje një kohë të gjatë, por ne duhet të bëjmë përparim, sepse në aspektin gjeopolitik, gjëja e fundit që duam të ndodhë është destabiliteti në Ballkanin Perëndimor dhe në këtë pikë të gjithë duhet t’i përveshin mëngët dhe të kryejmë punën”, tha Kirill Petkov- kryeministër i Bullgarisë.

    Ndërkohë, një shtysë e re në negociatat maqedono-bullgare vjen nga Berlini. Pas vizitës së djeshme në Sofje, diplomatët gjermanë sot në Shkup kërkuan që të respektohen të drejtat e pakicave, por shtuan se çështjet e identitetit dhe historisë nuk duhet të jenë pjesë e procesit të zgjerimit.

    “Vendi juaj, mbi të gjitha qeveria dhe të gjitha fuqitë pro-evropiane, duhet të vendosin se deri ku mund të shkojë kompromisi. Nuk besoj se do të bëhet një kompromis për identitetin nacional, por mund të bëhet për gjëra të tjera sa i përket hapave në procesin e anëtarësimit, respektivisht sa mund të lëshoje pe njëri e tjetri të pranojë”, theksoi Sabine Shtohr- shefe e Drejtorisë së zgjerimit në ministrinë e jashtme gjermane.

    Ministria e Jashtme gjermane theksoi se lufta në Ukrainë është një alarm për zgjerimin e Bashkimit Evropian.

    Lajmi Paraprak

    Kuleba: Bisedimet me Rusinë janë “shumë të vështira”

    Lajmi i rradhës

    Reparti i fëmijëve në Ohër ka mbetur vetëm me një mjek

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë