Kurti takohet me Vuçiç në Slloveni: BE të hapë dyert, Kosova ka vuajtur boll!

    Në pauzën mes dy sesioneve të samitit në Brdo të Sllovenisë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pritet të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçic, një përballje që duket se do të ndodhë në prani të kancelares gjermane Angela Merkel dhe shefit të Elizesë, Emmanuel Macron.

    “Serbia nuk e njeh Kosovën, Kosova nuk e njeh Serbinë, dhe ne kemi nevojë për një marrëveshje”, citohet të ketë thënë Kurti. Sipas tij njohja reciproke është e nevojshme sepse është e vetmja mënyrë për vendosjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Ballkan. Në prag të çeljes së samitit sakaq, ai kujtoi një prej çështjeve më të ndjeshme për kosovarët sot, liberalizimin e vizave.

    Kurti: Kanë kaluar më shumë se tre vjet që kur Komisioni Europian rekomandoi për të dytën herë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Dhe ka qenë një padrejtësi e madhe dhe mungesë drejtësie kundrejt vendit tonë, i cili ka vuajtur shumë. Ne shpresojmë se në këtë samit, Bashkimi Europian do t’i qëndrojë besnik esencës së tij, zgjerimit. Si projekti politik më i rëndësishëm për paqe dhe prosperitet prej Luftës së Dytë Botërore, BE-ja duhet të zgjerohet për të qenë Evropë. BE-së i mungojnë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për t’u bërë Europë.

    Përveç Kurtit, Prishtina përfaqësohet në takim edhe nga ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

    Kosova dhe Bosnje e Hercegovina mbeten të fundit në avancimin drejt BE-së, ku ende nuk kanë bërë hapa drejt hapjes së negociatave për anëtarësim. Në rastin e Kosovës, janë edhe pesë shtete të BE-së (Spanja, Greqia, Qipro, Sllovakia dhe Rumania), që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe BE-ja mban qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës./Top Channel/

    Lajmi Paraprak

    11 Tetori, ditë jopune për të gjithë qytetarët

    Lajmi i rradhës

    Sociologjia e fesë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë