KUR MURET FLASIN! | Ristovi përballë akuzave për 350 mijë euro

    Rasti i 350 mijë eurove të fshehura në mur, i zbuluar në shtëpinë e prindërve të gjykatësit të Apelit, Gjoko Ristov, vazhdon të tronditë opinionin publik dhe të thellojë krizën e besimit në sistemin e drejtësisë. Ndërsa institucionet flasin për dyshime serioze për pasuri të paligjshme dhe pastrim parash, mbrojtja e gjykatësit tenton ta zhvendosë përgjegjësinë dhe ta minimizojë peshën e skandalit. Avokati Zvonko Davidoviq, mbrojtës i Ristovit, të cilit dje Këshilli Gjyqësor ia hoqi imunitetin dhe ndaj të cilit u caktua arrest shtëpiak, pretendon se paratë e gjetura nuk janë të gjykatësit, por të prindërve të tij, si dhe se nenet e Kodit Penal mbi të cilat bazohet akuza nuk mund të aplikohen ndaj një gjykatësi.

    Sipas tij, vepra penale për të cilën ngarkohet Ristovi “fitim i kundërligjshëm dhe fshehje e pasurisë”, i referohet “personave zyrtarë ose përgjegjës në institucione publike që menaxhojnë me para shtetërore”, ndërsa, sipas mbrojtjes, gjykata nuk hyn në këtë kategori.v“U kemi bërë me dije edhe Prokurorisë edhe Gjykatës se ky nen është i papërshtatshëm për këtë rast. Në procedurë do ta dëshmojmë këtë”, deklaroi Davidoviq për TV Sitel. Megjithatë, organet e ndjekjes penale kanë dyshime serioze për dy vepra penale. Njësia për luftimin e korrupsionit pranë Sektorit për Krim të Organizuar dhe të Rëndë ka dorëzuar kallëzim penal ndaj gjykatësit Ristov për veprat penale: “fitim i kundërligjshëm dhe fshehje e pasurisë” dhe “pastrim parash dhe përfitime nga vepra penale”.

    Sipas MPB-së, Ristovi, në cilësinë e tij si gjykatës i Apelit në Shkup, nga viti 2020 e deri më sot, ka dhënë të dhëna të rreme për gjendjen e tij financiare dhe atë të familjes, pasuri që në masë të madhe tejkalon të ardhurat e tij ligjore. Mbrojtja këmbëngul se 350 mijë eurot e gjetura në mur, në shtëpinë e prindërve të gjykatësit në Negotinë, janë mjete personale të tyre dhe se origjina e tyre do të provohet përmes ekspertizës financiare. Avokati paralajmëroi edhe ankesë ndaj masës së arrestit shtëpiak.

    Por faktet e publikuara nga MPB janë tronditëse: gjatë bastisjes së kryer më 18 janar, policia vuri re ndërhyrje të dyshimta ndërtimore në kuzhinë. Pas heqjes së një pllake muri, u zbulua një hapësirë e fshehtë ku ndodheshin 13 pako, me gjithsej 610 bankënota nga 500 euro dhe 225 bankënota nga 200 euro, ose 350.000 euro në kesh.

    Ndërsa mbrojtja flet për “keqinterpretim ligjor”, në sytë e opinionit mbetet një fakt i pamohueshëm: një gjykatës apeli, simbol i drejtësisë dhe ligjit, lidhet me një rast të fshehjes së qindra mijëra eurove në mur. Dhe kjo, pavarësisht epilogut gjyqësor, është një goditje e rëndë për besimin qytetar në drejtësi.

    Ndërkaq, lidhur me këtë rast, dje nga koalicioni VLEN kanë theksuar se vendimi i Këshillit Gjyqësor për t’ia hequr imunitetin gjykatësit të Apelit, Gjoko Ristov, për ta larguar përkohësisht nga detyra dhe për t’i shqiptuar masën e arrestit shtëpiak është një hap i rëndësishëm. “Por ky hap nuk e mbyll çështjen, përkundrazi e hap edhe më shumë sepse kur te një gjykatës Apeli gjenden 350 mijë euro të dyshuara si para të paligjshme, kjo nuk është skandal individual. Kjo është fytyra e drejtësisë së kapur”, thonë nga atje.

    Lajmi Paraprak

    Ozempiku mungon për diabetikët në RMV, por shitet privat për humbje peshe

    Lajmi i rradhës

    Qytetarët e Maqedonisë, thirrje dhe internet në BE pa kosto shtesë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë