Viti 2023 shënoi rënie drastike të besimit në sistemin gjyqësor

    2023 shënoi edhe një rënie drastike të besimit në sistemin gjyqësor dhe sundimin e ligjit në vend. Gjithçka nisi me shkarkimin e kryetares së Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva përmes një procedura e cila ishte e kontestuar që në fillim.

    Për të mos mjaftuar fakti se vendi kishte filluar procesin e skriningut në kapitujt sundimi i ligjit, ndryshimet në Kodin Penal rrënuan sistemin. Të gjitha lëndët për të cilat pushteti aktual pretendonte prej sa vitesh se do të ketë përgjegjësi u vjetërsuan dhe pushuan. Nga dënimet me burg shpëtuan siç thoshte pushteti aktual, ish funksionarët e regjimit: Nikolla Gruevski, Sasho Mijallkov, Mile Janakievski dhe shumë të tjerë.

    Propozimi i ndryshimeve në Kodin Penal u paralajmërua se do t’i dridh themelet e koalicionit qeverisës, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga tha se u gjet para aktit të kryer dhe se propozim-ndryshimet në Kodin Penal kanë kaluar në Qeveri dhe janë dorëzuar në Kuvend derisa ai ka qenë jashtë vendit. Ndryshimet mbanin firmën e zëvendësministres së Drejtësisë.

    Në muajin qershor pa paralajmërim një avokat nga Shkupi i kërkoi Gjykatës Supreme të rikthen në fuqi abolimin e ish presidentit Gjorge Ivanov përmes një qëndrimi parimor që duhej të sillej nga Gjykata më e lartë në vend. Lufta e Supremes dhe kundërshtimet ndaj kësaj nisme vazhdojnë edhe sot dhe mund të jenë baza për shkarkimin e kryetares së kësaj gjykate, Besa Ademi.

    Në shtator Bashkimi Evropian dërgoi një mision vlerësues për punën e Këshillit Gjyqësor nga raporti i të cilit dolën 40 rekomandime të cilat këshilli dhe çdo qeveri e ardhshme duhet t’i ketë për prioritet. Në raport është rekomanduar mungesa e transparencës në punën e këshillit dhe gjykata, ndërsa është potencuar edhe fakti se ministri i Drejtësisë dhe kryetari i Gjykatës Supreme edhe pse janë anëtarë të këshillit sipas detyrës zyrtare, nuk obligohen për të qenë pjesë e seancave të këshillit, përkatësisht mungesa e tyre ne seanca nuk bie ndesh me ligjin.

    Në këmbim, Lloga propozoi ligj për amnisti, por shumica parlamentare respektivisht partnerët e koalicionit e tradhtuan dhe propozimi nuk mori dritën jeshile në fazën e nevojës. Për këtë partia e tij paralajmëroi masa të llojit me dalje nga Qeveria, por një e tillë nuk ndodhi.

    Ndonëse pritej sanksionimi i gjykatësit i cili duke ruajtur në sirtarë lëndët e Mijallkovit e shpëtoi atë nga shumica e dënimeve, Këshilli Gjyqësor vendosi që Enver Bexheti të kalon me gjobë dhe të mos shkarkohet nga pozita.

    Administrata gjyqësore tashmë disa muaj proteston për të kërkuar rroga më dinjitoze, por kërkesat e tyre vazhdojnë të hasin në vesh të shurdhër me arsyetimin e autoriteteve se buxheti për vitin që sapo ka filluar nuk premton rritjen e rrogave për punonjësit administrativ në sistemin gjyqësor. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    LEN: për qytetarët lëmoshë prej dy mijë denarë, për politikanët rritje prej 78% të rrogës

    Lajmi i rradhës

    Çfarë efektesh të dëmshme ka ajri në Tetovë për shëndetin e njerëzve?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë