Kush do t’i zëvendësojë Ruskovskën dhe Muaremin?

    Qeveria nuk ka vendosur akoma se kush do ta zëvendësojë Arafat Muaremin në Drejtorinë e Policisë Financiare edhe pse mediat tashmë kanë filluar të lakojnë emrat e mundshëm për këtë funksion. Nga ekzekutivi një ditë më parë thanë se zgjedhja e drejtorit të ri do të bëhet sa më shpejt që është e mundur. Muaremi dha dorëheqja nga posti në fund të mandatit të tij, pas zënkave publike me shefen e prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion Villma Ruskovska.

    Kjo e fundit kishte bastisur zyrat e Muaremit kurse ai kishte vlerësuar se janë bërë shkelje gjatë procedurave, gjë të cilën e kishte konstatuar edhe kryeprokurori publik Lubomir Joveski.

    Joveski vendosi të suspendojë përkohësisht nga detyra Ruskovskën. Ajo paralajmëroi por akoma nuk e ka dorëzuar në Këshillin e Prokurorëve ankesën për këtë vendim. Megjithatë në dispozicion ka tetë ditë afat për të bërë ankesë. Më pas Ruskovska mund të elaborojë para këshillin ankesën e saj kurse këshilli do të vendosë nëse Ruskovska do të suspendohet përkohësisht deri sa të përfundojë procedura disiplinore e nisur ndaj saj.

    Paralelisht me këtë, një komision i posaçëm disiplinor në Prokurorinë Publike do të vendosë se çfarë do të bëjë me Ruskovskën dhe prokurorët ndaj të cilët ka procedurë disiplinore, në rast se vërtetohet se ata kanë shkelur procedurat gjatë bastisjes së tyre në Policinë Financiare. Ky komision mund ta lirojë Ruskovskën nga përgjegjësia, t’i caktojë masë disiplinore ose ta shkarkojë nga detyra e prokurores.

    Ndërkohë, në krye të Prokurorisë për krim të organizuar atë e zëvendëson përkohësisht ish prokurorja speciale Lile Stefanova. Por, nuk dihet akoma se cili prokurorë do ta marrë lëndën për hetimet që vazhdojnë në Policinë Financiare, për të cilën filloi përplasja mes Ruskovskës dhe Muaremit. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Sofja regjistron kritikat në opinionin maqedonas në adresë të Bullgarisë

    Lajmi i rradhës

    Vendi, në fazën portokalli

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë