Kandidatët për kryetar të komunës së Zhelinës kanë debatuar në #DebatPernime me Jeta Xharra në lidhje me programet e tyre politike që kanë në plan ta realizojnë për katër vitet e ardhshme për banorët e kësaj komune, përcjell Nistori.
Arsimi në këtë komunë ballafaqohet me disa probleme, mungesa e laboratorëve, mungesa e laptopëve për të gjithë nxënësit, mungesa e sallave sportive dhe nxënësit e fshatit Leshnicë akoma nuk kanë shkollë.
Nxënësit e fshatit Leshnicë edhe këtë vit nuk e gëzuan shkollën e re, shkollë e premtuar më shumë se një dekadë. Objekti i ri i shkollës gjendet në fazat përgatitore, ndërsa tani nxënësit detyrohen të mësojnë në mektebin e xhamisë.
Kandidatët u përplasën për mungesën e shkollës në Leshnicë, pasi kandidati i ASH-AAA, Mahir Ziberi deklaroi se deputetja e ASH-së, Ilire Dauti ka bërë një kërkesë në kuvend për të ndërtuar shkollën e këtij fshati. Sipas Ziberit ato mjete është dashur të kërkohen nga kryetari aktual dhe fillimisht të bëjë projektin dhe të realizojë ndërtimin e objektit të ri.
Ndërsa sipas Fatmir Izairit-BDI nuk është dashur të prishet objekti i vjetër i shkollës derisa të ndërtohet shkolla e re që mos të lihen nxënësit në këtë situatë. Dyshime sipas tij ka edhe në dokumentacione, gjegjësisht lejen e ndërtimit.
Por një gjë të tillë e hedh poshtë kryetari Blerim Sejdiu, sepse kjo shkollë duhej të ndërtohet në dy faza, njëra nga komuna dhe tjetra nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Faza e parë që i takon komunës është kryer si obligim, tani pjesën tjetër duhet ta ndërtojë MASH.
Kandidati i Lëvizjes Besa, Blerim Sejdiu, Fatmir Izairi – BDI dhe Mahir Ziberi nga radhët e koalicionit ASH-AAA u zotuan se kjo shkollë do të përfundojë që në vitin e parë të mandatit me komunën. /Nistori/