Maqedonia e Veriut ka nevojë për rreth 10 mijë punëtorë!

    Derisa kompanitë në Maqedoni po ankohen se nuk po munden të gjejnë punëtorë, në Agjencinë e Punësimit janë të regjistruar mbi 115 mijë persona të papunë, për të cilët zëvendëskryeministri Fatmir Bytyqi, thotë, se nuk janë të kualifikuar për nevojat e tregut të punës. Në epokën e globalizimit dhe rritjes digjitale, kompanitë në Maqedoni po përballen me një sfidë të madhe sa i përket sigurimit të fuqisë punëtore të kualifikuar. Sipas analizave, vendit i mungojnë rreth 10 mijë punëtorë në vit dhe fushat më të prekura janë ndërtimi dhe turizmi.

    Biznesmenët kërkojnë nga Qeveria uljen e kontributeve, liberalizimin e fuqisë punëtore dhe rritjen e kuotave për punëtorët e huaj, kërkesa të cilat, ata i shohin si pjesë të zgjidhjeve për tejkalimin e këtij problemi. Këto propozime ata i paraqitën në konferencën vjetore të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (SKSZM), e cila diskutoi “Sfidat e kompanive në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në ofrimin e fuqisë punëtore në epokën e globalizimit dhe digjitalizimit”.

    Mungesa e fuqisë punëtore ndihet edhe në Bashkimin Evropian. Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, thotë se në analizën e publikuar së fundmi nga “Instituti i Sindikatave Evropiane”, në periudhën 2019-2022 është vërejtur një mungesë rekord e fuqisë punëtore në Evropë. Si arsye përmenden pagat e ulëta dhe kushtet e punës. Vetëm vitin e kaluar, një e katërta e bizneseve të BE-së raportuan probleme prodhimi si rezultat i mungesës së fuqisë punëtore.

    “Por sado të rrisim standardin dhe pagat, nuk do të mund të konkurrojmë me vendet më të zhvilluara nga BE-ja, të cilat gjithmonë do të ofrojnë paga më të larta se sa ne si shtet”, thotë Bytyqi.

    Sipas të dhënave të Agjencisë së Punësimit, në muajin maj të këtij viti janë regjistruar 107.744 persona të papunë dhe 45.413 të tjerë në kërkim të punës . Në të kundërt, në tregun e punës janë 7100 vende të lira pune. 

    “Numrat mund të duken paradoksale dhe kontradiktore, por këtu është gjeneza e problemit të kompanive tona për gjetjen e punëtorëve”, thotë Bytyqi. Ndonëse shifrat janë kontradiktore në pamje të parë, realiteti është se këta të papunë nuk janë të trajnuar për profesionet që kërkon tregu i punës”, shtoi ai.

    Në periudhën e kaluar është hapur debati për liberalizimin e tregut të punës duke rritur kuotat për punëtorët e huaj, të cilat aktualisht janë kufizuar në 5000. Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore kërkoi nga Qeveria ulje të kontributeve, liberalizim të fuqisë punëtore dhe rritje të kuotave për punëtorët e huaj. Këto, sipas tyre, janë pjesë e zgjidhjeve për tejkalimin e problemit të mungesës së fuqisë punëtore. Në terma afatgjatë, ata mendojnë se duhet të përgatitet një program afatgjatë në të cilin Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të ketë rolin kryesor për të krijuar profile adekuate për ekonominë vendase. /koha/

    Lajmi Paraprak

    ASh dhe Lëvizja Besa kërkojnë dorëheqjen e Ramiz Merkos nga posti i kryetarit të komunës së Strugës

    Lajmi i rradhës

    Kur Qeveria përzihet në punët e gjyqësorit!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë