Mbrëmjen e datës 15.11.2023, portali “4news” botoi titullin sanesacionalist: “FOTO Apel dramatik po përhapet në rrjetet sociale! “Këta janë rrëmbyes të fëmijëve në Shkup”.
Në artikull publikohet një fotografi me 5 persona dhe citohet “përdorues i Facebook-ut”, i cili ka postuar një “njoftim”: “KËTA 5 VETA JANË rrëmbyes të fëmijëve!”. Dhe momentalisht lëvizin rreth Shkupit, më saktësisht në Batincë!”.
Një orë e gjysmë më vonë, po i njëjti portal publikoi edhe demantin: “MPB: Qytetarët të mos bien pre e dezinformatave, policia e garanton sigurinë”, në të cilin MPB-ja “i demanton gënjeshtrat që disa persona i përhapin përmes rrjeteve sociale për dofarë rrëmbyes të dyshuar. Nuk ka asnjë fëmijë të rrëmbyer, e as rrëmbyes”.
Pavarësisht përgënjeshtrimit nga MPB që e transmetuan edhe shumë media të tjera, portali që transmetoi dezinformatën nuk shkroi korrigjim, e as nuk e hoqi foton me personat që akuzoheshin si “rrëmbyes”.
Edhe Fejsbuk profili që postoi dezinformatën me mbi 5000 shpërndarje për më pak se 24 orë, nuk i korrigjoi informatat e pasakta e as nuk i hoqi komentet që nxisnin dhunë.
Në këtë postim, Fejsbuku ka vënë një paralajmërim për “informacion të rremë” dhe link me artikullin e Vërtetmatësit: “Postim i rremë për gjoja rrëmbyes të fëmijëve në Shkup përhap panik në Facebook”, ku shpjegohet se “Në fotografi nuk tregohen fare rrëmbyes të fëmijëve. Bëhet fjalë për një foto të vjetër, e cila është shfaqur për herë të parë në vitin 2015 në Rumani, e personat e shfaqur në të lidhen me vjedhje xhepash”.
Edhe kontrollues të fakteve nga Austria para do kohe bënë me dije se e njëjta foto me akuza të ngjashme të rreme është bërë virale në Fejsbuk në tetor.
Ky rast i “rrëmbyesve të rremë” tregon se jemi shumë të cenueshëm ndaj dezinformatave nga rrjetet sociale që shkaktojnë panik shoqëror. Andaj, si qytetarët, ashtu edhe mediat duhet të kenë kujdes ndaj njoftimeve të tilla sensacionaliste dhe dramatike. E kur bëhet fjalë për një krim të rëndë si rrëmbimi i fëmijëve, informacioni duhet të kontrollohet gjithmonë në Ministrinë e Brendshme, e cila reagoi shpejt ndaj përhapjes së kësaj dezinformate. /IMA/