Pse reforma nis me pagat! | “Reforma që do të dëmtojnë punëtorët”

    Sindikatat dhe ekspertët kanë kundërshtuar Ligjin e ri për paga që sipas tyre shkurton të drejtat e punëtorëve dhe anulon marrëveshjet kolektive. Përfaqësues të ekzekutivit konsiderojnë se është herët për të nxjerrë konkluzione dhe shtojnë se me zgjidhjen e re ligjore synohet të vendoset një zgjidhje sistematike për një periudhë më të gjatë lidhur me sistemin e pagave në sektorin publik.

    Njëherësh shtojnë se bëhet fjalë për draft version për të çilin do të konsultohen të gjitha palët e interesuara, institucionet, sindikatat dhe të tjerët. Një nga arsyet kryesore të propozim ligjit të ri për paga është mungesa në vend e një metodologjie të njëjtë apo unike për përllogaritjen e pagave në sektorin publik.

    “Llogaritja dhe pagesa e pagave në institucionet e sektorit publik aktualisht bëhet në bazë të ligjeve të veçanta dhe marrëveshjeve kolektive, e në disa institucione edhe me rregullore , në kundërshtim me parimet dhe dispozitat e Kushtetutës. Është evidente se nuk ka rregulla të qarta dhe një metodologji uniforme për llogaritjen e pagave në pushtetin legjislativ, në pushtetin ekzekutiv, në pushtetin gjyqësor, në pushtetin vendor, të personave të zgjedhur, të emëruar dhe të emëruar dhe shoqëritë tregtare në pronësi të plotë të shtetit”, thuhet në arsyetimin e miratimit të këtij ligji nga ana e Ministrisë së Administratës. Ekspertët kanë vërejtje se nuk mund të ketë një metodologji uniforme për llogaritjen e pagave në sektorin publik, sepse mbulon aktivitete dhe profesione të ndryshme, ndërsa sipas tyre një propozim ligji i tillë siç është propozuar, nuk është mirë edhe në më shumë dispozita të tij.

    SEKTORI PUBLIK JO HOMOGJEN

    Sipas ekspertit Branimir Jovanoviq, vetë nevoja për miratimin e një ligji të tillë është mjaft kontestuese, edhe me faktin se sektori publik nuk është homogjen. Ai pyet pse duhet të ekzistojë një ligj unik për përllogaritjen e pagave në sektorin publik. Kundërshtimin e kësaj nisme ai e mbështet me llojllojshmërinë e veprimtarive dhe profesioneve të ndryshme në sektorin publik i cili sipas tij nuk është definuar sipas natyrës së punës, por nga pronësia. “Ai përfshin edhe mjekë, edhe aktorë, edhe gazetarë, edhe policë, edhe inxhinierë apo pastrues… Pse nevojitet një sistem i vetëm i pagave për këto profesione dhe veprimtari, të vilat aq dallojnë nga njëra tjetra. Pra, nuk ka nevojë për diçka të tillë, edhe për shkak se ekzistojnë ligje sistemore që i rregullojnë pagat dhe marrëdhëniet e punës që janë të mjaftueshme. Bile nuk kam dëgjuar se ndonjë shtet evropian ka një ligj të tillë”, thekson Jovanoviq. Sipas tij, dobësi është mungesa e inkuadrimit të sindikatave dhe ekspertëve në miratimin e këtij ligji.

    Ai alarmon edhe për injorimin e sindikatave gjatë përcaktimit të pagave në sektorin publik, që është në kundërshtim edhe me Konventën për Marrëveshjet Kolektive të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, e cila është në fuqi në vend që nga viti 2013 dhe e cila përcakton se pagat do të përcaktohen përmes marrëveshjeve kolektive dhe marrëveshjeve ndërmjet punëdhënësve (në këtë rast Qeverisë) dhe përfaqësuesve të punëtorëve apo sindikatave. Jovanoviq ngre shqetësimin edhe për dispozita problematike në ligj, që lehtësisht mund të shfrytëzohen për shkurtimin e pagave të punëtorëve. Kjo në vetvete është e gabueshme sepse pagat në sektorin publik në përgjithësi nuk janë të larta, ndërsa fakti se disa agjenci dhe ndërmarrje publike kanë paga të larta, kjo nuk nënkupton se duhet të shkurtohen pagat e të gjithë të punësuarve në sektorin publik. “Nuk ka dilemë se nevojitet një reformë në sektorin publik në Maqedoni, por ajo reformë nuk duhet të fillojë me pagat. Kjo reformë duhet të fillojë me ndryshimin e sistemit të punësimit dhe avancimit në vendin e punës, e veçanërisht me braktisjen e praktikës së emërimit të kuadrove partiake në poste drejtuese në institucionet shtetërore dhe punësimin e anëtarëve të partisë. Por, për fat të keq, edhe këtë nuk po e shohim, por e shohim sërish se çdo gjë po shkon me ‘reforma’ që vetëm do të dëmtojnë punëtorët”, thekson Jovanoviq.

    LIGJ I PAQARTË

    Nga Sindikata e Arsimit dhe ajo Administratës kanë dalë kundër Ministrive të shoqërisë informatike dhe punës dhe politikës sociale, duke e konsideruar atë kundër kushtetutës, të paqartë dhe me ulje të të drejtave të punëtorëve. Sindikalistët kërkojnë që të tërhiqet dhe përpunohet ligji i propozuar për pagat, por ministritë që preken nga ky ligj thonë se nuk ka asgjë të diskutueshme dhe nëse gjendet një nen që është kundër të drejtave të punëtorëve, ai do të korrigjohet menjëherë.“Me ligjin e ri për paga nuk do të ketë më marrëveshje kolektive dhe dispozita për përcaktimin e pagave. Njëherësh çështja kryesore është se sërish koeficienti apo pikët për ndërlikueshmëritë në vendin e punës do të përcaktohet nga ana e Ministrisë së Financave. Apo qeveria do ti propozojë Kuvendit që do ta miratojë në mungesë të dialogut social“, thotë Slobodan Trendafillov nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.

    Nga Sindikata e Administratës thonë propozimi ligji është antikushtetues, pasi në kushtetutë thuhet se pagat paguhen me ligj dhe kontratë kolektive, ndërsa në propozim ligjin e propozuar kemi një dispozitë që thotë se po kthehen rregulloret me të cilat paguhen rrogat.

    Nga Sindikata e Arsimit thonë se me këtë propozim-ligj nën sistemin e pagave, nënkuptohet një grup rregullash të cilat janë të detyrueshme për përcaktimin e pagave të të gjithë punonjësve në sektorin publik, të cilat janë kundër rregullave evropiane dhe ndërkombëtare për dialog social dhe marrëveshje kolektive. Gjithashtu duke kundërshtuar ligjin e ri shtojnë se pagat dhe shtesat mund të kufizohen dhe reduktohen në varësi të kushteve që përcakton ky ligj. Kjo do të thotë se sindikatat dhe marrëveshjet kontratat kolektive nuk do të ishin në funksion për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve, që mund t’i dërgojë punëtorët në një pozicion të pasigurisë juridike, vlerësojnë nga Sindikata e Arsimit. Ndër më shumë pika që kundërshtohen janë edhe ajo se metodologjia për analizën e punës dhe klasifikimin e vendeve të punës do të rregullohet me dekret qeveritar, që do të thotë se sindikata nuk merr pjesë në këto procese.

    SISTEM I BESUESHËM I PAGAVE NË SEKTORIN PUBLIK

    Mirëpo për dallim nga përfaqësuesit e punëtorëve, përfaqësuesit e qeverisë thonë se për herë të parë që nga pavarësia, në vend do të vendoset një sistem i besueshëm i pagave në sektorin publik. Nga Ministria e Punës thonë se pasojnë debatet publike mbeten në vazhdim, dhe do të mblidhen mendime nga të gjithë të interesuarit. Shtojnë se është me rëndësi se do të vendoset rregull një herë e përgjithmonë në sektorin publik ku nuk do të mund që një drejtor në ndërmarrje publike që është nën kompetencën e tij, të ketë paga më të lartë se një ministër. Pra synohet të eliminohen boshllëqet në zgjidhjen aktuale. ”Tani kemi paga të ndryshme për të njëjtën punë në institucione të ndryshme. Qëllimi i këtij ligji është të vendoset një tavan i pagës më të lartë në çdo veprimtari dhe në çdo fushë , që të mos jetë ajo pagë të rritet. Njëherësh, do të përllogaritet paga nga ajo më e lartë teposhtë për vendet e tjera të punës sipas ndërlikueshëmrisë së punës”, thotë ministrja Jovanka Trençevska.

    Nga ky dikaster shtojnë se me ligjin e ri, parashikohet edhe rritje e vazhdueshme e pagave në sektorin publik. Ministrja thekson se ligji vendos një sistem që nënkupton rritje të vazhdueshme të pagave në sektorin publik, siç është sistemi i vendosur i pagës minimale dhe pensioneve. Pra, qeveria është e fokusuar në zgjidhje sistematike, jo në masa populiste. Në muajin mars, me rritjen e pagës minimale, të gjithë të punësuarit në administratën shtetërore, të cilët marrin pagë në përputhje me Ligjin për nëpunësit administrativë, do të marrin pagë më të madhe për aq për qind sa diferenca, apo përqindja e rritja e kostos së jetesës dhe rritja e pagës mesatare, thekson Trençevska. Në ndërkohë në propozim Ligjin e ri për paga parashikohet që institucione të ndryshme, vetëm nëse kanë buxhet për të, do të mund të paguajnë shtesa për pagën bazë të punëtorëve, si për shembull për mbajtjen e punëtorëve, shpërblimet e ekipit, për punë të ekspozuar ndaj rrezikut të lartë, për punën e natës, për punë në distancë dhe për punë me turne etj. Të gjithë punonjësit do të paguhen në mënyrë që paga minimale të shumëzohet me një pikë të caktuar, pasi paraprakisht të jetë bërë klasifikimi i vendeve të punës me dekret të qeverisë dhe vlera e pikës për nivelin e vendit të punës shkruhet si unike për të gjithë punonjësit në sektorin publik. Kjo do të votohet nga Kuvendi me propozim të Qeverisë një herë në vit gjatë periudhës kur do të paraqitet buxheti i shtetit për vitin pasardhës. Pagat do të krahasohen edhe me sektorin privat dhe do të bëhen tabela me titujt e vendeve të punës që do të përcaktohen nga secili institucion veç e veç. /koha/

    Lajmi Paraprak

    RMV, rrugët që po marrin jetë!

    Lajmi i rradhës

    Kthimi i vetos për Shkupin, një gabim i madh

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë