Kush e përcakton fundin e pandemisë?

    Një përcaktim të qartë se kur fillon dhe kur mbaron një pandemi, nuk ka. Po ashtu, kërcënimi që paraqet shpërthimi global i një sëmundjeje mund të ndryshojë nga vendi në vend.

    “Është disi një gjykim subjektiv, sepse nuk ka të bëjë vetëm me numrin e rasteve. Ka të bëjë edhe me ashpërsinë dhe ndikimin”, thotë Michael Ryan, shef i urgjencave në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

    Në janar të vitit 2020, Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli një koronavirus – që më vonë u emërua SARS-CoV-2 – “krizë globale shëndetësore, me shqetësim ndërkombëtar”.

    Pak kohë më vonë, në mars të atij viti, OBSH-ja shpalli pandeminë, që nënkuptonte përhapjen e koronavirusit pothuajse në çdo kontinent.

    Në më shumë se dy vjet e gjysmë deri më tash, mbi 6.5 milionë njerëz humbën jetën nga ky koronavirus, ndërsa u infektuan mbi 612 milionë, tregojnë shifrat e Universitetit Johns Hopkins në SHBA.

    Vaksinat dhe trajtimet ndihmuan në uljen e shkallës së viktimave dhe, sipas OBSH-së, numri i vdekjeve globale nga koronavirusi, javën e kaluar, ishte më i ulëti që nga marsi i vitit 2020.

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha të hënën se pandemia në SHBA “ka marrë fund”, edhe pse ky vend vazhdon të operojë nën urgjencën e shëndetit publik, e cila është shpallur për herë të parë në janar të vitit 2020.

    Departamenti Amerikan i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, tash për tash, pritet ta ripërtërijë këtë përcaktim në tetor.

    Ekspertë të sëmundjeve infektive thonë se pandemia mund të konsiderohet gjerësisht e përfunduar, kur OBSH-ja përcakton se virusi nuk është më emergjencë me shqetësim ndërkombëtar. Komiteti i ekspertëve të OBSH-së e rivlerëson gjendjen çdo tre muaj.

    “Nuk do të ketë një ditë kur dikush do të thotë: Në rregull, pandemia ka mbaruar”, thotë Chris Woods, ekspert i sëmundjeve infektive në Universitetin Duke në SHBA.

    Ai thotë se nuk ka kritere të miratuara në mënyrë universale për fundin e pandemisë, por shton se vendet ka të ngjarë të presin një periudhë kur numri i rasteve është në rënie të vazhdueshme.

    Shkencëtarët presin që COVID-19 – sëmundja që e shkakton koronavirusi SARS-CoV-2 – të bëhet më e parashikueshme si gripi, që do të thotë se do të shkaktojë shpërthime stinore, por jo rritje të madhe të numrit të rasteve.

    Por, edhe atëherë, thotë Woods, disa shprehi, të tilla si mbajtja e maskave në vende publike, mund të vazhdojnë.

    “Edhe pasi të përfundojë pandemia, COVID do të jetë ende me ne”, thotë ai.

    Aktualisht, në qarkullim është varianti Omicron i koronavirusit, i cili vazhdon të shkaktojë sëmundje të rënda, e madje edhe vdekje, sidomos në mesin e njerëzve me sëmundje shoqëruese.

    “Është e rrezikshme të supozohet se Omicron do të jetë varianti i fundit”, thotë shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

    Javën e kaluar, ai tha se “fundi i pandemisë po shihet”, por kërkoi nga vendet që të ruajnë vigjilencën.

    Një pandemi tjetër?

    Në një opinion të publikuar në mars të këtij viti, OBSH-ja vlerësoi se “nuk është kurrë shumë herët për t’u përgatitur për pandeminë e ardhshme”, pasi “fatkeqësisht, COVID-19 nuk do të jetë e fundit”.

    “Derisa rikuperohemi nga kjo krizë, ne duhet të ndërtojmë sisteme për të zbuluar dhe për t’iu përgjigjur urgjencave të ardhshme të shëndetit publik. Ato duhet të jenë bashkëpunuese, multi-sektoriale dhe gjithëpërfshirëse”, tha OBSH-ja.

    Zgjidhja, sipas OBSH-së, është e trefishtë: forcimi i sistemeve shëndetësore, afrimi i shërbimeve shëndetësore me njerëzit dhe investimi në gatishmëri dhe reagim ndaj pandemisë.

    Shpëtimi i jetëve fillon me investime në shëndet dhe në sistemet shëndetësore, sipas OBSH-së. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Kasami: Do ta thej ligjin për të siguruar libra shkollorë për nxënësit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë