Kujdestarë për pleqtë e vetmuar! Migrimi i Qendër Zhupës arrin në 8o për qind

    Në Komunën rurale Qendër Zhupë, e cila deri vonë ka qenë territor i Komunës Dibër, migrimi ka marrë përmasa shqetësuese. Të dhënat e pushtetit vendor thonë se afër 80 për qind e popullatës kanë migruar dhe në fshatrat të Komunës, pjesa e mbetur janë kryesisht të moshuar. Migrimi masiv nisi që para 25 viteve, kur për shkak të sigurimit të ekzistencës, popullata mori rrugën e kurbetit edhe atë së pari në Itali e pastaj edhe në shtetet tjera të Europs siç është Gjermania, Zvicra, Franca… Migrimi masiv sidomos i të rinjve la një numër të madh të pleqve në shtëpitë e tyre të vetmuar. Në vendbanimet rurale, në këtë komunë multietnike ku jetojnë edhe shqiptarë, me qëllim që t’u ndihmohet të moshuarve të vetmuar, janë angazhuar përkujdesës falë një projekti të pushtetit vendor, Ministrisë për Punë dhe Çështje Sociale, ndërsa e mbështetur financiarisht edhe nga Banka Botërore në kuadër të projektit për përmirësimin e shërbimeve sociale. Ky projekt është mbështetur edhe nga Kryqi i Kuq i Maqedonisë, ndërsa besohet se tani – për të moshuarit do të ketë një përkujdesje adekuate.

    Kryetari i Komunës Qendër Zhupë, Arjan Ibraim, thotë se pas trajnimit disamujor në kuadër të projektit për përkujdesje për persona të moshuar dhe personat me nevoja të veçanta, janë angazhuar 25 persona mes të cilëve ka meshkuj dhe femra nga Komuna Qendër Zhupë që do të ndihmojnë pleqtë. “Është një problem shumë i madh meqë për shkak të migrimit masiv të të rinjve, tani pleqtë kanë mbetur të vetëm. Projekti definitivisht jep mundësi për një jetë më të lumtur për të moshuarit e vetmuar , të cilët kanë edhe probleme të shumta shëndetësore”, thotë për gazetën KOHA, Arjan Ibraim. Kryetari i Këshillit të Komunës, Fehmi Skender, na informoi se nuk ka fshat të Qendër Zhupës ku nuk ka pleq të vetmuar. “Angazhimi i përkujdesësve do të ndihmojë shumë këta pleq, të cilët me fëmijët e tyre takohen vetëm gjatë pushimeve verore dhe dimërore”, thotë Skender. Megjithatë, jo vetëm te maqedonasit-muslimanë fshatrat kanë mbetur vetëm me të moshuar. Kjo situatë është edhe në fshatin Ballancë, e banuar me shqiptarë, tregon Muzafer Iseni, këshilltar në në Komunën Qendër Zhupë. Ai na informoi se Ballanca shqiptare është zbrazur dhe në të jetojnë disa familje dhe kryesisht pleq. “Të gjithë janë në Itali dhe Gjermani…”, na thotë Iseni.

    Duke komentuar periudhën e trajnimit, përfaqësuesi i organizatës komunale të Kryqit të Kuq në Dibër, Isni Telqiu, thotë se interesimi për përkujdesës mes të rinjve ka qenë i madh. Tani, personat që morën licencën e përkujdesësve janë të përgatitur të ndihmojnë pleqtë e vetmuar, shprehet Telqiu. “Këta persona do të kujdesohen edhe për shëndetin e të moshuarve”, përfundon Telqiu. Takuam plakun 82-vjeçar, Arifin, i cili jeton i vetmuar në vendbanimin Qendër Zhupë, vendbanim i cili është edhe qendra administrative e Komunës. Ai tregon se tre fëmijët me familjet e tyre jetojnë në Itali, ndërsa në Qendër Zhupë vijnë vetëm gjatë verës. “Disa herë kam qenë në Itali, por atje nuk kam mundur të jetojë. Është një botë krejt tjetër”, thotë 82-vjeçari. Ndryshe, në realizimin e projekti për përkujdesës, një rol të veçantë ka edhe Qendra Ndërkomunale për Punë Sociale në Dibër, e cila ka dhënë një kontribut të madh në trajnimin e kandidatëve për përkujdesës. Po ashtu, ky institucion nëpërmjet kuzhinës popullore deri vonë u ka shërbyer ushqime një pjesë të të moshuarve në Zhupë, dhe tani është përsëri gati të vazhdojë këtë aktivitet.

    Lajmi Paraprak

    Gastronomët e brengosur

    Lajmi i rradhës

    “Open Balkan” mbetet tre me tre!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë