Kryeministri Kovaçevski nuk do të pranojë takim liderësh për zgjedhje të parakohshme parlamentare

    Kryeministri Dimitar Kovaçevski nuk do të pranojë takim liderësh për zgjedhje të parakohshme parlamentare edhe pse VMRO-DPMNE-ja ka paralajmëruar të bllokojë Kuvendin nga 10 maji. Ai thotë se udhëzimet Mickoski i merr nga Gruevski për të shantazhuar pushtetin në kohë krize.

    “Mbajtje takimesh nën shantazhe dhe kërcënime, vetëm me një pikë të rëndit të ditës e që është zgjedhje të parakohshme të cilat fillimisht nuk i mbështesin partitë politike sepse kemi shumicë në Kuvend e cila është më e madhe në krahasim me qeverinë e kaluar, nuk i mbështesin as qytetarët sepse nëse i merrni parasysh anketat, as qytetarët nuk duan zgjedhje, nuk do të ketë. Kaluan kohërat kur VMRO-DPMNE-ja bënte zgjedhje çdo dy vite vetëm për përfitime personale. Tani është koha fillimisht të menaxhojmë krizën”, u shpreh Dimitar Kovaçevski, kryetar i LSDM-së.

    VMRO-DPMNE-ja është e vendosur në qëllimin e saj. Zgjedhjet e parakohshme, sipas Mickoskit, janë të pashmangshme.

    “Për të gjitha pasojat e mëtejshme, qeveria do të jetë përgjegjëse sepse unë personalisht por dhe VMRO-DPMNE-ja në 100 ditët e kaluara bëmë thirrje për unitet dhe dialog, të ulemi dhe të bisedojmë për problemet, për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe nëse vërtetë janë aq të fortë, sepse thonë se janë të fortë dhe se i don populli, ata do të na fitojnë në zgjedhje dhe do të kenë mandat të pastër 4-vjeçar për të zbatuar politikat të cilat thonë se populli i mbështet”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

    Bllokimin e Kuvendit si veprim që do të zbatohet nga 10 maji e mbështet edhe Lëvizja Besa. Kreu i saj Bilall Kasami thotë se kjo do të bëhet përmes bllokimit të seancave plenare dhe komisioneve.
    “Kjo qeveri e ka humbur besimin e saj pas dështimit për të marrë datë për negociatat, duke pasur parasysh edhe krizën ekonomike, energjetike dhe të gjitha krizat e tjera, ne vlerësojmë se sa më shpejt vendi duhet të shkojë në zgjedhje parlamentare që vullneti i qytetarëve të jetë i përfaqësuar në institucionet qendrore. Ne jemi për bllokadë aktive të Kuvendit me dy deputetët tanë që i kemi në Kuvend”, u shpreh Bilall Kasami, kryetar i Besës.

    Nëse nuk ka ndryshim të rrethanave dhe nuk pranohet kërkesa për takim liderësh, duke filluar nga 10 maji VMRO-DPMNE-ja do të bllokojë siç tha, të gjitha ligjet e dëmshme në Kuvend dhe do të mbështesë vetëm ligjet që kanë të bëjnë me ndihmë direkte ekonomike për qytetarët. Opozita nuk ka përjashtuar edhe ndërmarrjen e hapave të tjerë të cilët deri tani nuk i ka zbardhur. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Orce Kamçev mund ta shtyjë burgimin

    Lajmi i rradhës

    Rënia e lirë e medias së “lirë”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë