KUR NXËNËSIT JANË NË PUSHIME! Shkollat verore, vendi i duhur për fëmijët

    Ndonëse vera është stina e relaksimit dhe argëtimit ajo shpeshherë di që t’i bëjë konfuz prindërit se si t’i mbajnë fëmijët të angazhuar dhe produktiv gjatë pushimeve nga shkolla, prandaj pikërisht për këtë shkak edhe janë krijuar shkollat verore që fëmijët njëkohësisht edhe të argëtohen por edhe mos të harrojnë atë që kanë mësuar përgjatë vitit shkollor. Sa i përket vlerësimeve të ekspertëve, ata thonë se fëmijët përveç që argëtohen ato mësojnë edhe se si të jenë të pavarur dhe me identitet më të fortë.

    Mendimin se shkollat verore janë më se të rëndësishme për socializmin e fëmijëve e ndan edhe sociologu Ali Pajaziti, i cili thekson se përveç kohës së lirë pa obligime fëmijët duhet të ndajnë një periudhë të cilën do ta shoqërojnë edhe me aktivitete edukative të një lloji tjetër. “Shkollat verore janë shumë të rëndësishme për fëmijët që pasi se kanë mbaruar vitin shkollor përveç kohës së lirë pa obligime arsimore, duhet që atë periudhë ta shoqërojnë me aktivitete paksa ndryshe, me një format edukativ tjetër që i mban ata gjallë në botën e mësimit dhe socializimit, tanimë me mësimdhënës dhe shokë e shoqe tjerë që si kanë pasur në shkollën konvencionale. Aty ata shoqërohen dhe mësojnë nga burime alternative, luajnë dhe ballafaqohen me kontekste të reja, në mjedis të ri ku duhet të jenë në aksion si psikologjik ashtu edhe intelektual dhe sociologjik. Kjo eksperiencë dhe kreativitet që duhet të shfaqin i bën ata të gatshëm për projekte më serioze në periudhën e shkollimit të mëtejshëm, u jep atyre një bagazh shumë të dobishëm, i vetëdijëson ata se mësimi është aktivitet permanent dhe se boshllëku apo shkëputja absolute nga shkolla shkojnë në disfavor të tyre”, u shpreh për gazetën KOHA sociologu Pajaziti.

    Në Maqedoninë e Veriut përveç qendrave të ndryshme e organizatave joqeveritare një shkollë të tillë me moton “Vera pa Celular” e ka organizuar edhe Komuna e Gostivarit e cila dëshiron që të mbajë të angazhuar fëmijët e moshave 7-14 vjeç në mënyrë që ata të jenë larg teknologjisë. Sipas një shkrimi të kryetarit Arben Taravari ky është i dyti vit radhazi që Komuna e Gostivarit organizon një shkollë të tillë. “Për të dytin vit radhazi Komuna e Gostivarit organizon shkollën verore “Gostivari 2023”. Qëllimi i kësaj ngjarje është angazhimi i fëmijëve të moshës 7-14 vjeç në aktivitete të ndryshme dhe zbulimi i talenteve të rinj të Gostivarit”, ka shkruar Taravari në Facebook. Kjo shkollë ka filluar nga 1 korriku dhe do të zgjasë deri më 30 korrik. Këto lloje të shkollave janë më se të përhapura në SHBA ku sipas një studimi të para disa vitesh në më shumë se 14.000 kampe të tilla marrin pjesë rreth 6 milionë fëmijë nga i gjithë vendi përfshi këtu edhe Houston dhe LA. /koha

    Lajmi Paraprak

    Vetëm 3000 fermerë në RMV janë me sigurim bujqësor

    Lajmi i rradhës

    KUR KËRKESAT HASIN NË VESH TË SHURDHËR! Askund hapja e një azili për pleq në Dibër

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë