KULTIVIMI I DUHANIT NË RMV, PERSPEKTIVË E ZYMTË

    Prodhuesit e duhanit në vend kërkojnë rritje të çmimit grumbullues prej 20 deri 35 për qind të shtyrë nga rritja e madhe e harxhimeve jetësore si dhe rritja e kostos së punës. Mirëpo nga ana tjetër, ekspertët bujqësor thonë se vendi duhet të bëjë kujdes që me afrimin e procesit të anëtarësimit në BE, mund të pritet të ulen sipërfaqet të mbjella me duhan si rrjedhojë e uljes së konsumit të duhanit në botë, rishqyrtimin e modelit aktual të subvencioneve dhe më shumë faktorëve të tjerë.

    Nga ana tjetër, prodhuesit e duhanit kërkojnë rritjen e çmimit grumbullues në të ardhmen. Këtë e mbështesin në rritjen e kostos së prodhimtarisë por edhe në inflacionin e madh që po zhvlerëson djersën dhe mundin e tyre. Një pjesë e prodhuesve të duhanit kërkojnë që çmimi grumbullues i ri të jetë afër 420 denarë dhe jo 360 denarë denarë. Me fjalë të tjera kërkohet rritje e çmimit grumbullues mesatar për 35 për qind në vend se 20 për qind. Këtë e arsyetojnë me faktin se një pjesë e konsiderueshme e duhanit vlerësohet në klasin e dytë, apo me çmim edhe më të ulët se ai mesatar.

    VLERËSIM REAL

    Vasko Josifovski nga shoqata “Shpresa e duhanit” thotë se rritja prej 20 për qind e kërkuar nga Lidhja e Shoqatave Bujqësore nuk do ta rrisë realisht çmimin e duhanit. Për më tepër shton se një pjesë e kultivuesve të duhanit po fitojnë edhe kontrata të nënshkruara që nuk kanë mundësi ti refuzojnë, ndërsa ato po grumbullojnë të dhënat dhe do ti dorëzojnë në Inspektoratin Bujqësor Shtetëror.

    Në ndërkohë çmimi i grumbullimit të duhanit ka arritur në 300 denarë për kilogram për klasin e parë, 240 denarë për të dytin dhe 180 denarë për të tretin. Nga kjo shoqatë thonë se duke marrë parasysh se kostoja e prodhimit të duhanit është 240 denarë, së bashku me rreth 30 për qind të një lloji të të ardhurave minimale për prodhuesin e duhanit, atëherë fitohet çmim prej 312 denarë për kilogram.

    “Po flasim për një vlerësim normal duke e ditur se rritja e çmimit të duhanit nuk guxon të jetë nën 35 deri në 40 për qind që të kemi një vlerësim real si dhe fitim deri diku për prodhuesit me qëllim që të jenë të kënaqur prodhuesit e duhanit”, thekson Josifovski. Nga Lidhja e Shoqatave Bujqësore, apelojnë ndaj prodhuesve të duhanit të mos i nënshkruajnë kontratat që ju ofrohen me çmimet e deritanishme, ndërsa kërkojnë rritje të çmimit grumbullues për 20 për qind. Njëherësh për një kilogram të duhanit të dorëzuar tek tregtarët fitohet edhe 80 denarë subvencion shtesë, 70 denarë fitohet për klasën e dytë, dhe 60 denarë për të tretën dhe të tjerat.

    TRENDET TREGOJNË TKURRJEN E DUHANIT

    Në ndërkohë ekspertët e kësaj fushe presin ndryshime të rëndësishme në kultivimin vendor të duhanit të imponuara nga trendet botërore. Apo me fjalë të tjera në vitet e ardhshme do të zhvillohen më shumë procese në botë që do të ndikojnë edhe në prodhimtarinë vendore të duhanit.

    Sipas ekspertit Mile Markovski, presioni i parë do të jenë mekanizmat e tregut. Gjithashtu paralelisht me uljen e trendit të pirjes së duhanit, që ndikon në kërkesën e përgjithshme për duhan, mund të pritet një rritje e prodhimit të duhanit oriental nga disa prodhues jo tradicionalë, si Libani, Tajlanda e të tjerë. Edhe pse kualiteti i duhanit të Maqedonisë është i lartë, duhani oriental do t’i sigurojë atij pozitë të përshtatshme në tregun botëror. Një tjetër element që do të ndikojë në atraktivitetin e kultivimit të duhanit janë të ardhurat, pra fitimi i arritur për njësi të sipërfaqes së mbjellë.

    Sipas tij, pas hyrjes së vendit në BE do të duhet të braktiset sistemi aktual i subvencionimit të fermerëve në bazë të sasisë së duhanit të prodhuar, gjë që do të kontribuojë në uljen serioze të atraktivitetit të kultivimit të kësaj kulture. Ai shton se duhet të pritet presion i lehtë nga bashkësia ndërkombëtare, përfshirë edhe BE-në, në mënyrë që Maqedonia të zvogëlojë sipërfaqet në të cilën kultivohet duhan.

    “ Zvogëlimi i kultivimit të duhanit, pa përgatitjen e një pjese të prodhuesve të duhanit, të cilët janë të gatshëm të kalojnë në kultivimin e kulturave alternative, do të kishte implikime negative ekonomike dhe sociale për shtetin, pra do të rezultonte me humbje të vendeve të punës dhe të ardhura të konsiderueshme që marrin prodhuesit e duhanit nga kultivimi i kësaj kulture, si dhe me humbjen e të ardhurave nga eksportet”, vlerëson Markovski.

    Ai sugjeron që fillimisht, ekspertë të fushës së bujqësisë dhe pedologë duhet të propozojnë një zgjidhje për kulturat e mundshme alternative bujqësore që do të zëvendësonin duhanin. Më pas, kulturat alternative duhet të sigurojnë efekte të njëjta ose më të mëdha se sa duhani në aspektin e të ardhura. Së treti, është e nevojshme të sigurohet mbështetje financiare dhe të tjera për fermerët që do të kalojnë nga kultivimi i duhanit në kultura të tjera, që do të harmonizohen me politikat e deritanishme të politikës së përbashkët bujqësore të BE-së.

    Dhe se katërti, në ekonominë e tregut, prodhuesit individualë të duhanit (në Maqedoni 58.4 për qind e tokës bujqësore nën duhan është në pronësi private, 27.9 për qind është marrë me qira nga individë privatë dhe vetëm 6,8 për qind është tokë shtetërore) vendosin vetë se çfarë do të prodhojnë, si do ta prodhojnë dhe për kë do ta prodhojnë.

    Në fund, përskaj subvencioneve, një komponent i rëndësishëm i modelit të rritjes së sipërfaqeve bujqësore me duhan me kultura bujqësore alternative është politika e grumbullimit të kulturave alternative bujqësore. Ndryshe, duhani është dega bujqësore tradicionale e shtetit, që është e orientuar drejt eksportit dhe që sjell të ardhura në deviza prej mbi 140 milionë euro në vit. Nga kjo veprimtari bujqësore ekzistojnë mbi 20 mijë familje. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Rreziqe që i kanosen trupit tënd nëse ha ëmbëlsira çdo ditë

    Lajmi i rradhës

    25 thënie motivuese nga Leon Tolstoi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë