Në Maqedoninë e Veriut, për shumë maturantë, përfundimi i shkollës së mesme nuk është fillim i një etape të re në arsimin e lartë, por pikëpyetje e madhe mes tre zgjedhjeve që të gjitha kërkojnë sakrificë: studime të shtrenjta, zanate të mësuara për mbijetesë ose migrim i heshtur jashtë vendit. Dikur, diploma universitare ishte garanci për një të ardhme më të mirë, ndërsa sot, ajo shpesh perceptohet thjesht si një letër pa vlerë, apo një formë burokratike që nuk siguron as punë, as stabilitet.
Në rrënjët e këtij deziluzioni qëndrojnë faktorë të shumëfishtë, si rritja e standardit të jetesës, mungesa e bursave të mjaftueshme, mungesa e mbështetjes për studentët nga zonat rurale, por mbi të gjitha, realiteti i hidhur i një tregu pune që shpesh funksionon përmes lidhjeve personale dhe jo përmes meritës, që siç thonë studentët “edhe me diplomë e pa të, duhet të kesh dikë që të të fusë diku”, e kjo është një fjali që jehon në korridoret e shumë familjeve në vend.
TË RINJTË PO ZGJEDHIN ZANATIN MBI UNIVERSITETIN
Sipas të dhënave të fundit nga Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS), në vitin akademik 2023/2024 janë regjistruar gjithsej 52.316 studentë në institucionet e arsimit të lartë, që paraqet një rënie prej 2.8 për qind krahasuar me vitin paraprak. Në vitin e parë të studimeve janë regjistruar 15.330 studentë, përfshirë edhe ata që e përsërisin vitin e parë. Për këtë, maturantja Elira Mehmeti për gazetën Koha tha se ka zgjedhur një kurs për dizajn grafik, sepse fakulteti kushton shumë dhe nuk i ofron siguri për të ardhmen.
“Unë do ndjek një kurs për dizajn grafik dhe dua të hap një profil për punë të pavarur online. Universiteti kërkon vite dhe shumë para, por nuk të jep garanci. Kam parë plot të diplomuar që presin punë me vite”, tregon maturantja, e cila nuk është e vetmja që e sheh zanatin si një rrugë më të sigurt drejt të ardhmes. Ndërkaq, shkollat profesionale dhe qendrat e trajnimit kanë parë rritje të interesimit në vitet e fundit. Në mungesë të politikave efektive për lidhjen e arsimit me tregun e punës, vetë të rinjtë kanë filluar të orientohen drejt zgjidhjeve pragmatike: kurs të shpejtë, zanat që kërkohet në treg dhe mundësisht punë të pavarur që sjell të ardhura të menjëhershme.
DIPLOMA SI SIMBOL I BOSHATISUR
Edhe maturantja Advije Qamili, e cili ka aplikuar për universitet, është skeptike për studimet, pasi sipas saj, diploma nuk të siguron punë në profesion.
“Ka plot që përfundojnë fakultetin dhe pastaj punojnë në shitore, ose bëjnë ndonjë punë tjetër që nuk ka lidhje me profesionin. Nuk është çështje e njohurive, por e sistemit që nuk të njeh as me arsim. Unë kam aplikuar në universitet, mirëpo prapë do e shqyrtoj, pasi pothuajse e gjithë klasa ime nuk i vazhdon shkollimet nga pamundësia ekonomike dhe po më thonë se nga drejtimi që unë kam zgjedhur për pedagogji ka shumë dhe më duhet të pres gjatë për një vend pune”, deklaroi maturantja për gazetën Koha.
Ndërkohë, ky zë i maturantëve na bën të kuptojmë se ky mosbesim nuk vjen nga padija, por nga realitete të dhimbshme, si mungesa e vendeve të punës për profesionet akademike, konkurrenca e padrejtë dhe shpesh nepotizmi. Në shumë raste, edhe nëse një i ri diplomon me nota të larta, pa lidhje apo pa ndikim, nuk gjen vend në institucionet publike apo private.
Ndryshe, një pjesë tjetër e maturantëve, edhe pse ende nuk e kanë bërë valixhen, tashmë kanë vendosur të largohen sapo të kenë mundësinë. Në këtë aspekt, vendi po përballet me një krizë të heshtur të largimit të trurit, dhe jo vetëm të atij akademik. Pra, në një vend ku shteti nuk mund të sigurojë një rrugë të qartë për të rinjtë, zgjedhjet e tyre janë të formësuara nga nevoja, jo nga pasioni apo aftësia. Kjo situatë nuk është vetëm një tregues i krizës në arsim, por një sinjal alarmi për të ardhmen socio-ekonomike të vendit. E nëse një maturant nuk e sheh arsimin si investim të vlefshëm, nëse një diplomë nuk hap asnjë derë, dhe nëse çdo i ri i aftë po mendon të largohet, atëherë nuk është më problem i tyre, por krizë kombëtare.