Kush dezinformoi se kryetari i FFM Sejdini nuk u gëzua për golin e Bardhit me Anglinë?

    Dezinformatat janë të pranishme jo vetëm në lajmet politike, por edhe në ato sportive, sidomos kur ndërthuren me politikën. I tillë është rasti me portalin “sport1.mk”, i cili më 21.11.2023 botoi tekstin me titull: “Pse vetëm presidenti i FFM-së nuk gëzohet për golin e Bardhit?! (FOTO)”.

    Në tekst thuhet se: “Mbi 25 mijë tifozë vendas u gëzuan për avantazhin e kombëtares maqedonase, por jo edhe ai që do të duhej të jetë i pari mes tyre sepse është në krye të Federatës”. Po ashtu, në tekst thuhet se kryetari i FFM-së, Muamed Sejdini, “ka mbetur i ftohtë si shpricer në momentet e festës së madhe”. Teksti i “sport1.mk” përfundon me konstatimin: “Vetëm ai e di se pse nuk u gëzua për epërsinë ndaj një prej kombëtareve më të forta evropiane dhe botërore”.

    Por, a është e vërtetë që Sejdini qëndroi i ftohtë “si shpricer” dhe nuk është gëzuar pas golit të Enis Bardhit dhe epërsisë prej 1:0 të përfaqësueses sonë ndaj asaj të Anglisë?

    Sejdini më 21.11.2023 botoi një video në profilin e tij në Facebook, ku shihet qartë se bashkë me presidentin Pendarovski po i gëzohen golit të Bardhit.

    Edhe portali “Gol.mk” botoi në Facebook se “Muamed Sejdini e ndoqi ndeshjen bashkë me presidentin e vendit, Stevo Pendarovski dhe së bashku e festuan golin e Bardhit”. Edhe kontrolluesit e fakteve nga Civil Media botuan tekstin: “Është dezinformatë se presidenti i FFM nuk i gëzohet golit të Bardhit”, duke bërë me dije se “Postimi i portalit “Sport1” shkaktoi gjuhë urrejtjeje në baza etnike”.

    Përderisa shumë qytetarë iu gëzuan bashkërisht golit të Bardhit, “Sport 1” manipuloi dhe dezinformoi. Edhe pasi Sejdini publikoi videon që përgënjeshtron lajmin e rremë, Sport 1 nuk kërkoi falje dhe as që e korrigjoi dezinformatën. Qytetarët duhet të kenë kujdes me lajme të tilla, të cilat mund të nxisin urrejtje dhe prishje të marrëdhënieve ndëretnike. /IMA/

    Lajmi Paraprak

    14 kompani në RMV nuk kanë paguar tatimin solidar

    Lajmi i rradhës

    Kasami paralajmëron kontrolle nëpër kompani, nëse plotësojnë kushtet për mbrojtje kundër zjarreve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë