Kuvendi i Kosovës miraton zgjatjen e masave emergjente për rrymë

    Me 61 vota për, Kuvendi i Kosovës ka miratuar kërkesën e Qeverisë për të zgjatur masat emergjente për furnizim me energji edhe për një muaj.

    Partitë opozitare bojkotuan votimin e kësaj mase të Qeverisë, pasi paraprakisht seanca ishte shtyrë për shkak të mungesës së kuorumit, për shkak se në të njëjtën kohë po mbaheshin mbledhjet e dy komisioneve parlamentare. Opozita ishte kundër shtyrjes së seancës, por kur rinisi seanca ata nuk morën pjesë në votimin për masat emergjente.

    Ekzekutivi më herët ka thënë se zgjatja e masave emergjente bëhet për “normalizimin e plotë” të gjendjes me rrymë.

    “Zgjatja e këtyre masave bëhet për shkak të rritjes së kërkesës për energji dhe gjendjes jostabile të furnizimit me energji elektrike”, thuhej në njoftimin e Qeverisë të marrë më 23 shtator.

    Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se vendi do të përballet me një dimër të vështirë, për shkak të krizës së energjisë që ka mbërthyer Evropën – të shkaktuar nga pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës – dhe rritjes së çmimeve të importit të energjisë.

    Në muajin gusht, kur Kosova u përball me reduktime të energjisë, Qeveria miratoi masat emergjente që përfshinin masa të kursimit të energjisë elektrike nga të gjitha institucione, ndalimin e përdorimit të rrymës për mihjen e kritpovalutave dhe mbështetjen e Operatorit të Sistemit të Transmisionit të Tregut (KOSTT), që ky operator të ndërmarrë masat e duhura për të ofruar siguri të sistemit elektro-energjetik.

    Ndërkaq më 20 shtator, ekzekutivi ndaloi eksportin dhe ri-eksportin e produkteve të drurit që përdoren si lëndë djegëse.

    Autoritetet thonë se Kosova nuk mund të mbulojë kërkesën me rrymë gjatë dimrit me prodhimin e dy termocentraleve në Obiliq. Termocentralet Kosova A dhe B mund të prodhojnë rrymë deri në 800 megavat, por nevojat e konsumatorëve gjatë dimrit arrijnë deri në 1.300 megavat në orë. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Kovaçevski nesër do të takohet me Mickoskin në Qeveri

    Lajmi i rradhës

    Si të kujdeseni dhe të pastroni enët e gjakut

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë