Sofja regjistron kritikat në opinionin maqedonas në adresë të Bullgarisë

    Sofja regjistron kritikat në opinionin maqedonas në adresë të Bullgarisë, por për momentin nuk do të reagojë për gjuhë të urrejtjes. Eksperti nga ministria e jashtme bullgare, Zhelasko Radukov vlerëson se, pas publikimit të Protokollit mes dy vendeve dhe rekomandimeve të historianëve, në debatin publik në Maqedoni përdoren shumë argumente dhe pseudo- argumente. Sipas tij, debati zhvillohet mes dy fuqive që pozicionohen në shoqëri- ata që janë për anëtarësim në Union dhe duan marrëdhënie të mira ndërfqinjësore dhe ata që janë kundër BE-së dhe vlerave evropiane.

    “Komentet që janë bërë pas publikimit të Protokollit dhe rekomandimeve të Komisionit të historisë janë nga persona që nuk janë në udhëheqjen e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe janë të drejtuara në kontekst të brendshëm politik. Ne jemi duke e monitoruar këtë çështje nga afër dhe do të vendosim nëse dhe kur do të reagojmë, por jo në këtë fazë. Ne duhet t’u japim kohë miqve tanë nga Republika e Maqedonisë së Veriut për të zgjidhur debatin e tyre – a do të anëtarësohemi në Bashkimin Evropian apo jo?”, deklaroi Zhelasko Radukov- krye-ekspert në MPJ-në e Bullgarisë.

    Radukov theksoi se me Protokollin e nënshkruar muajin e kaluar mes Bujar Osmanit dhe Teodora Gençovskës ka filluar procesi i kthimit të besimit. Ai pret që ky proces të jetë i ngadaltë, por thotë se hapat e parë janë inkurajues dhe aktualisht të dyja vendet janë duke i përmbushur detyrimet e tyre.

    Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Bullgarisë, Kostadin Koxhabashev, bëri të ditur se sipas Protokollit, tashmë po punohet për përgatitjen e kalendarit për kremtimet e përbashkëta të pesë figurave historike, për të cilat Komisioni i Përzier ka arritur marrëveshje.

    “Ministria e Punëve të Jashtme mirëpret punën e deritanishme të Komisionit të Përzier për Çështje Historike dhe Arsimore dhe e inkurajon që të vazhdojë edhe më intensivisht në përpjekjet e tij, me synimin për të përfunduar sa më shpejt punën në të gjitha periudhat e historia historisë sonë të përbashkët”, tha Kostadin Koxhabashev – Zëvendësministër i Punëve të Jashtme i Bullgarisë.

    Nga ana tjetër, autoritetet vendase kanë njoftuar më herët se në Ministrinë e Punëve të Jashtme tashmë janë formuar grupe punuese, detyra e të cilave është të përmbushin protokollin e dakorduar dypalësh. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Regjistrimi në “Shën Kirili dhe Metodi”, përgjegjësi penale nëse aplikon në universitet tjetër

    Lajmi i rradhës

    Kush do t’i zëvendësojë Ruskovskën dhe Muaremin?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë