“Krejt jemi për banesa sociale”, Tetova pret dy dekada për ndërtimin e banesave sociale

    Për më shumë se 20 vite në qytetin e Tetovës, shteti nuk ka ndërtuar banesa sociale, edhe përkundër faktit se ka mbi 150 kërkesa për banesa sociale. Rreth 30 familje në Lagjen e Krasniqëve në Tetovë, në mungesë të kushteve jetojnë si në geto. Banorët ankohen se çmimet e banesave me qira po rritën gjithnjë e më shumë dhe janë bërë të papërballueshme. Ata kërkojnë nga shteti dhe komuna, masa urgjente për ndërtimin e banesave sociale.

    “Shumë persona jetojnë në varfëri të skajshme, ja këtu e kam një komshi paguan 150 euro qiranë për ushqim nuk iu mbetet asgjë. Shumë banesa ka të zbrazëta të kurbetçinjve por ato nuk shfrytëzohen. Duhen banesa sociale me patjetër duhet të kemi. Unë marr 17 000 denarë pension por jam vetë i dyti dhe vetëm për zonjën harxhoj 80 euro në muaj vetëm për barna”, u shpreh një banor.

    “Duhen si s’duhen patjetër që po”.

    “Ka njësoj si s’ka, plot nevojë kemi. Duhet me bë banesa për rastet sociale. Unë jam në katund, por ka nevojë se krejt jemi për banesa sociale, mos them shumë po krejt janë”.

    Nga Ministria e Transportit, fajin për mungesën e banesave sociale në Tetovë e hedhin tek komuna, e cila sipas tyre, nuk ka ndarë hapësirë për ndërtimin e banesave sociale.

    “Nevojat e qytetarëve të një komune, i ka komuna këshilli dhe kreu i komunës dhe nisma gjithnjë duhet të dalë nga atje. Nëse ndonjë komunë do ta ndihmojmë, duhet të kërkojë të japë idetë dhe projektet e saj që ne t’i dalim në ndihmë pa marrë parasysh cila komunë është”. – thonë nga ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

    Kreu i komunës së Tetovës Bilall Kasami, për Alsat është shprehur se po punohet në atë drejtim, fillimisht të përpilimit të planit detal urbanistik dhe më pastaj edhe vendi se ku do ndërtohen banesat sociale.

    “Është edhe më tutje një problematikë që e kemi trashëguar në komunën e Tetovës, andaj jemi ende në fazën e nënshkrimit të marrëveshjes me ministrinë për përpilimin e planit gjeneral urbanistik dhe më pastaj që të vazhdohet edhe me planet detale urbanistike. Fatkeqësisht nuk kemi plan detal urbanistik në lokacionet ku ka tokë shtetërore që t’ia ofrojmë Ministrisë. Jemi duke punuar intensivisht dhe janë disa lokacione, e një ndër to është edhe ajo e Krasniqëve që njihet dhe jemi duke shikuar të përpilojmë planin detal urbanistik dhe pastaj t’ia ofrojmë Ministrisë për ndërtim të banesave sociale”, deklaroi Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës.

    “Për më shumë se dy dekada shteti në qytetin e Tetovës nuk ka ndërtuar banesa sociale. Kjo shkaku se në qytet asnjëherë nuk është ndarë vend për ndërtim si pasojë e mungesës së planit detal urbanistik. E fundit në këtë drejtim që janë ndarë 40 banesa për çiftet me të ardhura të ulëta janë në këtë bllok, dhe ka ndodhur në vitin 2008, por jo duke ndërtuar banesat sociale, por duke blerë dhe ndarë banesa për çifte me të ardhura të ulëta”, raporton Alsat.

    Lajmi Paraprak

    Rriten rastet e dhunës në familje në Strugë

    Lajmi i rradhës

    AAA: pensionet dhe ndihmat sociale, në kohë krize duhet të rriten

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë