Kush po manipulon me tenderët?

    Debati politik në Maqedoninë e Veriut është ashpërsuar sërish për çështjen e tenderëve shtetërorë, me një përplasje të drejtpërdrejtë mes opozitës dhe pushtetit për mënyrën e shpenzimit të parasë publike dhe transparencën institucionale. LSDM ka dalë me akuza të reja për atë që e quan “skandal shumë milionësh” në Qeverinë e udhëhequr nga Hristijan Mickoski, duke pretenduar se brenda vetëm gjashtë muajve, një kompani private ka përfituar tenderë shtetërorë në vlerë prej rreth 9 milionë euro.

    Sipas opozitës, mënyra e dhënies së këtyre kontratave, profili i personave të punësuar në kompani dhe lidhjet e tyre me strukturat e sigurisë nga e kaluara paraqesin elemente shtesë që kërkojnë hetim institucional. Në konferencën për media, zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, ngriti dyshime serioze se bëhet fjalë për vazhdimësi të praktikave që, sipas saj, e kanë karakterizuar pushtetin e kaluar të VMRO-DPMNE-së, tenderë të dyshimtë, përzgjedhje jo transparente dhe përfitime për individë të lidhur me pushtetin.

    LSDM: KOMPANIA QË KA FITUAR TENDERË PREJ 9 MILIONË EURO ËSHTË E LIDHUR ME MIJALLKOVIN

    Për LSDM-në, rasti nuk është i izoluar, por pjesë e një modeli të vazhdueshëm, që sipas tyre, rrezikon në mënyrë të drejtpërdrejtë besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore dhe në sistemin e drejtësisë. Kontestet janë fokusuar veçanërisht te fakti se një nga të punësuarit e kompanisë dhjetëra-milionëshe ka qenë i përfshirë në struktura të sigurisë dhe ka pasur rol dëshmitari në një nga çështjet më të ndjeshme gjyqësore të viteve të fundit, të njohur si rasti Fortesa – Target, që lidhet me shkatërrimin e pajisjeve për përgjime masive gjatë periudhës së drejtimit të shërbimeve sekrete nga Sasho Mijalkov. 

    “Sot opinioni publik do të dëgjojë se kush tjetër është i lidhur me kompaninë që ka fituar tenderë në vlerë prej gati 9 milionë eurosh për vetëm gjashtë muaj. Kush është punonjësi i dytë? Çfarë ka punuar më parë dhe në cilën periudhë? Bëhet fjalë për një person të quajtur Gligor Pocev. Pocevi ka qenë dëshmitar në rastin Target–Fortesa për shkatërrimin e pajisjeve për përgjime masive, si punonjës i Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit gjatë periudhës së Sasho Mijalkovit. Dhe pikërisht kontrata e fundit me Qeverinë dhe këtë kompani është një marrëveshje kornizë për licenca softuerike për një platformë virtuale”, theksojnë nga LSDM.

    Pikërisht ky element, sipas opozitës, e bën rastin edhe më të rëndë, duke hapur dilema për sigurinë, legalitetin dhe besueshmërinë e proceseve të prokurimit publik.

    “Si është e mundur që persona që kanë qenë pjesë e strukturave të inteligjencës, të lidhur drejtpërdrejt ose tërthorazi me procesin e shkatërrimit të pajisjeve të përgjimit, tani të përfshihen sërish në tenderë shumë milionësh për softuerë? Dhe si është e mundur që pikërisht tani, Qeveria e Mickoskit të ketë përzgjedhur një person nga ajo periudhë, nga ato struktura, dëshmitar për shkatërrimin e pajisjeve?”, theksojnë nga LSDM.

    VMRO-DPMNE: TENDERËT ISHIN IDEOLOGJIA E LSDM-SË

    Nga ana tjetër, qeveria nuk ka dhënë ende një përgjigje zyrtare për akuzat konkrete, por partia në pushtet VMRO-DPMNE ka reaguar ashpër ndaj LSDM-së, duke i hedhur poshtë akuzat dhe duke e kthyer debatin kah e kaluara e tyre në pushtet. Në komunikatën e saj, VMRO-DPMNE e akuzon LSDM-në se për shtatë vite qeverisje ka ndërtuar një sistem ku “tenderët ishin ideologji”, ndërsa lindja e skandaleve me rezervat shtetërore, humbjen e qindra mijëra eurove dhe, sipas tyre, menaxhimin jo profesional të institucioneve, janë shembuj që flasin për përgjegjësi të drejtpërdrejtë politike.

    “Filipçe përpiqet të ndërtojë rolin e korrektorit moral në opozitë, por është e qartë se matrica e tyre nuk ndryshon – fillimisht krijon kaos, pastaj edhe më shumë kaos për ta fshehur të parin, fajëson dikë të tretë dhe luan rolin e viktimës”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

    Si pjesë e kundërpërgjigjes, VMRO-DPMNE rikthen në vëmendjen e opinionit publik emrat e ish-kryeministrit, Zoran Zaev, ish-ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe ish-ministrit të Bujqësisë, Ljupço Nikollovski, duke i lidhur ata me atë që e përshkruajnë si “epokë të skandaleve dhe abuzimeve me rezervat strategjike”.

    Sipas VMRO-DPMNE-së, rasti i asgjësimit të mijëra tonëve grurë dhe elbi dhe tenderët pasues për furnizime nga jashtë tregojnë se LSDM nuk ka kredibilitet moral për të folur për korrupsion.

    “Gruri ka qenë në gjendje të përdorshme, por është hartuar procesverbal që e mohon këtë dhe është miratuar në seancë qeverie, në kohën kur Filipçe ishte pjesë e strukturës qeveritare. Për ta fshehur këtë, janë lidhur dy tenderë për furnizim me 20.000 ton nga një shtet fqinj për të mbushur boshllëqet në rezervat shtetërore. Zaev, Filipçe dhe Nikollovski i bindnin qytetarët se gjithçka është nën kontroll, se çdo gjë funksionon profesionalisht, por për këtë treshe kjo nënkuptonte vetëm se po i kontrollonin me kujdes tenderët e tyre”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

    Nga kjo parti pyesin se si mund të reformohet LSDM kur vetë lideri është pjesë e po atyre skemave për të cilat shmang të flasë.

    “Në vend që të distancohen, LSDM e promovon Filipçen si fytyrën e re të opozitës dhe partia do të vazhdojë të fundoset, sepse nuk mundet që dikush që nuk e mbrojti shtetin kur ishte në pushtet, tani të ndajë këshilla nga opozita”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

    Përndryshe përplasja mes dy partive kryesore politike, që tashmë ka marrë përmasa publike dhe mediatike, po zhvendoset gjithnjë e më shumë nga akuza politike në pritje për reagim institucional. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    FNA: universitetet publike bien në provimin e transparencës, ndërsa UT del më i dobëti në vend

    Lajmi i rradhës

    INDUSTRIA PA PUNËTORË!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë