“Open Balkan” mbetet tre me tre!

    Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina definitivisht nuk do të jenë pjesë e projektit “Open Ballkan”, projekt ky i iniciuar nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Fokusi i tre shteteve të para mbetet Tregu i Përbashkët Rajonal i konfirmuar në Samitin e Sofjes dhe në Berlin.  “Mali i Zi është e fokusuar në Tregun e Përbashkët Rajonal, një iniciativë në kuadër të Procesit të Berlinit, e cila është më e përshtatshme për vendin sesa ajo e ‘Open Ballkan’”, thotë kryenegociatorja e Malit të Zi me Bashkimin Evropian (BE), Zorka Kordiç. Edhe Qeveria Kurti kërkon bashkëpunim vetëm në marrëveshjet e Procesit të Berlinit

    “Ballkani i Hapur” (Open Ballkan) në fakt do të jetë me vetëm tre shtete dhe jo me gjashtë siç kishte parashikuar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Qeveria e Kosovës dhe ajo e Malit të Zi dje përfundimisht e kanë refuzuar nismën e bashkëpunimi rajonal të ashtuquajtur “Open Balkan”. Në vend të kësaj, ekzekutivet e dy shteteve thonë se fokusi do të mbetet në jetësimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, për të cilin ishin pajtuar liderët e Ballkanit Perëndimor vitin e kaluar 2020 në Samitin e Sofjes në Bullgari, ndërsa më parë edhe në Berlin të Gjermanisë.

    Jeton Zulfaj, këshilltar politik i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka treguar dje se çfarë qasje do ta këtë Republika e Kosovës karshi Iniciativave Rajonale. “Dy herë, Komisioni Evropian dhe Gjermania përmes ‘Procesit të Berlinit’ e kanë refuzuar idenë e Novi Sadit për Mini Shengenin, njëherë në Trieste dhe herën e fundit në Sofje, duke ardhur me ide të cilat janë në kuadër të agjendës evropiane”, tha Zulfaj. Ai po ashtu tregoi se a do të firmos Kurti katër ujdi që Gjermania si themeluese e “Procesit të Berlinit” po kërkon te nënshkruhen më 6 tetor kur në Slloveni pritet të takohen liderët e rajonit dhe ata të Bashkimit Evropian. “Ato marrëveshje nuk janë kërkuar të nënshkruhen asnjëherë. Ato marrëveshje janë në diskutim. Serbia është ajo që ka vendosur kushte të paplotësueshme duke synuar që ta trajtojë Kosovën në mënyrë të pabarabartë. Si të tilla marrëveshjet nuk kanë ardhur për nënshkrim te asnjë kryeministër, jo vetëm te kryeministri Kurti”, tha ai.

    Në ndërkohë, edhe nga Podgorica zyrtare kanë arritur deklarata se Mali i Zi nuk do të jetë pjesë e “Open Ballkan”. Kryenegociatorja e Malit të Zi me Bashkimin Evropian (BE), Zorka Kordiç, thotë se Qeveria në Podgoricë ka mbështetur vetëm zbatimin e iniciativave rajonale, si instrument për pranimin më të shpejtë në BE. “Mali i Zi është e fokusuar në Tregun e Përbashkët Rajonal, një iniciativë në kuadër të Procesit të Berlinit, e cila është më e përshtatshme për vendin sesa ajo e ‘Open Ballkan’ e nisur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Ne e mbështetim vetëm zbatimin e iniciativave rajonale, si instrument për pranimin më të shpejtë në BE. Kjo meqenëse Mali i Zi është vendi më i përparuar në rajon kur është fjala për procesin e integrimit në BE”, tha Kordiç, ndërkohë që përsëriti kërkesën për përqëndrim kryesisht në zbatimin e Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal nën kujdesin e Procesit të Berlinit, si një nismë politike që përfshin të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

    “Tregu i Përbashkët Rajonal ishte më gjithëpërfshirës sesa ‘Open Ballkan’, sepse trajton infrastrukturën digjitale, inovacionin dhe një politikë të vetme investimi sipas standardeve të BE-së, përveç katër lirive të lëvizjes. Kjo është pjesë e aspiratës sonë për anëtarësim në BE, e cila siguron një kornizë për përdorimin e fondeve nga plani ekonomik dhe investues për Ballkanin Perëndimor me vlerë 9 miliardë euro”, tha ajo. Po ashtu, vijoi më tej ajo, masat e hershme të integrimit, në kontekstin e metodologjisë së rishikuar të pranimit në BE, “mund të arrihen më mirë përmes një tregu të përbashkët rajonal”, ka thëne ajo. Sipas Kordiç, kjo është një iniciativë “më gjithëpërfshirëse” sesa “Open Ballkan”.

    Iniciativën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, atij të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e ka kundërshtuar edhe Bosnjë e Hercegovina si shteti i gjashtë i Ballkanit Perëndimor. Zyrtarë të Sarajevës kanë ritheksuar se nuk do të jenë pjesë e “Open Ballkan”, ndërsa njëjtë sikurse Kosova e Mali i Zi, kërkojnë të nis implementimi i Tregut të Përbashkët Rajonal sipas planit dhe marrëveshjeve nga Samiti i Berlinit.

    Ndryshe, të enjten e 29 korrikut, Rama, Zaevi dhe Vuçiçi u mblodhën në Shkup për Forumin Ekonomik të Bashkëpunimit Rajonal. Tre zyrtarët e lartë konkretizuan dy marrëveshje të reja në kuadër të implementimit të katër lirive themelore të Bashkimit Evropian. Dy marrëveshje të reja dhe një memorandum, i cili do të nënshkruhet përfundimisht në një vend të dytë, u firmosën nga tre krerët e tre shteteve të Ballkanit Perëndimor. Marrëveshja e parë dhe më e rëndësishme u tha se është ajo e tregtisë së lirë midis tre vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në vitin 2023 do të hyjë në fuqi kalimi tërësisht i lirë i qytetarëve dhe mallrave midis Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. “Korsi të shpejta” do të quhen pikat e dedikuara doganores, për të lejuar lëvizjen e lirë midis tre shteteve. Pritet që janari i vitit 2023 të faktojë marrëveshjen dhe të lejojë lëvizjen e lirë. Marrëveshja e dytë është ajo në kuadër të “agjendës së gjelbër”. Në të përfshihet mbrojtja dhe shpëtimi nga katastrofat natyrore për Ballkanin Perëndimor. Kjo agjendë synon njëkohësisht njehsimin me atë evropiane.

    Memorandumi i përket lirisë së punës në tre vendet. Për shkak se Serbia dhe Maqedonia e Veriut ende nuk e kanë përshtatur legjislacionin me atë të Shqipërisë, pritet që ky memorandum të kthehet në marrëveshje, pasi dy vendet e tjera ta kenë përafruar ligjin. Kur më pas të kthehet në marrëveshje dhe të hyjë në fuqi, qytetarët e tre vendeve nuk do të kenë më pengesa në gjetjen e punës midis tre shteteve. Pra, një koncept tërësisht identik me atë të Bashkimit Evropian.

    “OPEN BALKAN” I MIRËPRITUR NËSE KOORDINOHET ME PROCESIN E BERLINIT

    Franca e presidentit, Emmanuel Macron, është më e hapur sa i përket qëndrimit për iniciativën “Open Balkan” të treshes Rama-Vuçiq-Zaev. Burime diplomatike nga Parisi i kanë thënë Gazetës Express se kur flitet për avancimin e bashkëpunimit rajonal, mbështesin synimet e tregut të përbashkët në kuadër të Procesit të Berlinit dhe potencojnë se nisma “Open Ballkan” ofron një mundësi të mirëpritur me kushtin që e njëjta koordinohet më punën në vazhdimësi që po bëhet në kuadër të Procesit të Berlinit. Francezët gjithashtu theksojnë se duhet bërë përparim në punën në kuadër të Procesit të Berlinit teksa afrohet Samiti i radhës Bashkim Evropian-Ballkan Perëndimor që do të mbahet më 6 tetor. “Ne mbështesim fuqizimin e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor, që është jetik për zhvillimin ekonomiko-social dhe për lidhje me të ngushta me Evropën. Ky bashkëpunim është vendosur për të përfshirë gjashtë vendet në rajon dhe të vazhdohet në standardet dhe parimet evropiane. Për shembull, ne mbështesim synimin e tregut të përbashkët rajonal të shpallur në Samitin e Sofjes në kuadër të Procesit të Berlinit (10 nëntor 2020). Në këtë kontekst, iniciativa Open Ballkan e nisur më 29 korrik 2021 nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ofron një mundësi të mirëpritur për të bërë përparim në këtë drejtim, me kusht që të jetë e koordinuar me punën në vazhdim e sipër në kuadër të Procesit të Berlinit – punë e cila duhet të avancojë në prag të Samitit të ardhshëm të Bashkimit Evropian-Ballkani Perëndimor”, ka thënë një burim diplomatik./Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Kujdestarë për pleqtë e vetmuar! Migrimi i Qendër Zhupës arrin në 8o për qind

    Lajmi i rradhës

    Prej sot qytetarët e RMV-së mund t’i marrin letërnjoftimet e reja

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë