Përsiatje në kotësinë e pafund të një sezoni provimesh

    Redi Muçi

    “E ke parasysh atë kushëririn tim që është i forti i lagjes? I ka hipur në mendje të bëjë shkollë të lartë.”

    Kështu nisi biseda me shoqen time, ku vegimit romantik të një “të forti” të cilin pasioni e shtyn të braktisë rrugicat e lagjes për t’u kuturisur thellësive blu-të kaltra të ndonjë dege ekzotike studimi – si aramaishtja e lashtë apo paleontologjia – ia la vendin përfytyrimit të makthshëm të një situate hipotetike në të cilën nga pozita e pedagogut i kërkoj të më dorëzojë detyrën e kursit, teksa ai me dorën mbrapa potureve firmato po rrëmon për të gjetur patllaken.

    Afërmendsh gjasat janë që realiteti t’i përafrohet më shumë situatës të dytë sesa të parës, pasi universiteti sot shihet më tepër si një hap i nevojshëm – edhe pse shumë i bezdisshëm – që duhet hedhur për t’u “rregulluar” në ndonjë punë. Njësoj si ato ligjet arkaike të kohës së Nues, që s’i hyjnë në punë as dreqit, por që për forcë të zakonit a sa për sy e faqe duhen përmbushur për të thënë që i ke letrat në rregull. Dhe kjo jo vetëm për një “të fortë”, por për masën e gjerë studentore.

    Nuk është më kurreshtja për fushën e studimit – lëre më pasioni – ajo që i shtyn studentët të ulen në bankat e universitetit. Jeta në kryeqytet pjesën dërrmuese të tyre e ka kthyer në punëtorë me kohë të plotë. Në shekullin e shkuar punëtorët ia dolën të fitonin të drejtën për 8 orë punë, 8 orë pushim dhe 8 orë gjumë brenda 24-orëshit. Për studentët e sotëm, hapësira kohore e mbetur mes leksioneve dhe “pronto signora sono Laura” vështirë se mund të shërbejë për tjetër gjë veç përmbushjes së nevojave fiziologjike.

    Nga heshtja e sallës së provimit më bluhen në kokë dyshime mbi kotësinë e ekzistencës. Është sezon provimesh dhe, siç e do tradita, edhe këtë herë përballem me shprehjen “po ne një copë 5 duam”, përçuar nga sy ku përzihet përulësia me respektin e shtirur. Janë sy që sikur të thonë: “Rrugët na u kryqëzuan, por s’ke pse na e bën të vështirë.” Respektin nuk e ka më kush ia ka dalë të orientojë studentët në shtegun e vështirë drejt njohurive shkencore. I respektuar është pedagogu që i bie shkurt, i shpërndan notat si të ishin kumbulla ku ca dalin të krimbura e ca të mira, po me pak servilosje mund t’ia marrësh një kumbull të mirë nga torba.

    Të gjithë studentët hyjnë në provim me kopjen në xhep – edhe ata që duan thjesht të hedhin lumin, edhe ata që synojnë një notë më të mirë. Kopja është kthyer në një hajmali që duhet mbajtur gjithmonë me vete, mundësisht e qepur te tegeli i kanatjeres. Edhe po s’e përdore, ajo prapë ka fuqi çudibërëse. Përgatitja e kopjes natën para provimit është kthyer në një ritual pagan – që sakën se neglizhohet – e që ka zëvendësuar leximet në bibliotekë e përgatitjet e njëhershme. Kopjimi në vetvete ngelet gjithnjë një derë e hapur drejt së cilës mund të përvidhesh pa u vënë re, një negociatë e heshtur mes pedagogut-polic dhe studentit-kundërvajtës.

    Po pse dreqin u dashka bërë polici?! Pse të mos e kaloj atë 2-orëshin e provimit duke lexuar ndonjë gjë apo duke kundruar gjelbërimin nga dritarja e klasës? Cila është norma morale që duhet përmbushur? Fundja, ata “për një copë 5” janë munduar deri këtu. Atëherë mendja kuturiset nëpër dilema.

    Ka një variant që thotë kështu: Unë e kam bërë përpjekjen time që t’i bëj të kuptojnë pse kjo fushë është interesante dhe pse ia vlen të thartohen trutë, me të gjitha mënyrat e kufizuara të mësimdhënies që na ofron Ministria jonë e dashur e Arsimit. Provimi është momenti ku secili dëshmon punën dhe përkushtimin që ka patur gjatë semestrit. Atëherë, që të jem i drejtë me të gjithë, secilit duhet t’i jap atë që i takon.  

    Mirëpo ka edhe një variant të dytë që thotë: Kush ka mësuar e ka bërë për veten e vet. Atyre që prindërit nuk u blejnë makina, që me ato pak mundësi financiare u duhet të alternohen mes fakultetit dhe call centre-it, a nuk u duhet lënë një hapësirë manovrimi? Fundja, të gjithë e kanë kopjen në xhep. O burra! Unë po kthej sytë nga zogjtë jashtë dritares…

    Po halli është se si i bëhet me militantët e partisë, patronazhistët që servilosjen e kanë kthyer në art dhe që nesër i takon si drejtorë hipotekash? Si i bëhet me kalamajtë e burokratëve të provincës që hyjnë në oborr me Range Rover? Si i bëhet me drejtorin e drejtorisë që ka vendosur të marrë edhe ai diplomë?

    Dhe kështu vijmë në këtë çorbën që e kemi gatuar për 30 vjet, ku ca bëjnë sikur bëjnë mësim e ca bëjnë sikur mësojnë; ca bëjnë sikur bëhen doktorë shkencash e ca bëjnë sikur i vlerësojnë; ca bëjnë sikur bëhen e ministra e ne të gjithë bëjmë sikur i besojmë. Fundja, Kaligula emëroi kalin e tij konsull. /teza11/

    Lajmi Paraprak

    Dimër lufte

    Lajmi i rradhës

    Ku e gjen Rusia shpëtimin?

    Lajme tjera

    Quo vadis Ballkan!?

    Donika Hamiti Për dekada me radhë, rajoni i Ballkanit është gjendur në udhëkryqe, konflikte, dilema e mosmarrëveshje të…
    Më tepër

    Bashkohu

    Informohu në kohë