Ku e gjen Rusia shpëtimin?

    Nga koha kur Rusia pushtoi Ukrainën, më 24 shkurt, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera perëndimore miratuan disa paketa sanksionesh, që kanë në shënjestër industrinë ruse të energjisë – kryesisht naftën, gazin dhe qymyrin.

    Këto vende po bëjnë gjithashtu përpjekje që të heqin qafe varësinë e tyre nga furnizimet me energji ruse.

    Pas bombardimeve pranë termocentralit të Zaporizhjës në Ukrainë, presidenti i këtij vendi, Volodymyr Zelensky, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të dalë me një përgjigje më të fortë dhe t’i ndalojë importet ruse nga një sektor tjetër: energjia bërthamore.

    Por, bllokimi dhe zëvendësimi i dërgesave ruse të uraniumit, reaktorëve dhe teknologjisë bërthamore në pjesën tjetër të botës, është më lehtë të thuhet sesa të bëhet.

    Rusia luan një rol vendimtar në “ciklin bërthamor” të botës.

    Nuk janë vetëm minierat

    Rusia është ndër pesë vendet me burimet më të mëdha të uraniumit në botë. Vlerësohet se ka rreth 486.000 tonelata uranium – ekuivalente me 8 për qind të furnizimit global.

    Megjithatë, Rusia është prodhuese relativisht e vogël e uraniumit të papërpunuar. Në vitin 2021, ajo prodhoi vetëm rreth 5 për qind të uraniumit botëror nga minierat.

    Por, nxjerrja e uraniumit është vetëm një pjesë e procesit bërthamor. Uraniumi i papërpunuar nuk është i përshtatshëm si lëndë djegëse për centralet bërthamore. Ai duhet të rafinohet në koncentrat uraniumi, të shndërrohet në gaz dhe më pas të pasurohet. Dhe për këtë, Rusia shquhet.

    Në vitin 2020 ishin vetëm katër fabrika të konvertimit që funksiononin në mënyrë komerciale – në Kanada, Kinë, Francë dhe Rusi. Rusia ishte lojtarja më e madhe, me pothuajse 40 për qind të infrastrukturës totale për konvertimin e uraniumit. Dhe, për këtë arsye, prodhoi pjesën më të madhe të uraniumit në formë gazi – i quajtur uraniumi heksafluorid.

    E njëjta gjë vlen edhe për pasurimin e uraniumit – hap tjetër në ciklin bërthamor. Sipas të dhënave të vitit 2018 – të fundit të disponueshme – ky kapacitet u shpërnda midis lojtarëve kryesorë, por Rusia kishte pjesën më të madhe – rreth 46 për qind.

    Prandaj, Rusia është një furnizuese e rëndësishme, si e uraniumit, ashtu edhe e shërbimeve të pasurimit të uraniumit. Sipas të dhënave më të fundit të disponueshme, Bashkimi Evropian bleu rreth 20 për qind të uraniumit natyror dhe 26 për qind të shërbimeve të pasurimit nga Rusia në vitin 2020. Shtetet e Bashkuara importuan rreth 14 për qind të uraniumit dhe 28 për qind të të gjitha shërbimeve të pasurimit nga Rusia më 2021.

    A i përmendi dikush reaktorët bërthamorë?

    Reaktorët bërthamorë, të prodhuar në Rusi, njihen si VVER. Këta reaktorë përdorin ujin si ftohës dhe si moderator dhe fillimisht janë zhvilluar në Bashkimin Sovjetik. Ekzistojnë disa versione të VVER-ve, si VVER-440 dhe VVER-1000, ku fuqia bën dallimin.

    Aktualisht, janë 11 vende ku operojnë lloje të ndryshme VVER, përfshirë: Bullgarinë, Republikën Çeke, Hungarinë dhe Finlandën. Për më tepër, vende të tjera, si Egjipti, Turqia dhe Argjentina, i kanë këta reaktorë në ndërtim e sipër ose planifikojnë t’i ndërtojnë.

    Rusia konsiderohet lidere botërore kur bëhet fjalë për eksportin e reaktorëve bërthamorë. Midis viteve 2012 dhe 2021, Rosatom filloi ndërtimin e 19 reaktorëve bërthamorë – 15 prej të cilëve nisën jashtë vendit. Shifra është shumë më e lartë se ajo e vendeve të tjera: Kinës, Francës dhe Koresë së Jugut. Kina filloi ndërtimin e 29 reaktorëve gjatë së njëjtës periudhë, por vetëm dy prej tyre u nisën jashtë vendit. Franca filloi ndërtimin e dy reaktorëve jashtë vendit, ndërsa Koreja e Jugut të katër të tillëve.

    Mos harroni karburantin!

    Për të funksionuar reaktorët, centralet kanë nevojë për furnizim të rregullt me karburant bërthamor – zakonisht një lloj të caktuar të karburantit. Dhe këtu mund të vërehet një nivel tjetër i varësisë nga Rusia. Edhe pse ka disa furnizues në treg, kompania ruse e karburanteve, TVEL, është aktualisht furnizuesja e vetme e autorizuar me karburantin e nevojshëm për VVER-440.

    Disa vende mbështeten në dërgesat ruse dhe ka rrezik t’i ndalojnë përkohësisht operacionet në objektet e tyre. Për shembull, Sllovakia ka katër nga këta reaktorë bërthamorë; Republika Çeke ka dy.

    Westinghouse, një kompani amerikane e energjisë bërthamore, është duke kërkuar mënyra për t’i ofruar Evropës lëndë djegëse alternative, por do t’i duhet pak kohë për t’i siguruar të gjitha licencat dhe miratimet. Përveç kësaj, ka shqetësime se karburantet nga Shtetet e Bashkuara mund të jenë më të shtrenjta.

    Rusia, po ashtu, mund të bëjë furnizime me uranium të pasuruar më pak – i njohur si HALEU. Është një lloj karburanti që do të nevojitet për reaktorë më të avancuar, që janë në zhvillim e sipër nga shumë kompani në Shtetet e Bashkuara.

    Sipas Zyrës Amerikane të Energjisë Bërthamore, posedimi i HALEU-së është thelbësor për zhvillimin e reaktorëve. Karburanti tani është i disponueshëm në sasi të kufizuar në SHBA dhe Uashingtoni po kërkon opsione për të financuar kërkimin dhe zhvillimin e burimeve të reja të tij. Aktualisht, furnizuesi i vetëm i karburantit në shkallë tregtare është Tenex i Rusisë – në pronësi të kompanisë shtetërore ruse, Rosatom.

    Në kërkim të tregjeve të reja

    Shitja e teknologjisë bërthamore është gjithashtu pjesë e përpjekjeve të Rusisë për të rritur ndikimin dhe për të përfituar nga vendet që janë të reja në fushën e energjisë bërthamore. Një nga arsyet përse vendet duan të bashkëpunojnë me Rusinë, është se ajo ofron “gjithë paketën”. Rusia, jo vetëm që mund të ndërtojë një central bërthamor dhe të furnizojë me karburante, por gjithashtu trajnon specialistë lokalë, ndihmon me çështjet e sigurisë, drejton programe bursash dhe asgjëson mbetje radioaktive.

    Megjithatë, ofrimi i kredive tërheqëse është ndoshta mjeti më i fuqishëm i Rusisë. Këto kredi, zakonisht, mbështeten nga subvencionet qeveritare dhe mbulojnë së paku 80 për qind të kostove të ndërtimit. Për shembull, Rusia i ka dhënë tashmë Hungarisë 10 miliardë dollarë hua, Bangladeshit 11 miliardë dollarë dhe Egjiptit 25 miliardë dollarë – të gjitha këto mjete për të ndërtuar termocentrale bërthamore.

    Rusia ka reaktorë bërthamorë që operojnë në 11 vende dhe të tjerë janë në ndërtim ose në planifikim. Përveç kësaj, Rusia ka nënshkruar edhe memorandume mirëkuptimi ose marrëveshje ndërqeveritare me së paku 30 vende në mbarë botën, kryesisht në Afrikë.

    Disa ekspertë paralajmërojnë se vendet afrikane mund të mos jenë gati për energji bërthamore, por Rusia thotë se ajo është zgjidhje për kërkesën në rritje të kontinentit për energji elektrike. Vlen gjithashtu të theksohet se vendet afrikane përbëjnë bllokun më të madh të votimit në Kombet e Bashkuara – gjë që mund të jetë një arsye tjetër për Rusinë për t’i forcuar lidhjet me rajonin.

    Më 27 gusht, Budapesti konfirmoi se Rosatom i Rusisë do të fillojë ndërtimin e dy reaktorëve të rinj bërthamorë në Hungari. Ky informacion erdhi në kohën e akuzave të ndërsjella midis Ukrainës dhe Rusisë për granatimin e centralit bërthamor të Zaporizhjës në Ukrainë. Zelensky paralajmëroi për rrezikun e ndonjë rrjedhjeje radioaktive dhe akuzoi Rusinë për “shantazh bërthamor”. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Përsiatje në kotësinë e pafund të një sezoni provimesh

    Lajmi i rradhës

    Arsovska kritikon ashpër Mickoskin: Ku jeni fshehur, nuk jeni as i aftë, as i guximshëm (Video)

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë