Kushte më të mira për shoqatat dhe artistët

    Kanë përfunduar renovimet në katin e tretë të Qendrës për Kulturë në Tetovë. Këto hapësira që ndryshe njihen edhe si Aneksi C i objektit të Qendrës për Kulturë, janë shfrytëzuar në të kaluarën nga Shoqata Joqeveritare dhe Artistike, të cilët i kanë përdorur për trajnime para pjesëmarrjeve nëpër festivale ose ekspozita. Megjithatë, këto hapësira ishin tepër të dëmtuara dhe kushtet ishin të mjerueshme. Është dashur shumë punë për pastrimin e së njëjtëve, respektivisht mbeturinave, thotë drejtori i Qendrës për Kulturë në Tetovë, Arlind Huseini.

    Objekti aktual i Qendrës për Kulturë në Tetovë që nga themelimi, gati se është lënë në mëshirë të fatit. “Në këtë objekt kulturor, krahas asaj që janë të vendosur edhe disa institucione tjera kulturore, veprimtarinë e kanë zhvilluar edhe shumë shoqata kulturore, shoqëri artistike si dhe artistë individual. Pas shumë dekadash, falë investimeve nga ana e Ministrisë për Kulturë, si pjesë e programit vjetor, tashmë është bërë hapja e hapësirave të renovuara ose e njohur si aneksi-C”, thotë drejtori Huseini. Ai më tej është shprehur se këto hapësira sërish do të shfrytëzohen nga ana e shoqatave dhe artistëve, por kujdes të veçantë do t’i kushtohet pastërtisë dhe mirëmbajtjes që të mos përsëriten situatat që të njëjtat të jenë në gjendje të mjerueshme.

    “Këto pjesë të pallatit shpresoj se sërish do të jenë në shfrytëzim të shoqatave dhe artistëve, por apeloj që ata të kenë më shumë kujdes dhe të kujdesen sa më shumë dhe të mos i dëmtojmë si në aspektin e enterierit, po ashtu edhe të pastërtisë. Nyjet sanitare kanë qenë jashtë përdorimit dhe tash janë në funksion, por mendoj se barra kryesore që këto hapësira të jenë të shfrytëzueshme edhe gjatë kohë bie mbi vet shfrytëzuesit”, apelon drejtori Huseini.

    Ndërkohë, edhe kati i parë dhe i dytë i Qendrës për Kulturë nuk është aspak në gjendje të mirë. Megjithatë, nga Qendra për Kulturë në Tetovë shpresojnë se edhe më tej do bëhen investime në këtë objekt. “Pa dyshim se nuk do të ndalemi vetëm me këto investime dhe ky projekt do të vazhdojë edhe për dy katet tjera. E gjithë kjo që të krijojmë kushte dhe rrethana sa më të mira për zhvillimin e veprimtarive kulturore, artistike dhe arsimore ashtu siç e meriton Tetova”, deklaroi drejtori i Qendrës për Kulturë. Ai tha se investimi për renovimin e katit të tretë ka kushtuar rreth 2 milionë denarë. Ndryshe, Qendra për Kulturë në Tetovë është ndërtuar në vitin 1973 ndërsa më punë filloi në vitin 1975. Më shumë se katër dekada  ishte qendër e vetme ku u organizuan me mijëra evenimente të ndryshme, kongrese të partive politike, ngjarje kulturore, dhe shumë manifestime të tjera jashtë sferës së kulturës në Tetovë. Ky objekt fillimisht ishte si Pallat i Kulturës ndërsa më pas e njëjta me kalimin e kohës do të transferohet në qendër kulturore, pasi që tashmë në kuadër të saj funksionojnë Biblioteka dhe Teatri.

    Për shumë vite në këtë objekt nuk janë bërë investime, ndërsa problem kryesor mbetet ngrohja qendrore dhe hapësirat e vjetruara të brendshme. Probleme janë shfaqur edhe me çatinë e objektit, e cila dy herë është rikonstruar. Edhe për disa vite, kjo Qendër kulturore do të jetë nikoqire e ngjarjeve kulturore, derisa të përfundojnë punët e objektit të ri të Teatrit dhe të Bibliotekës. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Opozita në RMV me kritika ndaj Qeverisë për ndërhyrje në gjyqësor

    Lajmi i rradhës

    Gjorçev: Vendi duhet të shkojë në zgjedhje

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë