Kuvendi i Shqipërisë hap rrugën për arrestimin e ish-kryeministrit Berisha

    Kuvendi i Shqipërisë votoi të enjten në favor të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë (SPAK) për t’ia hequr imunitetin e deputetit, ish-kryeministrit Sali Berisha, duke i hapur rrugën arrestimit të tij nën dyshimin për korrupsion.

    Prokurorët u kërkuan ligjvënësve javën e kaluar t’ia heqin Berishës imunitetin parlamentar, sepse ai nuk i ishte përmbajtur urdhrit për të raportuar në SPAK çdo dy javë dhe për të mos u larguar nga vendi, derisa po hetohej për korrupsion.

    Me 75 vota në favor, Kuvendi e miratoi kërkesën për t’ia hequr Berishës imunitetin parlamentar të enjten.

    Në tetor, SPAK-u njoftoi se Berisha akuzohet për korrupsion në një rast bashkë me dhëndrin e vet, Jamarbër Malltezi, për privatizimin e paligjshëm të kompleksit sportiv Partizani.

    Opozita u përpoq ta pengojë votimin duke hedhur flakadanë në seancën foltorja e të cilës u sigurua nga një numër i madh i rojeve të sigurisë, ndërkohë që pranë ndërtesës së Kuvendit protestuesit e kundërshtuan vendimin.

    Berisha, duke folur gjatë protestës pranë Kuvendit, e quajti vendimin antikushtetues.

    “Kuvendi antidekomratik votoi në kundërshtim me çdo procedurë kushtetuese dhe ligjore për heqjen e imunitetit dhe arrestimin tim. Ky vendim jo që nuk do ta shkatërrojë opozitën, por do ta mobilizojë atë në shkallën më të lartë dhe me moton: ‘o sot o kurrë’, do t’i japë përgjigjen më të merituar këtij regjimi”, tha Berisha.

    Oficerët e policisë formojnë kordon përballë ndërtesës së Kuvendit të Shqipërisë në Tiranë gjatë protestës së opozitës kundër votimit për heqjen e imunitetit të ish-kryeministrit Sali Berisha, 21 dhjetor 2023.
    Oficerët e policisë formojnë kordon përballë ndërtesës së Kuvendit të Shqipërisë në Tiranë gjatë protestës së opozitës kundër votimit për heqjen e imunitetit të ish-kryeministrit Sali Berisha, 21 dhjetor 2023.

    Pas orë pas votimit, Kuvendi i njoftoi prokurorët për vendimin, të cilët pritet që tani t’i drejtohen gjykatës për masën ndaj Berishës.

    Të hënën, Këshilli i Mandateve i Kuvendit të Shqipërisë e çoi në votim heqjen e imunitetit për Berishën me kërkesë të prokurorëve.

    Për çfarë akuzohet Berisha?

    Berisha, 79 vjeç, u akuzua në tetor se e kishte abuzuar pozitën e tij duke e ndihmuar dhëndrin Jamarbër Malltezi të blejë tokë në Tiranë e cila ishte në pronësi të qytetarëve dhe Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe t’i ndërtojë 17 ndërtesa banimi në atë tokë.

    Berisha dhe Malltezi i kanë hedhur poshtë akuzat, duke pretenduar se rasti ndaj tyre është i nxitur nga partia në pushtet e kryeministrit Edi Rama, Partia Socialiste.

    Prej tetorit, deputetët e Partisë Demokratike në opozitë i kanë penguar vazhdimisht seancat e Kuvendit për ta penguar, siç e quajnë ata, sundimin tejet autoritar të socialistëve.

    Berisha shërbeu si kryeministër i Shqipërisë nga viti 2005 deri më 2013, si dhe si president nga viti 1992 deri në vitin 1997.

    Shtetet e Bashkuara në maj 2021 dhe Britania e Madhe në korrik 2022 ia ndaluan Berishës dhe familjarëve të tij të afër të udhëtojnë në këto dy vende, për shkak të dyshimeve të përfshirjes së tij në korrupsion. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Hoxha: jam takuar me Ali Ahmetin dhe Taravarin, jemi të gatshëm

    Lajmi i rradhës

    Qeveria lokale në Sarajevë shpall gjendje alarmi për shkak të ndotjes së ajrit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë