Kryeministri thotë “po” për provimin e jurisprudencës në shqip

    Vendimi i Ministrisë së Drejtësisë për ta zhvilluar provimin e jurisprudencës vetëm në gjuhën maqedonase ka hapur debat të ashpër politik dhe institucional në Maqedoninë e Veriut, duke nxitur reagime të forta nga partitë shqiptare opozitare dhe studentët e drejtësisë, shkruan Nistori.

    Kryeministri Hristijan Mickoski u shpreh se nuk sheh pengesë ligjore që provimi të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe, duke iu referuar Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

    “Nuk shoh pse të mos jepet (në shqip). Ligji për Gjuhët është i qartë në këtë rast. Nëse dikush ka kërkuar ta japë provimin në gjuhën shqipe, duhet t’i lejohet”, tha Mickoski.

    Megjithatë, Ministria e Drejtësisë ka mbajtur qëndrim të kundërt. Nga ky institucion sqarojnë se sipas Ligjit për gjykatat, Ligjit për prokurorinë publike, Ligjit për avokatinë, Ligjit për Akademinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë, Ligjit për përmbarimin dhe Ligjit për noterinë, kërkohet njohja e gjuhës maqedonase.

    “Meqenëse sipas Ligjit për përdorimin e gjuhëve, gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik është gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe se krahas gjuhës maqedonase, gjuhë zyrtare është edhe gjuha që flitet nga të paktën 20% e popullsisë që flet një gjuhë tjetër përveç maqedonishtes, kushti për njohjen aktive të gjuhës maqedonase është i domosdoshëm gjatë dhënies së provimit të jurisprudencës, e që në esencë paraqet kusht që të jepen të gjitha provimet e cekura që janë kusht për zgjedhjen e personit për gjykatës, prokuror publik, avokat, noter dhe përmbarues”, thanë nga Ministria e Drejtësisë.

    Vendimi i këtij institucioni, i udhëhequr nga ministri Igor Filkov, ka shkaktuar reagime të menjëhershme nga partitë shqiptare opozitare, të cilat e konsiderojnë atë diskriminues dhe në kundërshtim me Kushtetutën.

    Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) e cilëson vendimin si “një hap serioz prapa në respektimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve” dhe si një barrierë për përfaqësimin e barabartë në sistemin gjyqësor. Sipas BDI-së, arsyetimet e Ministrisë mbështeten në interpretime selektive të ligjeve dhe bien ndesh me Kushtetutën, Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe standardet evropiane për barazi dhe mosdiskriminim.

    Edhe Aleanca për Shqiptarët e ka quajtur vendimin “diskriminim institucional”. Nga kjo parti theksojnë se refuzimi i kërkesës së 385 studentëve shqiptarë për zhvillimin e provimit edhe në gjuhën shqipe dëshmon mungesë vullneti politik për barazi reale. Deputetët Sadik Sulejmani, Halil Snopçe dhe Rijad Shaqiri kanë shprehur mbështetje për nismën e studentit Mevlan Ademi, duke theksuar se zhvillimi i provimit në shqip nuk e cenon përdorimin e gjuhës maqedonase.

    Nga ana tjetër, edhe VLEN tha se do ta zgjidhin problemin e ngritur nga studentët. Të paktën kështu ditë më parë, Bilall Kasami nga radhët e VLEN tha para gazetarëve.

    “Jemi në bisedime në kuadër të qeverisë, që edhe këtë çështje, si shumë çështje tjera t’i zgjidhim. Nuk është që ne bëjmë zhurmë apo bujë të madhe në opinion, por ajo që mund të garantojmë që kjo çështje do të zgjidhet në interes të studentëve. Përderisa i gjithë procesi edukativo-arsimor shkon në shqip në universitet, sigurisht që këto provime profesionale, krahas gjuhës maqedone, të mbahen edhe në gjuhën shqipe”, tha Kasami.

    Në këtë kontekst, iniciatori i peticionit, Mevlan Ademi, më herët bëri të ditur se 385 studentë shqiptarë të fakulteteve juridike kanë nënshkruar kërkesën për zhvillimin e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe.

    “385 studentë të drejtësisë kërkojnë gjuhën shqipe! Plot 385 studentë shqiptarë të fakulteteve juridike në RMV kanë nënshkruar një peticion me një kërkesë të qartë dhe legjitime: provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe. Që nga koha kur isha kryetar i Parlamentit Studentor, kam nisur këtë iniciativë për ta bërë të mundur zhvillimin e këtij provimi — më të rëndësishmit për juristët — edhe në gjuhën tonë amtare. Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme ndër vite, deri më sot kemi hasur vetëm në vesh të shurdhër.
    Por sot nuk jam më vetëm. Sot, 385 juristë të së ardhmes janë bashkuar për të kërkuar një të drejtë të garantuar me Kushtetutë. Kërkesa është dorëzuar zyrtarisht në Ministrinë e Drejtësisë, Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve, Agjencinë për Zbatimin e Gjuhëve, Kuvendin e RMV-së dhe Qeverinë e RMV-së. Dokumentin e plotë e gjeni të bashkëngjitur më poshtë. Tani mbetet të shohim: sa peshë ka zëri i rinisë?”

    Ndërkohë, studentët presin nëse çështja e provimit të jurisprudencës do të zgjidhet përfundimisht dhe nëse Ministria e Drejtësisë do të sigurojë një gjë të tillë. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Si të ndaloni bulizmin kibernetik / 18 këshilla për prindërit, fëmijët dhe shkollat

    Lajmi i rradhës

    A mund t’ua ndalojë BE-ja hyrjen në Shengen ish-ushtarëve rusë?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë