Kryqi që kryqëzon partitë!

    Kryqi 15 metra i lartë në kishën manastiri “Shën Naum i Ohrit Çudibërës” të Kodrës së Diellit, është shkaktar i një sherri të rrezikshëm mes partive politike në Tetovë, i cili tashmë po merr vëmendjen e opinionit. Komuna e Tetovës thotë se nuk është dhënë leje për vendosjen e kryqit në tokën shtetërore dhe se do të veprojë në përputhje me ligjin. Kryqi u vendos pa leje. Inspektorët komunalë kanë dalë në terren për të kontrolluar gjendjen reale dhe për të bërë një vlerësim, sipas të cilit do të merren masat ligjore.

    BDI-ja akuzoi se vendosja e këtij kryqi ishte diçka e dakorduar më parë mes Lëvizjes BESA të Bilall Kasamit dhe VMRO-DPMNE-së, shërbim i mbajtur sekret nga qytetarët për ndihmën që VMRO-DPMNE ia ofroi Lëvizjes BESA në zgjedhjet lokale për komunën e Tetovës. “Tetovarët nuk heshtin, as ne do të heshtim ndaj këtij pazari skandaloz”, tha BDI.

    “BDI pas planifikimit të të gjitha aktiviteteve për vendosjen e kryqit në Kodrën e Diellit, kërkon që fajin t’ia kalojë Lëvizjes BESA. Ashtu siç ia hodhën fajin shqiptarëve për incidentet në autobusët nëpër Shkup, për rastin ‘Alfa’, për rastin ‘Monstra’, Kale e shumë raste të tjera. Imagjinoni, BDI-ja ta përditësojë të gjithë situatën, të koordinohet me Gruevskin, të planifikojë me Vuçiqin dhe të zbatojë me Zaevin dhe Kovaçevskin. BDI-ja beson se qytetarët harrojnë se ajo parti së bashku me VMRO-DPMNE-në sunduan për dhjetë vjet, ku së bashku planifikuan projektin ‘Shkupi 2014’, duke kaluar të gjitha kodrat e Maqedonisë dhe pasi realizuan disa nga këto skenarë së bashku me LSDM-në  duan për të bartur fajin e Lëvizjes BESA! Ne deklarojmë me përgjegjësinë më të lartë se nuk kemi të bëjmë me vendosjen e kryqit dhe nuk do të pranojmë vendosjen e tij në Kodrën e Diellit. BDI duhet të raportojë dhe të thotë se çfarë planesh ka me Gruevskin dhe Vuçiqin. Gjithashtu, mos na shitni më shumë moral se loja është zbuluar dhe duket qartë se ‘prostituta” po na shet moral’”, thuhet në reagimin e Lëvizjes BESA.

    Nga Manastiri i Kodrës së Diellit thonë se kryqi është vendosur në tokën e kishës, se është një pikë referimi fetar dhe se është pjesë e pajisjeve urbane.

    VMRO-DPMNE ka paralajmëruar seancë urgjente, siç thonë ata, “me rastin e presioneve të institucioneve të udhëhequra nga BDI dhe LSDM me qëllim të shkeljes së Kushtetutës dhe ligjit që garanton lirinë e besimit dhe shprehjen e besimit të maqedonasve në Tetovë”. Dega lokale e VMRO-DPMNE-së konsideron se “prania e paautorizuar dhe e paligjshme e institucioneve të shumta shtetërore” në kishën “Shën Naumi i Ohrit” në Kodrën e Diellit është “presion i drejtpërdrejtë që synon krijimin e tensioneve mes qytetarëve”.

    Në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Komunës, Anita Boshkoska-Jovanoska, këshilltare nga VMRO-DPMNE, ka shprehur pakënaqësi.

    “Ne jemi thirrur në këtë seancë të jashtëzakonshme sikur të ishte një tërmet, zjarr apo ndonjë fatkeqësi tjetër. Kjo është puna e institucioneve. Shoqëria jonë është laike. Jemi për respektimin e ligjeve, por me trajtim të barabartë për të gjithë aktorët e shoqërisë. Nuk e pamë shqetësimin tuaj kur po ndërtohej xhamia e Kodrës së Diellit dhe ne besimtarët maqedonas nuk ishim aspak kundër ndjenjave fetare të myslimanëve. Në këtë rast, përveç veprimit ligjor të shërbimeve, bëjmë thirrje edhe për arsye të shëndoshë, që të mos ndizen tensionet fetare mes qytetarëve. Theksoj, është një piedestal i vendosur në pronën e Kishës Ortodokse Maqedonase. “Kryqi është pjesë përbërëse e tempullit dhe nuk mund të trajtohet si objekt i veçantë”, tha ajo.

    Për analistin politik Qenan Aliu, nuk përjashtohet mundësia që në këtë veprim t’i ketë futur duart edhe politika. Sipas tij, këto lloj ngjarjesh kanë për qëllim defokusimin e opinionit nga gjërat e mëdha.

    “Nuk mund të them me siguri se pse pikërisht tani ndodhi kjo nismë. Por nuk përjashtohet mundësia që ky veprim të shërbejë për defokusim të opinionit nga gjërat e mëdha që ndodhin në vend. Duhet shikuar ligji se a duhet investitori të sigurojë leje ndërtimi për këtë lloj objekti apo ligji nuk e noton një gjë të tillë. Pavarësisht asaj me siguri procedura kërkon që vendosja e kryqit në kompleksin në fjalë në Kodër të Diellit a është në përputhje me projektin urbanistik të hapësirës në fjalë apo jo. Mbase gabariti i një objekti të tillë ma mendoj se duhet të kaloj procedurë përkatëse. Sidoqoftë shumëçka në këtë vend ndërtohen pa procedime paraprake dhe kështu shkohet prej rasti në rast. Nuk përjashtohet mundësia që në kësisoj veprimesh për qëllime meskine politika t’i ketë futur të dy duart. Duhet theksuar faktin se autoktonia e trojeve nuk mund të konvertohet me ndërtime të tilla, autoktonia njeh faktet historike dhe dokumentet historike të verifikuara shkencërisht. Andaj do të ishte e udhës gjithçka që synohet për tu ndërtuar paraprakisht duhet zhvilluar procedurat ligjore, sepse kjo është që kërkohet në çdo shoqëri të civilizuar dhe shtet ligjor”, ka deklaruar Qenan Aliu, analist.

    Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit për marrëdhënie me bashkësitë fetare dhe grupet fetare, Darian Sotirovski përmes rrjeteve sociale ka bërë thirrje për vigjilencë dhe përmbajtje nga të gjithë lidhur me situatën rreth Kodrës së Diellit.

    “Kodra e Diellit ka vite që ndërton kush ku do të arrijë. Përkundër thirrjeve të shumë ekspertëve, por edhe pronarëve të vikend shtëpive dhe hotelierëve, Komuna e Tetovës nuk gjeti rrugë të përshtatshme për ta zgjidhur atë përmes miratimit të planeve urbanistike dhe miratimit të duhur të ndërtimit, vendosjes të objekteve të përkohshme, pajisjeve dhe instalimet, por edhe një vendosje e përshtatshme e paanshme dhe jo selektive mbikëqyrëse dhe ndëshkuese. Për dallim nga ndërtesat e shumta, në kate dhe me oborre të rrethuara në tokë shtetërore, kryqi vendoset në pronën e manastirit dhe pyetja është nëse diku në vend dikush ka dhënë leje për vendosjen e kryqit në oborrin e një manastiri. Kryqi është një simbol fetar. Çfarë të bëjmë me ndërtesat e shumta profane dhe të shenjta të ndërtuara në tokë shtetërore? Epo, në Kodrën e Diellit ka të tilla gjithandej. Pse deri më tani Këshilli i Komunës nuk ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme për asnjërin prej tyre”, pyet Sotirovski. /koha/

    Lajmi Paraprak

    MJALTI I RREMË NË TREGUN E RMV | Kavanozat fals, përditshmëri

    Lajmi i rradhës

    Qindra punëtorë të Lindjes së largët punojnë në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë