Kthimi i vetos për Shkupin, një gabim i madh

    Kthimi i vetos për Shkupin do të ishte gabim i madh dhe do të përkeqësonte marrëdhëniet dypalëshe, deklaroi eurodeputeti bullgar dhe raportuesi për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, Ilhan Kyuchyuk.

    “Do të ishte një gabim i madh. Vetoja nuk ndikoi pozitivisht në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në asnjë mënyrë. Krejt e kundërta. Filluan provokimet, pak a shumë, menjëherë pas vendosjes së vetos”, tha Kyuchyuk për BNR.

    Sipas tij, ajo që ka ndodhur me Hristijan Pendikov është e dënueshme dhe këtë e kanë thënë edhe institucionet evropiane. Ai e vlerëson tensionin mes dy vendeve si të lartë, e cila përhapet në shumë drejtime dhe beson se në planin dypalësh do të ketë një vit shumë të stuhishëm joproduktiv.

    Ai thekson edhe mekanizmin për monitorimin dhe “matjen” e gjuhës së urrejtjes, duke theksuar se ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, është duke formuar “një ekip të madh, ku do të përfshihen edhe përfaqësues të komunitetit bullgar”.

    I pyetur se si do të reagojë Brukseli nëse Shkupi i pengon eurodeputetët bullgarë, politikanë dhe personalitete publikë të marrin pjesë në ngjarjet lidhur me Goce Dellçevin në fillim të shkurtit, Ilhan Kyuchyuk thotë se “nuk ka mundësi që institucionet evropiane të mbështesin një sjellje të tillë nga autoritetet maqedonase”, duke shtuar se “as Brukseli dhe as Strasburgu nuk mund ta pranojnë këtë si një qasje normale”.

    “Nuk mund t’i shikojmë gjërat në mënyrë të izoluar. Duhet të kërkojmë mekanizma që do të jenë të qëndrueshëm. Duhet të ketë mekanizma monitorues në marrëdhëniet dypalëshe. Ka shumë shembuj të vendeve me marrëdhënie të vështira historike – Sllovenia dhe Kroacia, Sllovenia dhe Italia. Nga pikëpamja e kujtesës historike, kjo nuk është diçka e re”, theksoi Kyuchyuk.

    Deklarata e Kyuchyuk vjen pas deklaratës së ministrit bullgar të Punëve të Jashtme, Nikollai Milkov, pas takimit të shefave të diplomacisë të vendeve-anëtare të BE-së të hënën, se nuk përjashtohet mundësia e një vetoje të re nga Bullgaria për vendin, duke shtuar se ai shpreson se kjo nuk do të ndodhë.

    Lajmi Paraprak

    Pse reforma nis me pagat! | “Reforma që do të dëmtojnë punëtorët”

    Lajmi i rradhës

    Objektet ilegale në Çarshinë e Vjetër të Shkupit | Fatmiri: Do t’i shembim

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë